18.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Vetmia sublime e Razi Brahimit

Sinan Kërpaçi

Razi Brahimi ka lënë pas edhe letërsinë e tij origjinale në librat “Tregime”, “Katër vajza”, “Zgjim Pranveror”, “Kthesa të forta” e “Larg familjes’

Vdiq Razi Brahimi, miku im i madh dhe miku i të gjithë dashamirësve të letërsisë, vdiq një kritik letrar mendjendritur, ai që e torri fjalën shqipe në një mendim unikal krejt të pa varur me shumë dashuri për artin.

Raziu lindi në Delvinë në vitin 1931 në një familje të ardhur nga fshati Zhulat i Gjirokastrës. Po në këtë qytet kaloi fëmijërinë dhe u ul në bankat e shkollës për herë të parë e për të mbetur nxënës kokëulur gjithë jetën e tij. Këtu Razi Brahimi ra në kontakt për herë të parë me letersinë, këtu i lexoi librat e parë, këtu ai arshivoi kujtimet e fëmijërisë për t`i marrë pastaj me vete si hamall gjithë jetën në kurriz e për të shkruar letërsinë e tij. Nga ky qytet u nis Raziu për të ndjekur shkollën ushtarake “Skënderbej” ku edhe shfaqet e bie në sy menjëherë te edukatorët e tij si nxënës unikal që i përkiste botës së letërsisë.

Ajo uniforma e “begsit” të vogël që mbulonte trupin e tij imcak nuk do ta shoqëronte gjatë në ambicjen për të arritur gradën e gjeneralit në karrierën ushtarake, por do ta mësonte të ishte këmbëngulës në jetë, do t`i kaliste durimin dhe do ta gozhdonte në bankën e studiuesit ku ai edhe i fitoi një nga një yjet e gjeneralit. Pikërisht nga shkolla ushtarake “Skënderbej” si një nxënës me rezultate shumë të larta dhe me prirje letrare tashmë të shfaqura plotësisht Raziu fiton të drejtën e studimit për në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës. Ja çfarë shkruan miku i tij Nasho Jorgaqi në librin e fundit me kujtime: “Unë e konsideroj jetën time me fat që kam pasur bashkëudhëtar, koleg dhe mik Razi Brahimin me të cilin kemi ndarë ëndrrat dhe veprimtarinë tonë krijuese dhe studimore, ku na ka lidhur një miqësi e ngushtë, e sinqertë, e frymëzuar dhe e ngritur nga ideale të përbashkëta.”.

Pasi përfundon institutin Raziu punon në Lidhjen e Shkrimtarëve, por njëkohësisht jep leksione për letërsinë në Institutin dhe Akademinë e Arteve për një kohë të gjatë. Janë me dhjetra e qindra studentët që kanë pasur fatin e madh të ndjekin leksionet e profesor Raziut. Në cv-in e tij Razi Brahimi ka rregjistruar shumë tituj, shumë krijime letrare që mbajnë emrin e tij. Dhe të gjitha këto nisin që herët, pikërisht atëherë kur letersia shqipe kishte mungesa dhe ndjente nevojën për interpretim. Në vitin 1960 del libri i tij “Fjalë për letërsinë” dhe tërheq menjëherë vëmendjen për stilin lakonik dhe sinqeritetin e madh në të shprehur. Vijnë më pas “Shënime letrare”, “Kur flasim për poezine”, “Vepra dhe profile krijuesish” etj.

Razi Brahimi ka lënë pas edhe letërsinë e tij origjinale në librat “Tregime”, “Katër vajza”, “Zgjim Pranveror”, “Kthesa të forta” e “Larg familjes”. E sot Razi Brahimi nuk është më i gjallë fizikisht midis nesh, sot ne kemi përpara një varr të sapo çelur, një varr në tokën që ai e deshi, në tokën që ai e shkeli, në tokën që ai i këndoi e tani do shkojë e t`i mbështetet. Ja si shkruan sot Përparim Kabo, një tjetër mik i madh i Raziut të madh në statusin e tij në facebook: “Oh sa keq, sa boshllëk që lë pas, sa mendim lë pas, sa keqardhje…si shuhen këta njerëz në vetminë e tyre sublime dhe sfidonjëse!”. Këto fjalë të profesor Kabos po t`i japim me vete në varr, por njëkohësisht po i mbajmë edhe ne jashtë, po i mbajmë se na duhen për të dalluar yjet në supet e gjeneralit, te gjeneralit të letrave Razi Brahimi! /Shekulli/

Më Shumë

Dëmtohet vendpikniku në Nashecë

Fshati Nashec i Prizrenit, në vitin 2021  u pasurua me një hapësirë rekreative e gjelbëruese, duke plotësuar kështu kërkesën dhe dëshirën e banorëve të...

Vizita e kryetarit të AAK, Ramush Haradinaj, në fabrikën ‘Proton Cable’: Një model i suksesit ‘Made in Kosova'”

Kryetari i AAK, Ramush Haradinaj, vizitoi sot fabrikën "Proton Cable" në Prizren, me pronarë vëllezërit Fatos, Sami e Besim Dida. Kjo fabrikë prodhon mbi...

Lajmet e Fundit