3.6 C
Prizren
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Violina e rrugës

Aida-Hani-2-245x320“Të pamundurën e ndan një fije e hollë mëndafshi.” Aida Hani e thotë këtë fjali teksa lëviz duart. “Nuk duhet të ftohen”, thotë ajo, ndryshe nuk mund të luajë në violinë. Ka veshur një triko ngjyrë portokalli dhe një fund me kuadrate. Teksa pi cigare, thotë se t’i bjerë violinës është gjëja që do më shumë, dhe që e bën me shumë dëshirë. Ka zgjedhur pedonalen e re të Tiranës për të vendosur aty partiturat e për të interpretuar para qindra të panjohurve që kalojnë aty çdo ditë. E vetmja gjë që shikon është partitura, notat e “Kreutzer etude of caprices”, që dalin prej fletëve për t’u shndërruar në tinguj. Këtë mëngjes ishte duke interpretuar pikërisht këtë partiturë, e cila i bënte njerëzit të ndaleshin dhe ta vështronin teksa interpretonte. Ajo nuk u ngjason “interpretuesve të rrugës” që jemi mësuar të shohim. Kjo vajzë, që ka provuar të interpretojë dhe në skena dinjitoze ndërkombëtare, luan për të panjohurit sikur të ishte duke luajtur në një skenë të mbushur me spektatorë. Këta të fundit për të janë imagjinarë. Një artist nuk mund të jetojë dot pa skenën dhe spektatorët, ndaj kur mundësitë për t’i pasur janë të pakta, një artist duhet t’i krijojë. Ndaj Aida ka zgjedhur rrugën dhe spektatorët herë të shkujdesur, herë të vëmendshëm, por që e dëgjojnë. “Ka pak kohë që kam nisur ta bëj këtë. Të marr violinën dhe të vendosem diku në rrugë për të interpretuar”, thotë Hani. Në një kohë kur mundësitë për të interpretuar në skena, gjithnjë bëhen më të rralla, Aida zgjedh rrugën për të luajtur me violinën e saj.

Aida Hani (1)

Është e talentuar. Muzika ka gjuhën e saj me të cilën komunikon, dhe violina e Aidës të përfshin teksa je duke e dëgjuar. Për herë të parë u frymëzua nga arti i rrugës gjatë kohës kur jetonte në Stamboll. “Miserables girls” dhe grupi i tyre “Into the moon”, e bëri të kishte guximin për ta bërë artin aty ku mundej. 2-3 orë paradite ajo ia kushton muzikës së rrugës, një mënyrë pak e praktikuar në Shqipëri, sidomos nga artistë të vërtetë. “Më pëlqen të luaj në rrugë. Jam unë dhe violina…”, thotë ajo. Lidhja e saj me violinën është e hershme. Ajo studioi violinë në shkollën Tefta Tashko Koço në qytetin e lindjes Korçë, për të vijuar më pas studimet në Akademinë e Arteve. Një vit të jetës së saj e kaloi në Londër, ku studioi për inxhinieri tingulli. Më pas Turqia ishte një tjetër hapësirë për të, ku ajo punoi për pak kohë në orkestrën simfonike të Ankarasë. Nuk është vetëm Kreutzer që ajo zgjedh ta luajë për njerëzit që ecin drejt punëve paradite apo ata që ndalin ta dëgjojnë deri në fund. “Kompozitorët e mi të preferuar janë Bethoven, Çajkovski, Prenk Jakova, Ferdinand Deda nga klasikët, nga bashëkohorët janë Bojken Lako, Kristi Popa, Red Hot Chili Peppers, Leonard Cohen, Secret Chiefs, Ilirian Pema, Elinor Butka”, thotë ajo.

Violina i ka zbuluar një tjetër pasion brenda saj, siç është poezia. Aida shkruan, dhe ka mundur t’i bëjë dhe këngë vargjet e saj, të interpretuara po nga ajo. Ka kënduar disa këngë. Ajo është lirike në muzikë, ashtu siç mund të jetë një artiste që vjen nga muzika klasike. “Je zgjuar apo fle/këtë natë dua ta di/je vetëm apo shpirtrat e natës janë me ty…” thotë ajo te kënga “Zgjohu”. “Dhe pse fjalët sot janë lodhur/nën lëkurën time je/ku po shkon/dhe çfarë kërkon/dhe pse fjalët sot janë lodhur nën lëkurën time je…”, thotë ajo te kënga “Duart”.

“Ne kemi krijuar një grup “Tamam tamam”, ku kompozojmë dhe interpretojmë këngë”, thotë ajo. Pjesë e grupit janë dhe Mirgen Hurba, Françeska Kraja, Arlinds Kraja, të cilët bëjnë edhe mbrëmje kushtuar muzikës në “Tirana ekspress” apo mundësi të tjera interpretimi. Pjesë e ditës së saj këto kohë është bërë dhe një vajzë me emrin Françeska, të cilës Aida i jep mësime violine. “Ajo është e pastrehë dhe bashkë me nënën e saj jetojnë pas Galerisë së Arteve. Por është e talentuar dhe besoj se do të eci në fushën e muzikës”, tregon Aida, duke dashur të kontribuojë në përmirësimin e gjendjes së tyre. Këto fjalë Aida i thotë në pushimin që zgjedh vetë, midis pjesëve, deri sa “duart nuk u ftohën”, për të vijuar rrugën në skenën e improvizuar prej saj, diku bri një peme, por këtë herë me muzikën e Çajkovskit…. “Nuk ka rëndësi ku interpreton, nëse do të luash muzikë bëje dhe në rrugë”, kjo moto që frymëzoi artin në vitet ‘70-‘80 duket se është rimarrë nga kjo artiste e re shqiptare, e cila do të mbajë gjallë atë pasion të cilit i ka kushtuar jetën, violinës. “Nuk është e lehtë, por është e bukur”, thotë ajo, e bindur se dikur tingujt që dalin prej duarve të saj, do të mbushin një sallë të mbushur me spektatorë. E deri atëherë Aida zgjedh rrugën për të mbajtur gjallë në deje marrëdhënien e saj me violinën…

Më Shumë

SHMP “Lasgush Poradeci” shënoi Ditën e Shkollës

Shkolla e Mesme Profesionale “Lasgush Poradeci” në Kijevë organizoi sot një manifestim festiv me rastin e Ditës së Shkollës, ku mori pjesë edhe Kryetari...

‘Karvani Multi Etnik për Paqe dhe Bashkëjetesë’ ndalet në Prizren, Totaj thekson rëndësinë e tolerancës

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, priti sot përfaqësuesit e “Karvanit Multi Etnik për Paqe dhe Bashkëjetesë”, një projekt i mbështetur nga Fondacioni...

Lajmet e Fundit