18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Tre net maratonë e rockut të trevave shqiptare

Elton DedaNjë festival ndryshe dhe i përmasave të mëdha. Kjo është ngjarja më e freskët muzikore që kantautori, Elton Deda dhe Erjon Zaloshnja do të sjellin së shpejti tek artdashësit shqiptarë. Tre net maratonë mbushur me argëtim, surpriza, miqësi, kulturë dhe mbi të gjitha muzikë e kualitetit të lartë do të shoqërojnë për orë të tëra publikun tonë.

Në skenën gjigante të këtij Festivali, i cili vjen mbushur me risi do të performojnë bandat më të mira rock të trevave shqiptare, e ndërsa i ftuar special në natën e fundit do të jetë një nga artistët më të mëdhenj me famë botërore, Ian Paice & Moonstone Project (Deep Purple). I konceptuar në formën e një super spektakli, ky event muzikor ka për qëllim të argëtojë, të informojë, por edhe të edukojë publikun mbi historinë e muzikës së vërtetë rock në Shqipëri dhe kjo sipas organizatorëve do të realizohet nëpërmjet dokumentarit, “Albanian Rock Anthology”.

Një risi tjetër e kësaj ngjarjeje të madhe do të jetë edhe “Hall of Fame”, ku kontribuesit më të mëdhenj të muzikës shqiptare do të lënë gjurmët e tyre në një kallëp allçie një shenjë kujtese për brezin e ri dhe të mëvonshëm.
E konsideruar si muzika që shpreh revoltën ndaj padrejtësive, sistemeve të gabuara dhe që jep mesazhe të fuqishme dashurie, miqësie dhe mbi të gjitha paqeje mes njerëzimit, rock’n’roll edhe pas 100 vitesh vazhdon të përcjellë vlerat e tij të padiskutueshme. Në vazhdën e vlerave të trashëguara që kjo muzikë ka përcjellë ndër vite edhe ky super event shqiptar i shton doza pozitive kësaj tradite botërore, duke u përpjekur të transmetojë tek publiku shqiptar mesazhe të pastra. “Duke ruajtur portretin e vet origjinal dhe të vulosur prej dekadash, Festivali i RockStock tenton të përcjellë mesazhe miqësie, kriticizëm më të fortë të anti-vlerave dhe sigurisht mesazhe akoma më të detajuara të krijimit të raporteve të reja midis politikës dhe artit.

Por mbi të gjitha, me qëllimin suprem për të bashkuar shpirtra njerëzorë, duke u munduar të mbushë boshllëkun dhe zhgënjimet që shoqëria sot prodhon, nëpërmjet tingujve dhe rezonancave pa kompromis”, citon ‘Koha Jonë’ organizatorin Elton Deda për përmbajtjen e eventit.

“Ky Festival, i cili vjen si një risi për publikun shqiptar tenton të realizojë një lidhje të fortë mes muzikës dhe publikut, duke miqësuar muzikantët me audiencën nga të gjitha trevat shqiptare kudo që janë. Ai do të provojë të tejkalojë barrierat e muzikës së vetëm një zhanri, duke e përzierë atë me zhanre të tjera, pra duke i dhënë një dimension të ri, pavarësisht se bërthama në vetvete është rock music”, shton ai. Ndër të tjera, ajo që vlen të përmendet për këtë Festival është edhe fakti se ky projekt do të guxojë të krijojë një traditë të përvitshme të muzikës rock. Promovimi i bandave dhe këngëtarëve të rinj që aspirojnë për t’u ngjitur në skenë do të jetë gjithashtu një vlerë e shtuar e kësaj ngjarjeje muzikore. Ky Festival gjigant do të zgjasë 3 ditë, nga data 5-6 dhe 7 qershor 2014, ora 21:00 deri në orën 02:00 të mëngjesit.

-Një organizim mjaft i fuqishëm dhe domethënës për artdashësit shqiptarë, që mezi po e presin, në fakt çfarë tenton në vetvete kjo ngjarje muzikore Elton?
Ky Festival, ndër shumë qëllime pozitive që mbart në vetvete, tenton të realizojë një lidhje sa më të fortë mes muzikës dhe publikut duke miqësuar muzikantë dhe publiku nga të gjitha trevat shqiptarë kudo që janë, të tejkalojë barrierat e muzikës së vetëm një zhanri, duke e përzierë atë me zhanre të tjera, pra duke i dhënë një dimension të ri, pavarësisht se bërthama do jetë e përqendruar në Rock music. Gjithashtu tenton që të krijojë një formë Festivali tip Maratonë, mes larmisë dhe argëtimit të të gjitha moshave dhe që mendojmë të kthehet në një traditë të përvitshme.

-Duket që ky Festival do të jetë edhe një promovim i mirë për grupet e reja, përveç rikthimit-surprizë të artistëve veteranë në skenë?
Po, sigurisht! Promovimi i bandave dhe i këngëtarëve të rinj që aspirojnë për t’u ngjitur në skenë dhe për një arsye, apo tjetrën nuk e kanë patur këtë mundësi do të jetë një ndër qëllimet tona. Më pas artistët e rinj, do kenë përgjegjësi të tjera për të rritur nivelin e tyre duke marrë parasysh përmasat e këtij Festivali dhe rrjedhimisht do asistojmë në përmirësimin e kualitetit muzikor.
-Këtë Festival e keni quajtur edhe si Dita e Miqësisë. Pse?

Sepse, ky Rockstock Festival nuk do jete vetëm për muzikantët, por edhe për publikun që do e ndjekë Festivalin. Përmes mesazheve që transmeton muzika jemi të bindur që në këtë maratonë muzikore do shohim edhe një maratonë tjetër, atë të miqësive të reja që do çohen më tej.
-Artistët do të interpretojnë vetëm pjesët e tyre origjinale, apo edhe cover?
Grupet dhe artistët që do performojnë në këtë aktivitet do t’u kërkohet që të këndojnë, apo të luajnë pjesë të tyre origjinale, pra në këtë rast mundohemi, sa të mundemi për të shmangur covera dhe kopjime të mundshme. Sigurisht, pa fluturuar me ide utopike që artistët tanë kanë mjaftueshëm repertor origjinal gjatë gjithë kohës, covers të muzikës botërore do jenë të pranishëm në skenë.

-Do të kemi rikthim në skenë të disa prej ikonave shqiptare të muzikës rock. Konkretisht mund të na përmendni disa prej tyre?
“Albatros” me Gjergj Jorgaqin do të jetë një ribashkim special për Ditën e Miqësisë, “Tre musketierët”, ku do jetë Aleksandër Gjoka, Redon Makashi dhe unë, gjithashtu është konfirmuar edhe pjesëmarrja e “Ritfolk”. Pra do të kemi një rikthim vlerash nga vitet ‘90 në vëmendjen tonë, por edhe talentë të rinj, të cilët i premtojnë shumë tregut tonë muzikor. Pjesëmarrja është fantastike për hir të së vërtetës.
-Elementë surprizë do të ketë ky Festival? Kam ndërmend të ftuar specialë?

Patjetër që do të ketë. Ndër shumë surpriza, të cilat do të zbulohen në netët e Festivalit do të ketë edhe elementë befasues në mbrëmjen finale. Një ndër to do të jetë edhe prania e Ian Paice& Moonstone Project (Deep Purple).
Pjesëmarrësit:

RockStock Band (Elton Deda, Eneda Tarifa, Erjon Zaloshnja, Rezarta Smaja)
Elita 5 Band
Bojken Lako Band
Renis Gjoka Band
Lynx
Burn
Zanzi Band (Kosovë)
Genc Salihi Band (Kosovë, ex- Cute Babulja)
Bla, bla Bla (Maqedoni)
Adrian Lulgjuraj (Mali i Zi)
3 Musketierët (Aleksandër Gjoka, Elton Deda dhe Redon Makashi)
Eugent Bushpepa Band
Kamela Islamaj
Rina Bilurdagu
Flaka Krelani
Marsela Cibukaj
Altin Goci (Rifolk Band)
Juliana Pasha Band
Sokol Keci Fusion Trio
Crossbones
Seleksioni 039, TNT, (Old school Bands nga Kosova)
Albatros (Një ribashkim special për Ditën e Miqësisë)
Banda të reja dhe artistë të rinj (specifikisht në zhanret e Heavy Metal, Death Metal, Black metal, Grunge, Alternative Rock)
Hip Hop (DJ Blunt and Real 1, Free Style Hip Hop, Kosovë).

Më Shumë

Shqipe Kastrati nderohet nga kryetari i Prizrenit për kontributin në kultivimin e këngës shqipe

Këngëtarja e njohur Shqipe Kastrati u nderua sot nga kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në kultivimin e këngës...

Moti sot me temperatura në rënie, priten reshje shiu

Sot parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat gjatë pjesës së dytë të ditës parashihen të sjellin riga shiu dhe...

Lajmet e Fundit