-0.3 C
Prizren
E shtunë, 18 Janar, 2025

Vehapi: Asnjëri nga kundërkandidatët nuk mund të më mposhtë

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës së Rahovecit, njëherësh kryetari aktual, Idriz Vehapi, ka thënë të mërkurën se qeverisja e deritashme do t’i sjellë fitore më 22 tetor.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se do të jetë i pamposhtur në Rahovec.
“I respektoj të gjithë kandidatët që janë në garë për kryetar të Komunës së Rahovecit, por ata i shoh vetëm si kandidatura. Asgjë më shumë. Asnjëri nga kandidatët nuk mund të më mposhtë. Pritjet tona janë që komunën e Rahovecit do ta fitojë Partia Demokratike e Kosovës”, ka deklaruar Vehapi, duke shtuar se investimet në bujqësi, në arsim, në shëndetësi, në infrastrukturë dhe në mjedis do të jenë prikat kryesore të programit të tij qeverisës.
“Duke pasur parasysh se Rahoveci është komunë bujqësore, investimet në bujqësi, në arsim, në shëndetësi, në infrastrukturë, në mjedis dhe në rrjetin e kanalizimit do të jenë pikat kryesore të programit tim. Do t’i ndërtojmë edhe disa shkolla dhe rëndësi do t’i kushtojmë pajisjes së këtyre shkollave me kabinete dhe laboratorë. Po ashtu, do të vazhdojmë të investojmë edhe në fushën e shëndetësisë. Në këtë fushë kemi të arritura. Tani jemi në prag të hapjes së Repartit për Dializë. Rahoveci do të jetë komuna e parë që do ta ketë një repart të tillë. Gjithashtu, do të bëjmë të pamundurën të investojmë në të gjitha fushat të cilat janë me interes për qytetarët e Rahovecit”, është shprehur ai.
Vehapi ka paralajmëruar se në bashkëpunim me institucionet qendrore do të investojë në bujqësi, përkatësisht në prodhimtari primare. “Por do të bëjmë përpjekje të ketë edhe qendra grumbulluese për prodhime bujqësore, por edhe fabrika për përpunimin e këtyre produkteve të cilat janë të një kualiteti të lartë dhe kërkohen edhe në tregjet e jashtme”, ka theksuar ai. Mirëpo, sipas Vehapit, një prej sfidave të kësaj komune është mungesa e hapësirave publike dhe çështja e ujërave të zeza. Pavarësisht prej këtyre sfidave, ai ka premtuar se qytetarëve të Komunës së Rahovecit do t’u ofrojë qeverisje transparente.
“Epoka e re”: Z. Vehapi, sa jeni të kënaqur me dy javët e para të fushatës zgjedhore? Keni arritur ta shpalosni para qytetarëve programin tuaj?
Vehapi: Fushata zgjedhore është duke shkuar shumë mirë dhe tubimet tona po përcillen nga të gjitha shtresat e qytetarëve të Komunës së Rahovecit. Gjatë këtyre dy javëve kemi vizituar shumicën e vendbanimeve dhe të bizneseve, ku kemi prezantuar programin tonë qeverisës, i cili ka marrë mbështetje të fuqishme nga shumë qytetarë. Edhe në dy javët e mbetura do t’i vazhdojmë takimet dhe vizitat në terren me të gjitha shtresat e shoqërisë.
“Epoka e re”: Cilat janë pikat kryesore të platformës suaj qeverisëse?
Vehapi: Duke pasur parasysh se Rahoveci është komunë bujqësore, investimet në bujqësi, në arsim, në shëndetësi, në infrastrukturë, në mjedis dhe në rrjetin e kanalizimit do të jenë prikat kryesore të programit tim.
“Epoka e re”: Pse qytetarët e Rahovecit më 22 tetor duhet t’ju votojnë juve e jo kandidatët e tjerë?
Vehapi: Qytetarëve të Komunës së Rahovecit do t’ua ofrojmë një qeverisje transparente. Jemi kualifikuar komuna më transparente në regjionin e Prizrenit dhe një ndër komunat më transparente në nivel vendi. Ky rezultat ka ardhur falë qeverisjes së mirë që kemi bërë. Pavarësisht prej pozitës që kam pasur në institucionet e Kosovës, gjithmonë kam punuar për interesin e Rahovecit dhe qytetarët e tij. Këtë do ta bëj edhe në të ardhmen.
“Epoka e re”: Si e vlerësoni garën për të parin e komunës? Frikësoheni se do të mposhteni nga kandidatët e tjerë?
Vehapi: Edhe më tutje pres që fushata të jetë e qetë dhe e ndershme. I respektoj të gjithë kandidatët që janë në garë për kryetar të Komunës së Rahovecit, por ata i shoh vetëm si kandidatura. Asgjë më shumë. Asnjëri nga kandidatët nuk mund të më mposhtë.
“Epoka e re”: Cilat janë pritjet e juaja për këto zgjedhje? Besoni se do të mund ta merrni besimin e qytetarëve për të qeverisur edhe për një mandat?
Vehapi: Pritjet tona janë që Komunën e Rahovecit do ta fitojë Partia Demokratike e Kosovës.
“Epoka e re”: Ku i bazoni këto pritje për fitore?
Vehapi: Fitoren e bazojmë në punën dhe qeverisjen e mirë që e kemi bërë deri më tani. Kemi qenë një ndër komunat më transparente në nivel vendi dhe nuk kemi pasur asnjë aferë. Ky është vlerësimi që kanë bërë organizatat që e kanë monitoruar punën e Komunës së Rahovecit.
“Epoka e re”: Por qeverisja juaj po kritikohet nga kandidatët e tjerë që janë në garë për të parin e komunës. Do të mund të ndikojnë këto akuza te qytetarët?
Vehapi: Këto kritika po bëhen vetëm për fushatë zgjedhore. Dhe, si të tilla, nuk do të kenë ndikim te qytetarët. Kandidatët e tjerë kanë qenë në këtë pozitë dhe e kanë sprovuar vetën për ta udhëhequr Rahovecin dhe elektorati i ka larguar për shkak të qeverisjes së tyre. Do të thotë, qytetarëve nuk u ka pëlqyer qeverisja e tyre, prandaj jemi duke qeverisur ne.
“Epoka e re”: Nëse do t’i fitoni zgjedhjet, cilat do të jenë sfidat kryesore me të cilat do të ballafaqoheni gjatë mandatit katërvjeçar?
Vehapi: Një prej sfidave të komunës sonë është mungesa e hapësirave publike, e pronës komunale për të ndërtuar infrastrukturë sa iu përket shkollave, shtëpive të shëndetit, çerdheve, dhe të tjera. Ndërkaq problem në të ardhmen do të jetë edhe çështja e ujërave të zeza, e cila kërkon trajtim më të shpejtë sepse dihet se në çfarë niveli i kemi lumenjtë dhe degradimin që është duke u bërë në vazhdimësi.
“Epoka e re”: Në këtë drejtim, a prisni më shumë mbështetje nga niveli qendror?
Vehapi: Formula e ndarjes së buxhetit bëhet në bazë të sipërfaqes dhe numrit të banorëve të komunave. Por, ne do të kërkojmë donacione edhe nga institucionet e tjera të jashtme sa iu përket fushave të cilat janë me interes, sidomos fusha e mjedisit.
“Epoka e re”: Do të ketë më shumë investime të huaja në këtë mandat?
Vehapi: Besoj se do të kemi më shumë investime të huaja në komunën e Rahovecit sepse tashmë veç kemi arritur ta përfundojmë infrastrukturën emergjente, që kryesisht ka të bëjë me rrugë dhe kanalizim. Do t’i ndërtojmë edhe disa shkolla dhe rëndësi do t’i kushtojmë pajisjes së këtyre shkollave me kabinete dhe laboratorë. Po ashtu, do të vazhdojmë të investojmë edhe në fushën e shëndetësisë. Në këtë fushë kemi të arritura. Tani jemi në prag të hapjes së Repartit për Dializë. Rahoveci do të jetë komuna e parë që do ta ketë një repart të tillë. Gjithashtu, do ta bëjmë të pamundurën që të investojmë në të gjitha fushat të cilat janë me interes për qytetarët e Rahovecit. Në këtë rast, në bashkëpunim me institucionet qendrore, do të vazhdojmë të investojmë në bujqësi, përkatësisht në prodhimtari primare, por do të bëjmë përpjekje të ketë edhe qendra grumbulluese për prodhime bujqësore, por edhe fabrika për përpunimin e këtyre produkteve të cilat janë të një kualiteti të lartë dhe kërkohen edhe në tregjet e jashtme.

 

Më Shumë

Nait Hasani dëshmon për përjetimet në burgun e Dubravës: Më kanë torturuar dhe fyer

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të enjten në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte Gavrilo Milosavleviq, ish-deputeti Nait Hasani, në cilësinë e dëshmitarit...

Hapet marketi humanitar në Malishevë

Në Malishevë është hapur sot marketi humanitar, një nismë e realizuar nga shoqata humanitare “Bereqeti”, e cila synon të mbështesë familjet në nevojë me...

Lajmet e Fundit