Sado që në deklarimet e tyre për konsum medial pozita dhe opozita angazhohen fals kundër krimit dhe korrupsionit, familjarizimit dhe nepotizmit në institucione, deri më tani asnjëherë nuk kanë arritur që të ndërtojnë një platformë të përbashkët veprimi, ta harmonizojnë një deklaratë konsensuale apo ta miratojnë në Kuvend një rezolutë në funksion të interesit shtetëror, për t’u shkëputur politika detyrimisht nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, nga nepotizmi, militantizmi, mitomania dhe për t’u hapur rrugën njerëzve meritorë në institucionet e shtetit.
Deri më tani praktika ka treguar se secila parti që vjen në pushtet e përdor atë për të punësuar njerëzit e politikës, me qindra e mijëra, kështu ndodhi me PDK-në, LDK-në, që erdhi sërish në pushtet në martesën e re politike PDK-LDK, e kështu ndodhi edhe me ‘Vetëvendosjen’, e cila punësoi militantet e vet në Prishtinë, të vetmen komunë që qeveris. Sipas analistëve politikë, kjo formë e ruajtjes së lidhjes politike me klientelat dhe nepotizmin në jetën institucionale tregon se të gjitha partitë në pushtet dhe në opozitë janë të infektuara dhe bashkëjetojnë me korrupsionin dhe krimin e organizuar, në të gjitha pushtetet dhe në të gjitha nivelet.
“Ky fakt tregon vetëdijen tonë të ulët kombëtare, nivelin e ulët të vlerave tona morale. Është pasojë e mungesës së besimit në zemrat tona. Feja është në sipërfaqe e jo në brendi të shpirtit tonë. Si t’i besojnë njerëzit njëri- tjetrit apo partitë politike njëra-tjetrës, nëse nuk i besojnë Zotit, që është personifikim i të gjitha të mirave hyjnore e njerëzore. Mungesa e besimit në Perëndi rezulton mungesën e besimit reciprok te njerëzit në një shoqëri, e kjo pamundëson çfarëdo konsensusi e natyrisht edhe atë kombëtar”, theksoi profesor universitar Nexhmedin Spahiu
Badallaj: Partitë që vetë kritikojnë, adaptojnë të njëjtat standarde të punësimeve
Politikologu Arsim Haziri, duke analizuar këtë gjendje, thotë se Kosova thuajse përfaqëson rast “sui generis”, pasi si politika, ashtu edhe një pjesë e shoqërisë, të vetmen rrugë drejt mbijetesës e shohin politikën.
“Shoqëria konsideron se i vetmi mjet, nga i cili mund të nxjerrin mbijetesë financiare është mbështetja e një subjekti politik. Në këtë frymë shkon edhe orientimi politik, ata pavarësisht mjeteve që përdorin, shtypjen që realizojnë, e vetmja ambicie e tyre është mbetja me çdo kusht në politikë”, shprehet Haziri. Sipas analistit Albrim Badallaj, ky virus i lidhjes së politikës me krimin dhe korrupsionin e ka gjenezën e kontinuitetit që nga konsolidimi i ri politik në periudhën e re të pasluftës për të vazhduar edhe sot e tutje, për çka një pjesë të përgjegjësisë e ka edhe qytetari.
“Gjatë gjithë kësaj periudhe të pasluftës, ka munguar vullneti politik te klasa udhëheqëse politike, por edhe tek qytetarët, që të shpëtojmë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Shpeshherë me apo pa dëshirë edhe vetë populli është bërë pjesë e hallkës së korrupsionit, duke filluar nga institucionet lokale e deri tek ato qeveritare. Për këtë flasin edhe shumë raporte dhe hulumtime edhe të organizatave të huaja, të cilat e paraqesin Kosovën në fillim të ranglistës së Evropës për korrupsion”, është shprehur ai. “Ne jemi dëshmitarë se si edhe partitë, që vetë kritikojnë dhe akuzojnë, kanë adaptuar standarde të tilla të punësimeve apo edhe i kanë tejkaluar pritshmërinë se do të veprojnë asisoj. Mbi të gjitha është vetëdija e ulët ajo që po prodhon kësi lloj situatash, por edhe gjendja e renduar ekonomike e sociale”, theksoi Albrim Badallaj për “Kosova Sot”.