Azem Vllasi thotë se Serbia nuk e sakrifikon BE`në për Kosovën. Sipas tij zyrtarët serbë po bëjnë propagandë që Brukseli mos t`i kushtëzojë me njohjen e Kosovës. Ai thotë se shteti fqinj duhet të kushtëzohet me definimin e kufijve shtetërorë.
Deklaratat e Ministrit të Jashtëm serb, Ivan Mrkic se Serbia do ta refuzonte BE`në për Kosovën, janë tërësisht propagandistike në mënyrë që Brukseli mos të kërkojë nga Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, atëherë kur të vijë koha që Brukseli ta paraqesë këtë kusht.
Në një intervistë për lajmi.net, analisti kosovar, Azem Vllasi, thotë se nuk beson që Serbia do ta refuzonte hyrjen në Bashkimin Europian për Kosovën.
“Kjo thjesht është një propagandë zyrtare e Serbisë, e paramenduar me një efekt paraprak. Ata mendojnë t`ua bëjmë me dije mos të na ngushtojnë me një kërkesë të tillë, por në Europë kur të vjen ajo fazë, kur të vlerësohet normalizimi i raporteve në mes Serbisë dhe Kosovës në atë fazë është çështje e faktorëve relevantë a do ta kërkojnë nga Serbia njohjen e Kosovës apo jo”.
“Serbia kurrsesi nuk do ta refuzojë anëtarësimin në Bashkimin Europian nëse kushtëzohet me pranimin e Kosovës”.
“Meqenëse ajo kohë kur Serbia i plotëson kushtet për tu pranuar në Bashkimin Europian është akoma larg, tani zyrtarët e Serbisë mund të bëjnë propaganda të tilla akoma”.
Ministri i jashtëm serb, Ivan Mrkic,i ka thënë dje medieve serbe se nuk do ta pranonin kushtin që ta njohin pavarësinë e Kosovës edhe nëse kjo do t`i kushtonte shtetit të tij me anëtarësim në Bashkimin Europian.
Megjithatë, për Azem Vllasin nuk është me rëndësi njohja formale nga Serbia. Ai thotë se kushtëzimi i BE`së për Serbinë duhet të jetë definimi i qartë i kufijve shtetërorë.
“Deri në atë kohë nuk bën të spekulohet, sepse ajo kohë është larg. Por duhet ta shikojmë se çka do të ndodh me këto pesë shtete anëtare të BE`së që nuk e kanë njohur Kosovën”.
“Por gjithsesi do të shtrohet para Serbisë një çështje tjetër që si shtet t`i ketë kufijtë e definuar. Në BE mund të futen shtetet të cilat i kanë kufijtë shtetërorë të definuar dhe e dinë ku janë dhe të cilat nuk kanë pretendime territoriale ndaj shteteve tjera”.
“Serbisë atëherë do t`i kërkohet që ta pranojë faktin se kufijtë e saj janë ata kufij që janë tash, pa Kosovën dhe ndaj Kosovës në mënyrë as tërthoras as direkte, nuk mund të ketë pretendime territoriale”.
“Kjo është ajo kryesorja, që do të jetë si kusht i Serbisë dhe kryesorja që është me rëndësi për Kosovën. Akti i pranimit formal çka do të ndodh dhe si do të ndodh ajo edhe në atë kohë nuk do të jetë e rëndësishme”.
Beogradi zyrtar ka zbuluar para disa ditësh se ka hapur negociatat me Shkupin, Podogricën, Lubjanën dhe Sarajevën për themelimin e ambasadave të përbashkëta në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine pa e përfshirë këtu Kosovën.
Por, gjitha këto pretendime të shtetit serb sipas Vllasit janë të parëndësishme. Ai thotë se nuk është e sigurt se a do ta pranojnë një kërkesë të tillë shtetet tjera të rajonit.
“Ato janë pretendime të Serbisë që akoma të ketë njëfarë roli prijës në regjion, të ketë iniciativa, t’u japë oferta shteteve tjera, por se kanë deklaruar kështu nga Ministria e Jashtme e Serbisë, absolutisht nuk është e thënë që këto shtete do të pranojnë”.
“Ndërsa çështja e racionalizimit, përfaqësive diplomatike nëpër botë, racionalizimi ku dy shtete, tri apo më shumë merren vesh për një përfaqësim ajo çështje sot në botën bashkëkohore është e rëndomtë dhe ajo për Kosovën nuk ka kurrfarë rëndësie’.
“As që mund të presim ne që me një ide të tillë Serbia do ta përfshinte edhe Kosovën, por kjo po ashtu nuk është e sigurt që këto shtete që janë përmend do ta pranojnë një ofertë të tillë”, ka thënë Vllasi.