10.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Vllasi: Keqpërdorimet dhe krimi po e irritojnë popullin

Azem-VllasiTë zgjedhurit e popullit të Kosovës para shtatë vjetësh patën shpallur pavarësinë e vendit, duke e realizuar kështu një ëndërr të madhe të kosovarëve dhe duke rritur shpresat e tyre për krijimin e një shteti, i cili do të garantonte për ta jetë të dinjitetshme.

Mirëpo tani pas shtatë vjetësh, shpresat e një pjese të madhe të kosovarëve duket se janë shuar, pasi besohet se në kohët e fundit mbi 230 mijë shtetas të Kosovës e kanë braktisur vendin, duke emigruar kështu në drejtim të vendeve evropiane, si pasojë e mungesës së zhvillimit ekonomik dhe mungesës së perspektivës për një jetë të dinjitetshme në atdhe.

Azem Vllasi, ish-politikan dhe njohës i mirë i zhvillimeve politike mendon se përkundër të gjitha vështirësive dhe pakënaqësive, Kosova ka shënuar të arritura.

Vllasi në një prononcimi për “Zërin” ka thënë se Kosova për shtatë vjet është rrumbullakosur infrastruktura institucionale që një vend e bën shtet.

“Kemi strukturën e pushtetit në gjitha nivelet: administratën, sistemin e sigurisë, sistemin gjyqësor, kemi kufijtë shtetërorë faktikisht të pranuar edhe nga Serbia. Kemi afirmim goxha të avancuar ndërkombëtar me faktin se Kosova është e njohur nga më shumë se 100 shtete”.

“Faktorët relevantë ndërkombëtarë sillen me kujdes ndaj shtetit të Kosovës dhe nuk jemi të vetmuar. Por, shtetit, gjegjësisht infrastrukturës shtetërore që kemi, duhet dhënë vitalitet dhe fuqi të brendshme. Fuqizimi i brendshëm i shtetit, hapja e perspektivave zhvillimore, forcimi i besimit ndaj shtetit, janë detyra me prioritet në të ardhmen”, ka thënë Vllasi.

Ndërkaq, Vllasi ka thënë se “ne shqiptarët e Kosovës shtetin tonë e kemi pritur sikur një familje që pret rikthimin në shtëpinë nga e cila dikush e ka përzënë me dhunë, shtëpinë ia ka uzurpuar dhe për shumë vite ka qenë e katandisur nëpër rrugë, pa strehë, si qiraxhi, me konak e pa konak te dikush, duke bërë secilin lloj lufte për rikthimin e shtëpisë. Më në fund, familja është kthyer në shtëpinë e vet dhe gëzimi është i madh. Fillimisht duket si ëndërr e mirë. Por, me kalimin e kohës disa familjarë (ata në pushtet dhe në krah të shtetit janë pasuruar) veten e akomodojnë mirë, rehatohen mirë, ndërsa shumicën e familjarëve (shumica e popullit) e shtyjnë nëpër qoshe e ndër shkallë, pa disponim me hapësirë të duhur në shtëpi për një jetë komode, nuk e ndjenë rehatinë dhe kënaqësinë e pritur dhe fillojnë të zhgënjehen”.

“Kështu tani si shoqëri jemi të ndarë në dysh: ata në pushtet dhe të pasuruar jo me punë, por në sajë të pushtetit dhe shumicën e popullit të pakënaqur. Shtetin gjithsesi e duan edhe këta të pakënaqurit sepse shteti si shtëpi nuk ka alternativë. Ama, duan drejtësi dhe kënaqësi të përbashkët në shtëpi. Fakt është se shtetndërtimi është proces i rëndë, do kohë, durim dhe sakrifica. Do shumë punë, përkushtim dhe dijeni. Shteti nuk mund t’ju sigurojë të gjithëve kënaqësitë e pritura”, ka thënë Vllasi.

Por, Vllasi thotë se problemi në shtetin tonë është se ata të cilët populli i voton ua beson ndërtimin e shtetit, interesat e veta personale i vendosin prapa atyre të shtetit dhe të popullit. “Populli, kur sheh se në shtet ka drejtësi, më lehtë e duron edhe skamjen e varfërinë, nuk i humb shpresat dhe ka durim. Por, padrejtësitë, që vijnë nga pushteti, ua gërditin edhe shtetin”.

“Burim i pakënaqësive te populli janë padrejtësitë, keqpërdorimet, krimi dhe neglizhenca e njerëzve të pajisur me pushtet e jo aq vështirësitë objektive që e përcjellin shtetndërtimin”, ka thënë Vllasi. /Zëri/

Më Shumë

Kryeziu: Serbia vazhdon me regjimin e Millosheviqit, pavarësisht që kanë ndryshuar njerëzit

Ish-gjyqtari i Kushtetueses, Kadri Kryeziu, thotë se Serbia me veprimet e ngjashme si ato të sotme që ndaloi kosovarët në pikat kufitare, po tregohet...

Enea Koliqi, ‘Ylli i javës’ në Superligë

Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i javës”. Ky çmim për javën e 29-të...

Lajmet e Fundit