5.1 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Vetëvendosje nuk e pranon vendimin e Kushtetueses

albin kurti vv vvPas publkimit të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Sipas kësaj lëvizje, “përmbajtja e plotë e Aktgjykimit të dalë nga shumica e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dëshmon që kapja e shtetit ka marrë formë legjislative të paprecedent”.

Lexojeni pjesën tjetër të reagimit të Vetëvendosjes.

Tentimi i Gjykatës që me “shumicën e votave” ta arsyetojë anshmërinë faktike ndaj një krahu partiak, paraqet vetëm një nga metodat, qëllimi i të cilave është bërë publik shumë më herët. Ky Aktgjykim nuk ka sjellë zgjidhje kushtetuese, por vetëm sa e ka kristalizuar dirigjimin politik i cili fillon nga zyra e Kryeministrit në ikje e deri në sallën e gjykimeve ku do të duhej të ndahet drejtësia.
Interpretimi në Aktgjykim, për grupin më të madh parlamentar, duke marrë për bazë Nenin 64(1), të Kushtetutës, e vërteton më së miri se cila është pikënisja e shumicës në Gjykatë, karshi mbrojtjes së legjitimitetit demokratik dhe institucioneve.
Ky nen, 64(1), së bashku me pikën 2 ka për qëllim vetëm sqarimin e strukturës së Kuvendit, pra vetëm rregullin e përgjithshëm të ndarjes së vendeve që do të shprehë rezultatin e dalë nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

I gjithë neni 64 synon të rregullojë/garantojë përfaqësimin e “komuniteteve” jo shumicë në Kuvend, e shprehur kjo në “Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, Aneksi I (Dispozitat Kushtetuese) Neni 3”. Neni 64 nuk mund të bëhej detyrues për përcaktimin e grupeve parlamentare.

Gjithashtu është shqetësues fakti që shumica e Gjykatës ka shmangur trajtimin e të gjitha pikave në kërkesën e deputetëve të PDK-së, edhe pse është taksative për ta përgjigja në secilën pikë. Kjo, sidomos kur bëhet fjalë për kompetencat e kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga legjislatura e mëparshme. Praktikisht Aktgjykimi le të kuptojë se Kryetari jep vetëm ndihmën proceduriale.

Fakt i debalancimit të autorizimeve, që i derivojnë Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës, është krijimi i një mandati detyrues nga kjo Gjykatë. Në pikën 123, të Aktgjykimit, është interpretuar detyrimi që të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë në mënyrë që të konsiderohet konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Kjo kërkesë shkakton disa kundërthënie lidhur me mandatin e deputetëve.

E kundërta e kësaj që e thotë Gjykata qëndron në Nenin 70, paragrafi 3 dhe 4 të Kushtetutës si dhe Nenit 10, paragrafit 2, të Rregullores së Kuvendit, ku parashikohen edhe veprimet e deputetit, pra dhënia e dorëheqjes dhe mundësia e dhënies së betimit në rast të mungesës në seancë konstituive. Me këtë Gjykata ka bërë një obligim material i cili ndërhyn drejtpërdrejtë në mandatin e lirë të deputetit, autorizim të cilin nuk e ka.

Në këto kushte, praktikisht gjyqtarët shumicë në Kushtetuese kanë vendosur arbitrarisht të bëjnë një kthesë në përkufizimin e Kuvendit dhe njësisë së tij thelbësore, grupit parlamentar. Po ashtu, arbitrarisht kanë nxjerrë nga funksioni kryesinë e legjislaturës së mëhershme, duke i hapur rrugë një arbitrariteti të ri për sa herë që në të ardhmen fillon nga puna legjislatura e re.
Po ashtu, zbatimi i plotë i këtij Aktgjykimi do të hapte rrugë për deformim të Kuvendit dhe si rrjedhim të përfaqësimit politik.

Ne besojmë se ky Aktgjykim ka cenuar rëndë thelbin e demokracisë e shprehur në aktivitetin e Kuvendit si institucioni më i lartë ligjvënës dhe deputetëve si trupi politik përfaqësues.

Më Shumë

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi shqyrton sfidat në aspektin e sigurisë në Prizren

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), i kryesuar nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, të mërkurën, ka mbajtur mbledhjen e radhës. Në...

Vetëvendosje akuzon drejtorin Lamaj për manipulim të çmimit të shtyllave elektrike në Prizren

Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të drejtorit të Shërbimeve Publike të kësaj komune, Çelë Lamaj, të bëra gjatë seancës së...

Lajmet e Fundit