Xhamia e Namazgjahut në Prizren është njëra ndër katër xhamitë e këtij lloji në Ballkan dhe objekti i parë monumental i kulturës Islame në qytetin e Prizrenit. Është një nga pasuritë e rralla të trashëgimisë. Mirëpo, parku i kësaj xhamie është i mbushur me mbeturina. Parku i Xhamisë së Namazgjahut është i shkatërruar, mbeturinat kanë kapluar hapësirën, ulëset, shportat dhe trafot e ndriçimit janë të dëmtuara në masë të madhe dhe nuk duken si pjesë e trashëgimisë, por si një shkretëtirë, tregon plaku Esat Berisha, i cili çdo ditë del aty dhe mundohet të heqë mbeturinat, por tashmë ato janë të shumta.
Namazxhahu i ka shërbyer qëllimit të vet
Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Jusuf Xhibo, pohon se mirëmbajtja e parkut të kësaj xhamie i takon Komunës së Prizrenit dhe se për rregullimin e parkut disa herë është zotuar Drejtoria e Turizmit, por asnjëherë nuk ka vepruar. Komuna mundohet t’i ikën përgjegjësisë, mirëpo gazeta “Kosova Sot” për të mësuar më shumë ka marrë prononcimin e sektarit të KBI në Prizren, Orhan Bislimaj, i cili për gazetë pohoi: “Siç dihet, Xhamia e Namazxhahut (Musal-la) apo në popull e njohur si Kërëk xhamia (xhamia e thyer), e cila gjendet pranë Qendrës për Mjekësi familjare, apo përballë Stacionit të autobusëve, është objekti i parë islam në Prizren dhe rrethinë nga periudha osmane, i ndërtuar në vitin 1455. Për shekuj me radhë, që nga ndërtimi, Namazxhahu i ka shërbyer qëllimit të vet si vend i faljes së namazit, ndërsa me rënien e Kosovës nën pushtimin serb (1912), kjo xhami unikate u shkatërrua në tërësi, përveç një pjesë e vogël origjinale, që pati mbetur si dëshmi për kulturocidin ndaj saj. Fatmirësisht, pas luftës (1999), Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit ka ndërmarrë iniciativën për rikonstruimin dhe konservimin e Namazxhahut. Kështu, falë donacionit nga Republika e Turqisë, më datë 12.10.2001, filluan punimet e rekonstruimit, ndërsa më datë 05.04.2003 ka ndodhur ceremonia e përurimit. Namazi i xhumasë, për herën e parë pas rekonstruimit, është falur më 25.06.2002. Mirëpo, fatkeqësisht, ky objekti rrallë i trashëgimisë kulturo-historike ka ngelur pa kujdesin e duhur. Aty, sot grumbullohen mbeturinat nga më të ndryshmet”, është shprehur ai për gazetën.
I jep imazh të keq Prizrenit
Bislimaj thekson se xhamia e Namazxhahut ka një rëndësi specifike historike, sidomos për Prizrenin. “Ajo identifikon hyrjen e forcave të Perandorisë Osmane në Prizren, pra çlirimin e Prizrenit dhe largimin e okupatorit të egër serbosllav në vitin 1455, që e kishte robëruar e skllavëruar në mënyrën më barbare popullin shqiptar. Thjesht, është një simbol i kohës, ashtu siç janë simbolet e tanishme për ardhjen e forcave të NATO-s, në vitin 1999. Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit vazhdon të kërkojë që pronësia e kësaj xhamie t’i kthehet, pasi që ajo është nacionalizuar, bashkë me shumë prona të tjera. Edhe për faktin se do të kujdesej që ajo xhami mos të mbetet e shkretë, por t’i shërbejë qëllimit burimor”, thekson për “Kosova Sot” Orhan Bislimaj, sekretar i KBI. Por të indinjuar ndihen edhe shumë turistë kur ata vijnë e vizitojnë këtë pamje kaq të shëmtuar në Prizren. Alegra Bruno, nga Tirana, pohon se në Prizren vijnë për një qytet me tiparet më të bukura shqiptare dhe të trashëgimisë, mirëpo kjo pamje si dhe tek Ura e Gurit, fëmijë të shtrirë në gurë po na prishin pak imazhin.”Prizreni është kaq i bukur, mos e dëmtoni imazhin me këto gjëra të imta, ruajeni këtë margaritar të kombit tonë”, porositi ajo.
(Kosova Sot)