Lëvizja Vetëvendosje! gjendjen e krijuar në Prizren e vlerëson si të pashembullt. Anëtarët e VV-së në KK të Prizrenit, janë shprehur edhe një herë se nuk mund të vazhdojë punën kryetari i dënuar Ramadan Muja.
“Pas rrethanave të krijuara në Komunën e Prizrenit, në mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga 17 këshilltarët e opozitës në Kuvendin Komunal të Prizrenit, koalicioni në krye me PDK-në ka braktisur sallën duke e pamundësuar debatin mjaft të rëndësishëm për gjendjen e krijuar pas dënimit të kryetarit të komunës”
“Menjëherë pas fjalimit të shefit të grupit parlamentar të PDK-së, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Kujtim Gashi, me arsyetimin e mungesës së kuorumit shpalli të mbyllur seancën pavarësisht se qëllimi i thirrjes së mbledhjes së sotme ishte debati mbi gjendjen e krijuar, dhe jo marrja e ndonjë vendimi”.
“Lëvizja Vetëvendosje! shpreh keqardhje për gjendjen në të cilën ky pushtet e ka katandisur Komunën e Prizrenit dhe dënon këtë papërgjegjësi të pozitës. Konsiderojmë se debatet për çështjet që kanë rëndësi për qytetarët, janë element fondamental i demokracisë dhe u pengojmë vetëm zaptuesve të pushtetit”.
“Gjendja e krijuar në Komunën e Prizrenit, është e pashembullt. Në gjithë historinë e pushtetit lokal te kësaj komune, vetëm në përjashtim të kohës se aparteidit dhe rrethanave të luftërave në të kaluarën nuk është regjistruar ndonjë rast si ky i degjenerimit dhe degradimit të pushtetit. Dhe kjo gjë i ndodhi Prizrenit pikërisht në kohën e qeverisjes së PDK-së përmes Ramadan Mujës”.
“Lëvizja Vetëvendosje! konsideron se i dënuari Ramadan Muja nuk mund ta vazhdoj detyrën e tij. Ai gëzon të drejtën e garantuar kushtetuese dhe ligjore për apelim të vendimit të gjykatës, mirëpo jo edhe të drejtën morale që të vazhdoj të jetë kryetar i këtij qyteti Ai menjëherë duhet të dorëhiqet nga funksionet publike dhe betejën e tij me drejtësinë ta vazhdoj pa i mbajtur peng mbi 170.000 mijë qytetarë të Komunës së Prizrenit”
Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren, të vetmen rrugëdalje nga kjo situatë e sheh tek dorëheqja e menjëhershme e tij dhe shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Ndëshkimi ligjor i Ramadan Mujës, merr kuptim vetëm kur pasohet me ndëshkimin elektoral të subjektit që e kandidoi./PrizrenPress.com/