Zbardhja e vrasjeve të luftës dhe të pasluftës, ky dyshohet se mund të jenë përfshirë edhe protagonistë të kohës, nga analistët politikë shihet si një situatë e cila duhet të menaxhohet me shumë kujdes, me maturi dhe gjakftohtësi, për të mos krijuar përplasje të reja si pasojë e zbardhjes eventuale të atyre krimeve. Sipas tyre, skena politike në vend, nëse zbardhen figura të rëndësishme si urdhërdhënës të vrasjeve, mund të pësojë një tronditje të thellë. Naser Rugova, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke u bazuar në faktin që inicimi i hapjes së çështjes së zbardhjes së krimeve politike të pasluftës vjen nga politika, respektivisht nga presidenti, ish- kryetar i deridjeshëm i PDK-së Hashim Thaçi, thotë se ka rrezik që të jetë paramenduar paraprakisht për ndonjë skenar, i cili mund edhe ta trazojë skenën politike. Sipas tij, institucionet e ligjit, Prokuroria dhe gjykatat duhet t’i trajtojnë me shumë profesionalizëm të gjitha rastet që do të mund të hapen. “Thaçi edhe si president i vendit, si njeri që dekreton gjyqtarët dhe prokurorët, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ka edhe përgjegjësi institucionale, kushtetuese dhe politike, që këto raste të zbardhen”, tha Naser Rugova për “Kosova Sot”.
Vrasjet në të dy kampet
Rugova nuk e ka fshehur faktin që nga vrasjet politike, më të goditur kanë qenë figura të caktuara nga radhët e LDK-së, por që ka pasur edhe figura të ndryshme edhe nga UÇK-ja, për të cilat vrasje duhet të dalë e vërteta në shesh. “Mos të harrojmë se gjatë vitit 1998- 2002 janë vrarë shumë intelektualë, komandantë dhe luftëtarë të shquar dhe veprimtarë, por që më së shumti është dëmtuar LDK-ja e presidentit historik Ibrahim Rugova, sepse janë vrarë edhe kryetarë komunash, kryetarë të Degëve të LDK-së dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të presidentit Rugova, dhe tani që nga viti 1999 deri tash kur jemi në vitin 2016, as drejtësia ndërkombëtare dhe as ajo vendore nuk kanë bërë asnjë veprim konkret në zbardhjen e këtyre krimeve makabre, që kanë shkaktuar thyerje të mëdha në shoqërinë kosovare dhe në skenën politike, që e denigruan rëndë edhe procesin e shtetndërtimit të Kosovës”, tha Rugova për “Kosova Sot”. Ndërsa deputeti Zafir Berisha, nga Nisma për Kosovën, shpreh dyshimin e tij se vetë inicimi i çështjes mund të jetë një kurdisje e paramenduar poli-tike me qëllim të shantazhimit dhe diskreditimit të kundërshtarëve të caktuar politikë, ish-rivalëve të deridjeshëm të presidentit aktual, i cili nuk e ka bërë një kërkesë të tillë për dy mandate rresht në krye të Qeverisë, por e bën tani këtë nga pozita e presidentit, për qëllime të shfajësimit personal dhe eliminimit politik të kundërshtarëve të tij. “Fillimisht, kjo nismë është joserioze dhe jokorrekte, që vjen nga një njeri i papërgjegjshëm, i cili me formën se si i është drejtuar edhe prokurorit është një presion publik që bëhet nga politika në drejtim të organeve të drejtësisë”, theksoi ai.
Misioni i mbrapshtë i Thaçit
Sipas Berishës, presidenti ka mundur që të merret me këtë çështje gjatë dy mandateve sa ishte kryeministër vendi, por ka mundur të përdorë edhe forma të tjera jopublike për ta vënë në lëvizje dhe në funksion veprimi të pavarur Prokurorinë e Shtetit. “Forma e tillë është veprim për ta larë vetveten nga mëkatet personale para opinionit dhe ndryshe nuk mund t’i marr serioze. Të gjitha ato raste duhet të gjykohen, por jo nga presionet dhe direktivat politike”, tha Zafir Berisha. Sipas tij, tani shihet qëllimi dhe plani i skenarit që ky presion mbi drejtësinë të përdoret vetëm për qëllim të eliminimeve politike, por jo për zbardhjen e vërtetë të vrasjeve politike. “Hashim Thaçi është një ndër injorantët më të mëdhenj që njeh historia më e re e Kosovës dhe ai nëpërmes të këtyre presioneve mbi Prokurorinë e Shtetit unë dyshoj shumë, madje mund të them se jam i bindur 100% që ai do ta përdorë përmes këtij procesi edhe ndikimin e vet për eliminimin politik të njerëzve të caktuar, nëpërmes shantazheve dhe montimeve të dosjeve të ndryshme dhe ngritjes së aktakuzave, sepse ai deri tash është treguar shumë herë se është një njeri i shantazheve dhe i hartimit të raporteve të qëllimshme kundër rivalëve të tij politikë”, tha Berisha për “Kosova Sot”.
Tronditja, e pashmangshme
Sidoqoftë, analisti Blerim Burjani thotë se është e sigurt që nga zbardhja e këtyre vrasjeve, gjithsesi që do të tronditen subjektet politike, por jo edhe qytetarët e lodhur e të zhgënjyer për gjithë këtë të kaluar me një qeverisje kriminale. “Kosova mund të përjetojë probleme të mëdha në rrafshin social dhe ekonomik,opinioni publik është dëshpëruar me shumë gjëra, andaj opinioni i qytetarëve është si ta gjejnë veten në punësim, por jo edhe çka mund të ndodhë me një kategori njerëzish, prandaj ka shumë çështje më komplekse të ndërtimit të shtetit sesa të merret me fatin e disa individëve që mund të jenë me të kaluar kriminale”, tha Burjani. Për prof. Riza Smakën, skena politike aktuale, pashmangshëm,do te tronditej nëse funksionarë publikë të caktuar do të procedoheshin juridikisht për dyshime të kryerjeve të akteve kriminale. “Varësisht se kush dhe kur nga funksionarët publikë do të procedoheshin juridikisht, në radhë të parë penalisht për dyshime të kryerjeve të akteve kriminale të caktuara, për aq, edhe skena e strukturat politike aktuale do të trazoheshin. Rrjedhimisht do të duhej të pasonin sanksionet juridike individuale tok me masat për përgjegjësinë politike e etike. Përgjegjësia objektive do të duhej të aplikohej kundër individëve në poste qeverisëse. Në kuadrin e institucioneve përkatëse do të rezultonte se individi apo individë të caktuar janë të përgjegjshëm. Pos përgjegjësisë penale e morale, përgjegjësia politike do të rezultonte pashmangshëm edhe në procesin e zgjedhjeve lokale e të përgjithshme”, tha prof. Smaka…