9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Veton Breznica, pilot oficeri i parë i Kosovës së pavarur

Veton BreznicaVeton Breznica, është pilot oficeri i parë i Republikës së Kosovës që nga shpallja e pavarësisë. Njëherësh edhe instruktor me aeroplanë pa motor me kadetët ajror të forcës ajrore mbretërore. Ai na tregon se si ju dha mundësia të fillonte realizimin e ëndrrës së tij jetësore për t’u bërë pilot.

“Gjithnjë ëndërroja të bëhesha pilot. E këtë ëndërr e shndërrova në synimin tim jetësor duke kryer shkollën e mesme teknike në drejtimin e parë dhe të vetëm të aviacionit civil në Kosovë që nga mbas lufta. Më pas, përmes projektit për kadetët ajror në Kosovë, Ministria e Transportit e Kosovës në bashkëpunim me Kadetët Ajror të Forcës Ajrore Mbretërore më përzgjodhën Ambasador për aviacion të Republikës së Kosovës. Ky ishte një hap i guximshëm për mua sepse nuk është se kisha përvojën apo traditën familjare e shoqërore për aviacionin. Por që, pasi u shpalla kampion botëror virtual i ‘red bull air races’ besimi im se do t’ia dilja mbanë u bë një besim i palëkundur. Njëherësh më janë ndarë bursa për t’u shkolluar për pilot me aeroplanë pa motor”.

Vetoni më 2014 diplomoi nga RAF Cranwell si Pilot Oficer dhe u kualifikua edhe si instruktor me aeroplanët pa motor në shkollën qendrore të fluturimit të kadetëve ajror në Mbretërinë e Bashkuar ku edhe është anëtar nderi i skuadriljes 643 në Syerston. Ai shpeshherë me vetë-iniciativë ka përfaqësuar aviacionin e Kosovës në Londër (10 Downing Street), Washington (Pentagon), Tulluz (fabrika e Airbus), Stamboll e Edinburg. Si rrjedhojë, sot Kosova dhe Shqipëria njihen ndërkombëtarisht në IACEA (International Air Cadet Exchange Association http://www.iacea.com/official-members-list/).

‘Aeroplani ngritët në ajër kundrejt drejtimit të erës dhe jo me të’. Aviatori 26 vjeçar, Veton Breznica na e thotë këtë shprehje duke treguar se vështirësitë për të arritur suksesin në aviacion janë të shumta, veçanërisht nëse je një i ri nga Kosova. Kjo ndër tjerash vjen sepse në Kosovë nuk ekziston aviacioni i përgjithshëm e as ndonjë mundësi tjetër trajnimi qoftë me aeroplanë pa motorë apo me një motorë.

Edhe shtetësia e udhëtimi i kufizuar janë një sfidë në vete sa i përket pilotimit…

Cilat janë ëndrrat e tij tani?

Ëndërr e tij gjithnjë ka qenë të bëhet pilot i linjave ajrore. Tani veçse ka kaluar të gjitha testet në akademinë për pilotë të linjave ajrore CTC Aviation e cila është më me renome në Mbretërinë e Bashkuar. Ky është një program me kompaninë e famshme botërore Qatar Airways. E tëra që i mbetet tani është të kryej shkollimin prej 24 muajve dhe ta financoj atë, e financimi i shkollimit është me të vërtetë i vështirë pasi që kostoja është mjaft e lartë.

Vetoni është një shembull i shkëlqyeshëm që na tregon të gjithëve se përkundër numrit të lartë të papunësisë e mungesës së mundësive për shkollim në Kosovë nëse të rinjtë punojnë me përkushtim të pashoq, duke besuar në ëndrrat e tyre, atëherë të gjitha janë të arritshme.

Ai tani do të jetë i vetmi kosovar (me shtetësi vetëm të Kosovës) që nga Prishtina ja del ‘të thyej akullin’ e të bëhet piloti Kosovar i Qatar Airways e në të ardhmen me këtë pasaportë do të pilotoj në tërë botën.

‘Përmes vështirësive do t’i arrijmë yjet. Kjo në fakt është edhe motoja e Forcës Ajrore Mbretërore dhe e përshkruan jetën time më së miri me kaq pak fjalë. Pse jo edhe të shtetit tonë Kosovës!’, tha ai.

Ai tanimë ka realizuar dy prezantime në formatin e mirënjohur ‘TEDx’ në Tiranë dhe më rishtazi në Prishtinë. Në këto prezantime ai na flet për rrugëtimin e tij e tejkalimin e sfidave, për kadetët ajror, përfaqësimin e vendit ndërkombëtarisht dhe nevojën për zhvillim të rinisë përmes aviacionit në Kosovë e në Shqipëri. /Telegrafi/

Më Shumë

Lajmet e Fundit