9.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

U promovua “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, romani i parë i Adil Ollurit

Dita e mërkurë sot nisi me një promovim të romanit të parë të autorit tashmë shumë të njohur e poashtu siç u vlerësua edhe nga audienca edhe studiuesit të letërsisë Adil Ollurit. “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, është romani i parë i Ollurit, i cili u promovua sot në ambientet e Institutit Albanologjik, në mesin e familjarëve, miqve dhe dashamirëve të librit të cilët nuk i kursyen fjalët e mira për autorin në asnjë moment.

“Janë tri gjëra që e shquajnë tregimin e Ollurit, që janë trajtimi i temave që quhen të vogla, por që i takojnë thellësisë së shpirtit njerëzor; stili, do të thotë gjuha, njëkohësisht e pasur me figuracion, por edhe e tillë që ndërton rrëfim të kuptueshëm, ku vërehen nganjëherë edhe kompozita të qëllimshme që përdoren për efekt stilistik dhe e treta, një shtresë që e përshkon tërë prozën tregimtare të këtij autori e që prek sidomos storie dhe personazhet, është ajo që do ta quaja realizëm emocional”, filloi kështu të flasë shkrimtari, Gëzim Aliu para të pranishmëve i cili tha se titullin e romanit “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, Adil Olluri e ka marrë nga një tregim që gjendet në librin e tij “Shumë rrugë dhe një rënie”, botuar në 2013, ku këtë libër Aliu e quan sprovë të Ollurit, të kaluar me sukses në fushën e prozës tregimtare.

Ndërsa nga shkrimtari shqiptarë, Virion Graçi protagonisti kryesor u vlerësua edhe si studiues i letërsisë shqipe dhe prozator. Ai tha se ky roman nuk është sprovë pikënisjeje por është një arritje e madhe, një fakt letrar-kulturor jo vetëm në jetën e autorit por sipas Graçit edhe për letërsinë bashkëkohore shqipe.“Romani i tij ka një detyrë të vështirë, në dukje të pamundur që të tregoj për eksodin biblik të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999; të tregojë për aparteidin e shtetit federal jugosllav ndaj qytetarëve shqiptarë të Republikës së Kosovës, të tregojë për krimet dhe gjymtimet fizike-psikologjike të pësuara nga shqiptarët nën makinerinë ushtarako-policore të Sllobodan Millosheviqit”, theksoi shkrimtari.

Pas këtyre fjalimeve që u dëgjuan me shumë vëmendje në sallën siç quhet e rrumbullakët në institut, drejtuesi i këtij promovimi njëherësh edhe shkrimtari, Adrian Haxhaj hapi diskutimin edhe për të pranishmit, por këta të fundit dukej se nuk kishin të shtonin asgjë, pasi që, të gjitha u folën në fjalimet paraprake. E pas kësaj, siç e do rendi radhën e kishte vetë autori, i cili para të pranishmëve u shpreh shumë falënderues për ardhjen e tyre, ai nuk foli shumë për librin, ndoshta që, libri do të flas më shumë se ai vetë. “Unë prej librit tim “Shumë rrugë dhe një rënie”, kam marrë vetëm motivin, dhe romanin e kam shkruar kohë pas kohë pa ndonjë fazë të caktuar, kështu nuk kam çfarë të shtoj më tepër vetëm të iu falënderoi të gjithëve”, u shpreh për fund Adil Olluri./KultPlus.com

Më Shumë

‘Rrufe në qiell të hapur’, Bayern refuzohet edhe nga Ralf Rangnick

Ralf Rangnick thuhet se ka refuzuar mundësinë për të zëvendësuar Thomas Tuchel-in si trajner i Bayern Munich-ut, duke e lënë klubin të përpiqet për...

Prizren: Dënohet me 24 vjet burgim dhunuesi i dy të miturave

Gjykata Themelore në Prizren, departamenti për të mitur, e ka dënuar të akuzuarin E.G., me 24 vjet burgim pasi i ka detyruar dy vajza...

Lajmet e Fundit