Jorge Luis Borges (24 Gusht 1899–14 Qershor 1986) është një ndër shkrimtarët më të dashur dhe më me ndikim të njerëzimit. Puna e tij ka frymëzuar gjetje matematikore, libra filozofikë për fëmijë, dhe një univers të tërë të letërsisë. Pas vdekjes së tij, Susan Sontag e ka përkujtuar atë përmes homazhit më të bukur në historinë e letrave.
Në vitin 1972, në të shtatëdhjetat e tij dhe tërësisht i verbër, Borges ra dakord që të takohej me një shkrimtar të ri argjentinas dhe lexues pasionant, të quajtur Fernando Sorrentino, për të zhvilluar një sërë bisedash. Në shtatë pasdite, dy burra, me më shumë se dyzet vite diferencë dhe të bashkuar nga dashuria e thellë për letërsinë, u ulën së bashku në një dhomë të izoluar të Bibliotekës Kombëtare të Argjentinës dhe biseduan çiltërsisht mbi letërsinë dhe jetën. Procesverbali i këtyre takimeve befasuese, që ofron një shikim të shpejtë në mendjen e autorit të dashur, u botua me titullin “Shtatë biseda me Jorge Luis Borges” në vitin 1974- i njëjti vëllim madhështor që na ofroi urtësinë e përjetshme në të shkruar të Borgesit.
Në një nga pjesët më të pakoha e njëkohësisht të kohëzuara me përpikmëri në bisedë, Borges shqyrton çështjen e suksesit dhe matësit e vërtetë të tij përmes lenteve të integritetit të tij të jashtëzakonshëm artistik dhe depërtimit kulturor. Kur u pyet nëse interesohej për opinionin e lexuesve dhe spektatorëve, ai bën dallimin mes letërsisë dhe arteve të tjera:
“Është e mundur që një libër të mos tërheqë vëmendje në momentin që botohet; por të zbulohet më pas. Nga njëra anë, në rastin e një filmi (kjo e bën gjithçka më tepër dramatike; ndodh e njëjta gjë, le të themi, me artin e një balerini ose inerpretuesi), dështimi ose suksesi duhet të jetë i menjëhershëm… Mendoj se të qenët në një sallë të mbushur me njerëz krijon në vetvete një atmosferë të veçantë”.
Letërsia dhe artet e bukura duket se ndajnë këtë kohështrirje të suksesit, krejt të ndryshme nga ajo e artit popullor dhe interpretimet artistike. Dikush mund të pyesë nëse Borges mendonte për motrën e tij më të vogël, Norah, ndërsa sjell ndër mend këtë pyetje të njohjes së fshehtë- ndërkohë që ajo ishte një artiste e jashtëzakonshme me një krijimtari të pasur në grafikë gjatë gjithë jetës së saj, vetëm pas vdekjes arriti që të quhej një pioniere e artit modern.
Në një vështrim mbi psikologjinë e turmave, ai shton:
Kur njerëzit bëhen pjesë e një grupi, ata reagojnë në një mënyrë më të ekzagjeruar; kjo është diçka të cilën duhet ta keni vënë re shumë shpesh. Për shembull, nëse dikush bën një shaka në një grup të vogël, njerëzit do të qeshin, por jo në të njëjtën mënyrë që qeshin pesëqind ose një mijë vetë kur dëgjojnë një shaka në një lojë ose film. Kjo është pra, ka një tendencë për ekzagjerim, një tendencë që gjithçka të ndodhë në një mënyrë më të theksuar. Dhe kjo është e çuditshme, fakti që njerëzit e lëshojnë me tepër veten kur janë pjesë e një grupi. Nga ana tjetër, një lexues i vetmuar, një spektator i vetëm, duket se reagon më pak, ose reagon në një mënyrë më modeste sesa kur është me të tjerët.
[…]
Leximi i një vepre në mënyrë të vetmuar është gjëja më e mirë për vlerësimin e saj të vërtetë. Por, në çdo rast, ky është një lloj ndryshe i vlerësimit.
Duke u kthyer te parodia e vlerësimit nga opinioni popullor- diçka për të cilën Kierkegaard ankohej dhe Georgia O’Keefe ishte kundër- Borges vëren:
Kur e mendon thellësisht, mendimet janë dukuritë më sipërfaqësore në lidhje me çdokënd.
Me një ndjenjë trefish të hidhur sot, gati gjysmë shekulli tregtizimi më vonë, Borges konsideron se si të kthyerit e letërsisë në mall ka deformuar metrikën e suksesit të saj:
Ka mundësi të ketë ndikuar fakti që letërsia sot është tregtizuar në një mënyrë që më parë s’është bërë. Fakti që njerëzit tani flasin për “gjërat më të shitura” do të thotë se moda ka ndikim (diçka që nuk ka ndodhur më parë). Mbaj mend që kur kam filluar të shkruaj, nuk kam menduar kurrë për suksesin apo dështimin e një libri. Ajo që tani quhet “sukses”, nuk ekzistonte asokohe. Ajo që quhej “dështim” merrej si e mirëqenë. Dikush shkroi për veten, dhe ndoshta ashtu siç thoshte edhe Stevenson, për një grup të vogël miqsh. Nga ana tjetër, sot mendohet në lidhje me shitjet. E di se ka shkrimtarë të cilët e shpallin hapur publikisht se kanë hedhur në treg botimin e pestë, gjashtë apo të shtatë dhe se kanë fituar një sasi të konsiderueshme parash. E gjitha kjo do të ngjante mjaft qesharake në rininë time; do të ngjante e pabesueshme. Njerëzit do të mendonin se një shkrimtar, i cili flet për fitimet nga librat e tij, po nënkupton se: “E di që kjo që po shkruaj është e një cilësie të dobët, por e bëj për arsye financiare, ose për të mbajtur familjen time.” Kështu e pashë këtë qëndrim, si një formë modestie. Ose thjesht si marrëzi.
Kjo reflekton vërejtjen e Borges në lidhje me kohështrirjet e ndryshme të vlerësimit të letërsisë kundrejt arteve fitimprurëse, si filmat dhe muzika e masave. Koncepti i “më të shiturit” ndan gjene kulturore me konceptet “sukses i padiskutueshëm (blokbuster)” dhe “i arrirë (hit)”- vini re se sa goditëse bëhet gjuha jonë lavdëruese- sidoqoftë, suksesi i letërsisë- si Borges sugjeron se shkrimtarë të tjerë të panumërt kanë vërtetuar- matet me një metrikë krejt të ndryshme të dritës së brendshme.
“Shtatë bisedat me Jorge Luis Borges” përbën një lexim madhështor në tërësinë e vet, plotësuar me urtësinë e shkrimtarit në të shkruar.