11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Veliaj: Sot kemi Lidhje moderne të Prizrenit, nuk ka luftë por ka besë

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, e ka quajtur lidhje moderne mbledhjen e kryetare të komunave mbarëshqiptare për ta shënuar 144-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit.

Ndonëse e konsideron kohë tjetër, ai e konsideron shumë të rëndësishëm këtë takim në kohë paqeje.

“Në këtë shtëpi historike besoj fort që ky takim i sotëm e ka edhe ai përmasën e vet historike”, ka thënë Veliaj.

“Dua ta quaj një lidhje moderne të Prizrenit. Një lidhje të re që na bën bashkë si dikur paraardhësit tanë nga të gjitha trevat shqiptare”.

“Sigurisht  koha është tjetër. Situata është krejt tjetër nga ajo që  e 144 vjetëve më parë. Ne nuk jemi në luftë. Jemi në paqe”.

“Nuk kemi rreziqe territoriale, synimi ynë nuk është vendosja e kufijve. Përkundrazi, është shkrirja e kufijve dhe rritja e bashkëpunimit mes vete”.

“Nuk ka konflikte dhe jemi të gjithë me një  emërues të përbashkët: për nevojën e domosdoshmërinë e komunikimeve dhe dialogut mes nesh”.

Veliaj tha se ndonëse s’ka luftë, ka besë mes shqiptarëve për vijim të bashkëpunimit dhe ruajtjes së trashëgimisë.

“Ne duam dhe duhet t’i japim dhe të marrim nga njëri-tjetri. Ne duhet të bëhemi bashkë, siç thoshte Gëte – është e nevojshme të bashkohesh por jo thjesht për të qëndruar bashkë, por për të bërë diçka, p për të bërë punë të mira së bashku”.

“Në fjalimin e tij në Lidhjen e qershorit të 1878-ës, Abdyl Frashëri tha se qëllimi i kuvendit është që t’ua ‘presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.

“Pra, thashë, sot s’ka luftë fatmirësisht jemi në paqe. Ama edhe pse s’ka luftë, ka besë. Si qytete shqipfolëse kemi lidhur sakaq një besë në formën e unionit të bashkive dhe komunave shqiptare në rajon që duhet mbajtur dhe prandaj jemi sot këtu në Prizren për ta vijuar bashkëpunimin”.

“Ia dimë mirë vlerën se jemi lidhur në asht me besën dhe trashëgiminë tonë”./Klan Kosova/

Më Shumë

Lajmet e Fundit