Arben Veselaj
(Ose: një interpretim ndryshe për tri esetë:“Dantja i pashmangshëm”,“Hamleti, princ i vështirë” dhe “Një brilant për Mbretëreshën”)
Brenda universit të gjerë letrar e publicistik, shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, ka shkruar disa “histori” të çuditshme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai ka shkruar një “histori” të Shqipërisë me Dante Aligierin (“Dantja i pashmangshëm”), një tjetër me personazhin tragjik të Shekspirit, Hamletin (“Hamleti, princ i vështirë”), dhe, së fundi, një “histori”, po ashtu të pazakonshme, me mbretëreshën shqiptare, Geraldina Zogun.
Duke e vënë karakterin hakmarrës të Hamletit në kontekstin shqiptar te eseja e gjatë “Hamleti, princ i vështirë”, Kadare e ka zbritur personazhin tragjik të Shekspirit në trualllin e shqipeve duke na zbuluar kështu kompleksin hamletian të shqiptarëve: atëvrasjen deh vëllavrasjen. Përpara Kadaresë letërsia shqipe ka njohur edhe dy autorë tjerë që e kanë ngjizur Hamletin në letërsi, së pari Sami Frashëri përmes dramës “Besa”, ku ati, kryeheroi, vret të birin, dhe, së dyti, Mehdi Frashri me romanin “Nevruzi” që kthehet nga kryeqyteti perandorak për të marrë gjak në atdhe.
Mbi fragmente ngjarjesh të vërteta e të dokumentura (historike), Kadareja e realizon dramën shqiptare me të gjitha aktet dhe skenat e përgjakura të saj. “Historitë” shqiptare që i shënjon ai janë drama me shenjën e hakmarrjes së kanonizuar, me shenjën kërcënuese të mortit, si ajo e personazhit të tij imagjinar te romani “Prilli i thyer” Gjorg Berisha. “Gjorgu që ra përtokë, është një lloj Hamleti”, ka shkruar Kadareja në një rast dhe kontekst tjetër.
Ismail Kadare ka shkruar edhe një “histori” për “ferrnajën e kuqe”. Këtë “histori” ai e shkroi i “prirë” nga Dante Aligieri, njëjtë sikur ky i fundit që e kishte shkruar “Komedinë hyjnore” “i prirë” nga Virgjili. Siç duket “Komedia hyjnore” për Kadarenë ishte krahasimi më i mirë që e rrezaton njëherësh edhe zinë edhe dritën. Romanet e Kadaresë, sidomos cikli i të ashtuquajturve “romane osmane”, të cilët studiuesi belg, Piet de Moor, i kishte quajtur “kronika historish të pashkruara”, na zbulojnë metaforën e madhe të Shqipërisë dhe shqiptarëve, me të gjitha mbretëritë e diktaturat, me të gjithë heronjtë dhe vrasësit. “Në shekullin XX, atëherë kur dukej se e kishte arritur majën më të lartë të lavdisë e se s’mund të rritej më, pikërisht atëherë në rrafshinën kolosale komuniste, nga Dante që ishte, ai u bë Dydantsh, Tridantsh”, shkruan Kadareja te eseja e tij “Dantja i pashmangshëm”.
Sidoqoftë, “historinë” e Shqipërisë me Dante Aligerin më së mirë e ilustron vet fati jetësor dhe jetëshkrimor i përkthyesit të tij në gjuhën shqipe, Pashko Gjeçit, intelektualit të madh shqiptar me kulturë perëndimore që vuajti kazamateve të komunizmit shqiptar. Në kujtimet e tij Gjeçi ka rrëfyer se faqet më të “errëta” të Ferrit të Dantes i kishte përkthyer si burgagji i detyruar me punë të rënda në Kënetën e Maliqit. “Katër vargjet e fundit të Ferrit i kam përkthyer një ditë të shtunë. Ato i mbarova aty rreth orës katër të mëngjesit dhe kur i mbarova mu duk se u hap dera e prej aty doli Dantja e më la vetëm”, ka shkruar Pashko Gjeçi në kujtimet e tij.
Versionin më të ri të “historisë” së Shqipërisë dhe shqiptarëve Kadareja e shkroi tash së voni: një “histori” rojaliste: me mbretëreshën Geraldinë.
E, cila do të ishte “historia” e Kadaresë me mbretëreshën Geraldinë që trajtohet tek eseja “Një brilant për Mbretëreshën”?
Është vet historia tragjike e zhbërjes së Shqipërisë, vet historia e paqëndrueshmërisë dhe brishtësisë së saj; historia e ultimatumeve, mëdyshjes … deri tek dezertimi i Mbretit nga Atdheu, bashkë me ushtrinë e tij.
Si në një poezi metaforike në këtë ese të jashtëzakonshme Kadareja e ka përshkruar mjeshtërisht gjendjen krejt në ankth të Shqipërisë së fillmprillit të vitit 1939, në orët e saj më të vështira, kur i kanosej pushtimi fashist italian.
Çdo “histori” e Shqipërisë me Geraldina Zogun nuk ka se si të mos jetë e zymtë, pasi që koha kur ajo nusëroi në oborrin shqiptar ishte e zymtë deri në përmbysje të plotë. Tregimi i Kadaresë për “Nënën Mbretëreshë” është vet metafora e Shqipërisë – një vend i lënë nën mëshirën e agresionit fashist italian, fillimisht, e më pas nën izolimin komunist.
Te eseja “Një brilant për mbretëreshën” Kadareja, si rrallë në ndonjë rast tjetër, shpreh një admirim të madh për mbretëreshën shqiptare, cila me pafajësinë dhe fisnikërinë e saj të sinqertë mbijetoi me dinjitet midis mizeries shqiptare.
Në fakt, Kadareja me mbretëreshën Geraldinë ka pasur një marrëdhënie korrekte dhe respektabile, për dallim ndaj bashkëshortit të saj – Mbretit Zog, dhe të birit – princit Leka Zogu. Që nga ikja e tij në Francë më 1990 Ismail Kadare sa herë që në shkrimet e tij e ka përmendur Monarkinë shqiptare, ka folur me admirim për Geraldinën. Në një letër që ai ia dërgon në vitin 2002 nga Parisi në Johanesburg, e inkurajonte kthimin e familjes mbretërore “në atdheun që ju solli shumë më tepër brenga sesa gëzime”. “Konteshë e re, e ardhur nga qendra e Europës, për t’u bërë Mbretëreshë e shqiptarëve, ju treguat për ta një përkushtim e devocion mallëngjyes, që e kanë shembullin e rrallë në këtë shekull. Zonjë e lartë, vendimi juaj për t’u kthyer e për të jetuar në Shqipëri, ka qenë për mua, dhe kam bindjen se do të jetë për shumicën e shqiptarëve një lajm i gëzuar dhe jashtëzakonisht prekës. Ju po ktheheni në vendin që fati e solli të bëhet atdheu i juaj, ndonëse ky vend ju ka sjellë shumë më tepër brenga sesa gëzime. Me këtë akt të lartë, ju na jepni një mesazh të gjithëve, mesazhin fisnik se: Atdheu mund të jetë i dashur edhe kur është i varfër dhe i vështirë”, i shkruante Kadareja Geradinës.
Po ashtu, edhe mbretëresha Geraldinë kishte një respekt të madh për shkrimtarin shqiptar. “Gjithmonë kam dashtun me gjet një rast për t’ju falenderue përzemërsisht për veprat e mrekullueshme artistike që ju keni botue dhe që i kanë dhënë nder e lavdi emrit tuaj, si dhe Shqipërisë sonë të bukur, vatrës së qytnimit e civilizimit në Ballkan e ma gjanë. Të tana veprat tueja i kanë dhënë këtë mesazh, duke i treguar Evropës edhe Botës se kombi jonë ka një identitet të veçantë kombëtar, me gjuhën tonë të mrekullueshme dhe me një traditë e kulturë të cilët na nderojnë dhe në botën e sotme. Veprat e tuaja na kanë dhënë atë kënaqësi të rrallë se janë shkrue me një art brilant e befasues, kanë mrekullinë e fjalës e horizontet e mendimit të thellë filozofik”, i shkruante Geraldina Ismail Kadaresë në vitin 2002 nga Johanesburgu.
Ashtu sikur shumë libra e shkrime të tjera të ngjashme të Kadaresë edhe eseja “Një brilant për Mbretëreshën” gëlon nga reminishencat historike të cilat Kadareja i ngreh në figura të mendimit. “Historia” e Shqipërisë me mbretëreshën Geraldinë paraqet edhe njërin nga personazhet groteske të historisë shqiptare: Mretin Zog, liderin “ngrehaluc” i cili me politikën e tij gjithmonë mbeti “as-as”: as me Lindje, e as me Perëndim, ndonëse gjithmonë me Lindje dhe gjithmonë me Perëndim. “M’u si vet Shqipëria dhe shqiptarët, edhe Mbreti i tyre ishte dyshues dhe mosbesues ndaj gjithkujt dhe për gjithçka”, shkruan Kadare në këtë ese.
Është vështirë të gjendet një përshkrim kaq dramatik jo vetëm në publicistikën dhe eseistiken e Kadaresë, për fatin e një shteti i cili përmbyset ngadalë nga çasti në çast, si ai që paraqitet te eseja “Një brilant për Mbretëreshën”. Gradacioni që jep ora e ultimatumit italian për dorëzim, në njërën anë, dhe fillimi i dhimbjeve të lindjes së Nënës Mbretëreshë, në anën tjetër, paraqesin një metaforë të goditur letrare, e cila kuptohet figurativisht si vet fati tragjik i Shqipërisë.