1.8 C
Prizren
E martë, 31 Janar, 2023

Usyk para meçit të madh të së shtunës: As që po mendoj për Joshuan

Oleksandr Usyk do të përballet me Anthony Joshuan për titujt e botës në kategorinë e rëndë të shtunën në Londër, por sfiduesi ukrainas pretendon se ende nuk ka filluar të mendojë për kampionin.

Joshua do t’i rrezikojë titujt e vet të botës në WBA, IBF, WBO dhe IBO në Stadiumin e Tottenham Hotspur, në atë që po vlerësohet si testi më ndërlikuar për boksierin britanik deri tani në karrierën e tij.

Usyk, i njohur me nofkën macja, i ka zhvilluar vetëm dy luftëra në kategorinë e rëndë deri tani, por ai e ka fituar çdo titull të botës në kategorinë gjysmë të rëndë, para se të ngrihej në kategorinë më të lartë.

 

Ai do ta ketë mundësinë e parë për të luftuar për tituj të botës në kategorinë e rëndë ndaj kampionit Joshua dhe një shans për të vulosur emrin e vet në mesin e të mirëve të të gjitha kohëve.

Ukrainasi, i cili e fitoi medaljen e artë olimpike në kategorinë e rëndë në të njëjtin vit që Joshua e fitoi të artën në kategorinë super të rëndë, thotë se ende nuk e ka vëmendjen kah rivali i tij dhe meçi i së shtunës.

Usyk thotë më shumë është i shqetësuar për atë se si djali i vet po kalon në ditët e tij të para në shkollë, sesa për atë se çfarë do të bëjë Joshua në ring.

“Tani për tani, nuk po mendoj për Anthony Joshuan. Nuk po mendoj se çfarë do të bëjë ai, çfarë do të përdorë apo si do të boksojë”, tha Usyk për Sun.

“Tani kam paksa kohë për ta përfunduar kampion tim stërvitor dhe pastaj ka mundësi që mendoj për meçin”, nënvizoi ai.

“Në këtë kohë po mendoj më shumë se si po ndihet biri im në shkollë, sepse ai sapo e ka nisur klasën e parë dhe nuk donte të shkonte në shkollë. Ai më thoshte: ‘Nuk dua të shkoj në shkollë baba. Po mërzitem në shkollë dhe ti nuk je aty’. Por çdo gjë është në rregull tani, duket se ai është qetësuar. Prandaj, mbase do të mendoj më shumë për atë që mund ta bëjë Anthony Joshua në ring”, shtoi ai.

Më Shumë

Lajmet e Fundit