Tri incizime 100-vjeçare të aktorit të madh me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu kanë rënë në duart e Niko Kotheres. Studiuesi e koleksionisti bën me dije se pllakat janë regjistrim i Moisiut, bërë më 1912 në Teatrin e Berlinit. Ai vetë i ka siguruar në Londër. “Unë kam në dorë tri pllakat origjinale të prodhuara e të shtypura që në vitin 1912, e për të cilat ka qenë në dijeni edhe vetë Moisiu, pra që janë bërë me dijeninë e tij.
E para është inçizuar nga kompania diskografike ‘His Master’s voice’, është incizuar në sallën e Teatrit të Berlinit, në datën 17 shkurt të vitit 1912”, – thotë Kotherja. Sipas tij, bëhet fjalë për monologun “Fausti” i Gëtes. Në të njëjtën ditë, pra me 17 shkurt 1912, Mosiu ka incizuar edhe monologun “Në hënë”, po të Gëtes, në Teatrin e Berlinit. “Monologu i tretë është ai me titull ‘Vjedh’ nga Shileri. Ai është incizuar më 24 shtator 1912 në Berlin nga shoqëria ‘Monarch'”, vëren Kotherja. Koleksionisti sqaron se këto të dhëna, për të siguruar autenticitetin, i ka verifikuar me Arkivin Teknik Audovizual dhe Mediatik Austriak në Vjenë. Në këtë arkiv janë depozituar edhe disqet origjinale dhe riprodhimet e tyre në vite të ndryshme. “Këto pllaka origjinale të vitit 1912, njëra e shkurtit e tjetra e shtatorit, del që janë të parat regjistrime që ka bërë Moisiu të këtyre monologjeve. Më tej, atyre (regjistrimeve në këto pllaka) iu janë bërë riprodhime në vite të ndryshme, duke i marrë nga pllakat ku së pari u regjistruan”, thotë ai. Më tej, Kotherja tregon se “Fausti” i Gëtes është në tri pllaka të tri viteve: më 1912 nga “His master’s voice”, më 1917 nga “Odeon” dhe më 1928 nga “Columbia”.
I pyetur për dorëzimin në Arkivin e Shtetit të një regjistrimi të Moisiut dhe diferencën mes tij dhe pllakave që Kotherja posedon, koleksionisti tregon se “ajo që u dorëzua është riprodhim i origjinaleve të 1912-ës, emetuar më 1970-1980, ndërsa këto janë origjinalet që ka regjistruar Moisiu, për të cilat ai ka qenë në dijeni dhe i ka parë e prekur vetë le të themi dhe mbase i ka dhuruar tek njerëzit e tij”. Studiuesi sqaron më tej se secila prej regjistrimeve ka vlerat e veta historike, ato që u dorëzuan në arkiv janë pllaka plastike, lloj tjetër nga ato të 1912. Në to është zëri origjinal i Moisiut, por i marrë nga pllaka më të hershme.
Pllakat e gramafonit janë gjetur në Londër. Gjendja e tyre fizike është shumë e mirë dhe janë pothuaj të papërdorura, pasi siç duket, kanë qenë pjesë e koleksioneve private. “I kam siguruar falë angazhimit që kam pasur për të gjetur dokumente origjinale sa më afër jetës së Moisiut. 2 prej tyre janë origjinale të asaj periudhe dhe e treta është riprodhim i 1930-ës, i monologut të Faustit nga shoqëria ‘Elektrona’. Nuk i kam bërë më parë publike, pasi prisja t’i konsultoja me arkivat për të pasur për të, të dhënë të sakta”, përfundoi ai.