13.1 C
Prizren
E diel, 11 Maj, 2025

Zgjedhje të reja?

Shkruan: Angelika Viets

Kolumne ekskluzive e ambasadores gjermane për “Kosova Sot”

Organizimi i zgjedhjeve të reja merr kohë dhe para

Qeveria e radhës, pas zgjedhjeve të reja, do të ishte pashmangshëm identike, ose pjesërisht identike me të vjetrën

Ky vit në Kosovë, për fat të keq, po përfundon ashtu siç ka filluar: jostabil. Kjo situatë, për ne që mbi 15 vjet kemi investuar aq shumë në Kosovë, me përkrahje financiare dhe personale, me ekspertizë, me angazhim shoqëror, nuk mund të jetë dhe nuk është e parëndësishme.

Arsyet, në të cilat tani po thirren, siç kam thënë shumë herë, i konsideroj të cekëta. Ato mund të tejkalohen, nëse në të gjitha anët ka vullnet politik.

Ky vullnet, siç duket, po mungon dhe sugjeron që edhe në të ardhmen çdo vendim i qeverisë, çdo marrëveshje, të mund të jetë një arsye për ta paralizuar Kuvendin dhe për thirrje të anulimit, të zgjedhjeve të reja apo ndoshta për revolucion.

Shprehje e papjekurisë politike

Për shkak se popullsia e Kosovës fatmirësisht mbetet kryesisht e papërfshirë, meqenëse ka brenga dhe halle të tjera, dhe konfliktet politike të nivelit të lartë janë për keqardhje, më duket se ajo çfarë jemi duke vëzhguar që nga zgjedhjet e fundit është në radhë të parë shprehje e papjekurisë politike, e një mungese të mëtejme të kulturës politike dhe të tëhuajsuara nga realiteti.

Nëse mbahen tani zgjedhjet e reja, ashtu siç kërkon opozita në një prej tri opsioneve të tyre, ato do të ishin zgjedhjet e treta të parakohshme që nga shpallja e pavarësisë. Zgjedhjet e planifikuara për shkurt 2011 u mbajtën para kohe, pasi që LDK-ja doli nga koalicioni qeverisës me PDK-në dhe përmes një mocion besimi jokonstruktiv u shpërbë Qeveria ‘Thaçi’. Zgjedhjet filluan më 12.12.2010 dhe përfunduan pas përsëritjeve të ndryshme, më 16.1.2011. Fitues doli PDK-ja me Hashim Thaçin, me 32,11 %. Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me 8.6.2014 ishte bërë e nevojshme, sepse me 7 maj Parlamenti, për shkak të një shkeljeje procedurale nga 57 deputetë, mbajti një seancë të jashtëzakonshme me propozimin e shpërbërjes së Kuvendit për të vendosur për një pikë të vetme të rendit të ditës. 90 deputetë votuan për dhe katër kundër këtij propozimi; tre abstenuan. Fituese doli PDK-ja me Hashim Thaçin, me 30,38 %.Rezultati i zgjedhjeve në pranverë 2016, sipas të gjitha sondazheve, do të ishte i ngjashëm.

Një parim bazë i demokracisë është ndërrimi i Qeverisë përmes zgjedhjeve. Pas mbarimit të një periudhe legjislative, duhet që prapë të dilet në votim. Periudha legjislative mund të ketë gjatësi të ndryshme. Në shumicën e vendeve është katër, nganjëherë edhe pesë vjet.

Qeverisë gjatë kësaj kohe i nevojitet përkrahja e shumicës së deputetëve të Kuvendit. Mirëpo, nëse shfaqet situata që Qeveria të mos gjejë mbështetje në shumicë, atëherë ajo duhet të dorëhiqet. Atëherë ose konsolidohet një qeveri e re, ose (varësisht prej rrethanave) organizohen zgjedhje të reja.

Rezultati i zgjedhjeve të reja do të ishte përafërsisht i njëjtë

Një opsion i dytë është që Qeveria të japë dorëheqje, megjithëse gëzon shumicën parlamentare. Kjo ndodh kur Qeveria konsideron,që me zgjedhje të reja do të mund të arrinte rezultate më të mira sesa gjatë zgjedhjeve të fundit dhe pastaj p.sh. të qeverisë më lehtë, me më shumë vende në Kuvend.

Të dy rastet, mungesa e shumicës parlamentare apo rezultatet më të mira të zgjedhjeve nuk gjejnë zbatim për momentin në Kosovë. Koalicioni qeveritar e di që e ka mbështetjen e një shumice prej 89 deputetëve dhe, sipas sondazheve të ndryshme, del që rezultati i zgjedhjeve të reja do të ishte përafërsisht i njëjtë.

Nga themelimi i Republikës Federale Gjermane, para 66 vjetësh, ka ardhur tre herë të zgjedhjet e reja përmes një mocioni besimi. Ish-kancelari federal, Willy Brandt, në vitin 1972, ish-kancelari federal Helmut Kohl në vitin 1982 dhe në vitin 2005, ish-kancelari federal Gerhard Schröder kishin paraqitur mocionin e besimit. Tretë dëshironin të ketë zgjedhje të reja. Për këtë arsye, ata u kujdesën që të dështojnë në mocionin e tyre në Parlament. Presidenti federal shpërndau pastaj Parlamentin dhe u mbajtën zgjedhjet e reja.

Çfarë do të sillnin tani zgjedhjet e reja për Kosovën?

Më poshtë disa vlerësime nga pikëpamja ime personale:

– Zgjedhjet e reja kushtojnë në kohë dhe para. Kosova nuk e ka as njërën as tjetrën.

– Një humbje kohe, në rastin më të mirë prej 2-3 muajsh, për zgjedhjet e reja (vitin e kaluar Kosova humbi gjysmë viti) vonon punët e nevojshme për të përmbushur edhe 8 kriteret e fundit për liberalizimin e vizave, të cilat Kosova akoma nuk i ka përmbushur përfundimisht.

– Reformat ekonomike dhe me këtë edhe integrimi i mëtejmë evropian do të shtyheshin: Me MSA-në dhe vullnetin për një anëtarësim eventual të mëvonshëm në BE, Kosova ka obliguar veten për reforma strukturore gjithëpërfshirëse.

– Qeveria e radhës pas zgjedhjeve të reja do të ishte pashmangshëm identike ose pjesërisht identike me të vjetrën: Pra, pa ndryshim. Qytetarët e dinë këtë.

– Derisa nuk ecet përpara me ekonominë dhe nuk do të forcohet sektori privat, sjellja zgjedhore e votuesve (që kryesisht janë votues të punësuar në sektorin publik) nuk do të ndryshojë.

– Përmes zgjedhjeve të reja në 2014, investimet e huaja direkte janë përgjysmuar edhe një herë, në vetëm 151 milionë euro. Investitorët preferojnë stabilitetin politik.

– Finalizimi i tribunalit të posaçëm do të shtyhet – mbase kjo edhe dëshirohet?

– Imazhi i Kosovës do të pësonte edhe më tej.

Pavarësisht disa reformave të suksesshme, të cilat zvogëlojnë pengesat administrative për investime, Kosova edhe më tej përballet me papunësi të lartë, infrastrukturë të vjetërsuar, korrupsion të rrënjosur thellë dhe një sektor publik jo efiçentë. Këto mangësi minojnë thelbësisht parakushtet për kompanitë dhe trembin investitorët. Pa investitorë Kosova nuk është në gjendje të gjenerojë rritje të mjaftueshme ekonomike, në mënyrë që t’u ofrojë punësim 20.000 të rinjve, që çdo vit hyjnë në tregun e punës. Një nga nxitësit më me rëndësi të ndryshimit strukturor janë reformat e nevojshme, të cilat duhet të miratohen nga një Parlament funksional në interes të gjithë qytetarëve-votuesve. Detyrë parësore e të gjithë deputetëve – si të pozitës ashtu dhe të opozitës – është të kontribuojnë në këtë ndryshim. Këtë ata mund ta bëjnë në kuadër të instrumenteve parlamentare, ndërsa partitë e koalicionit duhet nga ana e tyre të përmbushin detyrat e tyre të këshillimit dhe informimit./ kosova sot/

Më Shumë

Abdixhiku refuzon përfundimisht Kurtin – propozon “Qeveri tranzicionale”

Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar për herë të tretë dhe përfundimisht ofertën e kryeministrit Albin Kurti për bashkëpunim politik. Në dritën e krizës së...

Prokuroria e Prizrenit ngrit aktakuzë ndaj shtatë personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Prokuroria Themelore e Prizrenit, gjegjësisht Departamenti i Krimeve të renda ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave. B.K., A.R., V.K., Z.T., A.E., H.B dhe A.T, dyshohetn...

Lajmet e Fundit