9.8 C
Prizren
E mërkurë, 7 Dhjetor, 2022

Zhgënjimi me njeriun dhe ëndrrat për atdheun ideal

Lidhur me librin “Përtej valës”, të autorit Prend Ndoja, botues SAS, Prishtinë, 2020

Shkruan: M.Sc. Enver Sulaj

Vëllimi i dytë me poezi, “Përtej valës”, i autorit Prend Ndoja shpalos zhgënjimin e njeriut modern, ëndrrat e të cilit kapërcejnë realen, sepse pas pritjeve të mëdha, edhe zhgënjimi është i tillë. Bota krijuese e P. Ndojës në këtë vëllim përplaset mes pritjes e zhgënjimit, dëshirave e përbuzjes, që janë pjesë e realitetit me të cilin përballet njeriu, për të cilin ai ndjen edhe dhembje e keqardhje, por edhe një lloj revolte, e ndërtuar artistikisht. Jo çdoherë ëndrrat poetike janë në harmoni me realitetin. E, kur ndodh kështu, dhembja krijuese shkon përtej emocionit fillestar, arrin deri te mallkimi mbi bartësit e këtyre zhvillimeve, që të verbuar nga materializmi e egocentrizmi i sjellin fatkeqësi një kolektiviteti të tërë.

Poezitë e këtij vëllimi janë strukturuar në tre cikle: “Mos ik nga vetja”, “Kohë mërgimi të rëndë” dhe “Përtej valës”.

Libri hapet me poezinë “Përtej valës”. Pikëshikimi poetik i botës niset nga nata, që ka shtrirë tisin e saj mbi gjithçka, e vetëm yjet lart janë fija e dritës, e shpresës dhe e së nesërmes së lumtur:
Natë
Toka ?sht? kredhur n? err?sir?
Vet?m qielli
Dhe yjet larg
Ndriçojnë mbi kët? bot? të mir?.

Në këto vargje, poeti shpalos ëndrrat dhe kredon krijuese, frymëzimin dhe dashurinë, shpresën dhe dëshirën për të nesërmen, pa harruar vitet që kanë ikur, të cilat i risjell si kujtime të paharrueshme, që i japin kurajo e forcë për të ecur tutje. Poeti jeton në dy kohë: në të kaluarën, së cilës i rikthehet përmes kujtimesh dhe në të tashmen, që, sa e lumturon, po aq e shqetëson, sepse ai beson në një botë të përkryer, me njerëz që udhëhiqen nga parime të drejta e humane. Vargjet, po ashtu përshkohen nga një frymë nostalgjie për atdheun e braktisur një ditë të vështirë, i cili, nuk i shkëputet asnjëherë nga shpirti, qoftë si dashuri, dhembje apo mall. Distanca gjeografike mes Oqeanit dhe valës, është metaforë shprese për zjarrin, dritën dhe rilindjen:

Edhe në heshtje këndohet
N’qetësi të thellë fitilat e shpirtit digjen
Në një ishull,
Në qetësinë e natës…
Atje, përtej Oqeanit
Larg, përtej valës.

Poezia e Ndojës ofron mundësi të larmishme leximi e interpretimi, pa shmangur meditimin mbi krijimin dhe lutjen hyjnore, si falënderim për krijimin, ekzistencën dhe shpresën, duke kaluar në tri shkallë krijimi: falënderim, adhurim, shpresë. Krejt bota poetike përcaktohet pastaj mes përpjekjeve dhe realitetit jetësor, që kalon prej një kontinenti në kontinent, duke kërkuar qetësinë shpirtërore e krijuese, pa prajtur asnjëherë, e gjithmonë duke kërkuar idealen. E, kur nuk e gjen këtë, atëherë i hapet rruga zhgënjimit, që shigjeton fajtorët dhe forcat frenuese të zhvillimeve pozitive. Poeti ka ëndërruar gjatë që një ditë ta shohë vendlindjen të lirë e të përparuar. Nga perspektiva e një mërgimtari të ndjeshëm, ai e ashpërson vargun deri në shkallën e satirës dhe damkosjes, të gjithkujt që e cenon shenjtërinë e tokës arbnore.

Duke jetuar në dy kohë – në realen dhe imagjinaren, poeti dëshpërohet thellë dhe përmes mjeteve artistike, përpiqet që fjalës së tij t’i japë edhe mision iluminues, në funksion të së bukurës e të njerëzishmes brenda shoqërisë dhe njeriut.

Poezitë e ciklit “Kohë mërgimi të rëndë” paraqesin riciklimin e mallit, dhembjes dhe dashurisë për tokën e njeriun. S’ka qetësi për poetin, sepse pritjet e tij kalojnë në dimensionin tjetër – përparimin, zhvillimin dhe hapërimin, ashtu si popujt tjerë të qytetëruar. Atdheut, ai i kthehet edhe si retrospektivë e kohës së rëndë të luftës, që i shkakton dhembje për vuajtjen, humbjet, shkatërrimet. Liria nuk i mjafton, ai do më shumë: përparimin, shmangien e veseve të trashëguara dhe qartësimin e situatave jetësore për individin dhe kombin.

Poezia e Ndojës ka në vete një frymë mobilizimi, këndelljeje dhe veprimi, për të parandaluar bëmat e dëmshme që s’mund të ndreqen, e me kalimin e kohës do të vijnë si mallkim për mosveprimin tonë të nevojshëm e për prapësitë e (pa)qëllimshme.
Në kapitullin e tretë, “Përtej valës”, poeti rrëfehet për të kaluarën e tij, botën intime, rininë, ëndrrat dhe projeksionet jetësore. Rinia ka ikur shpejt, por kujtimet e së shkuarës e përkundin lehtas, për t’u këndellur në të tashmen, që i sjell momente gëzimi e kënaqësie. Hetohet te ky kapitull prirja për të depërtuar edhe në botën e poezisë për fëmijë, aty ky përvoja jetësore sikur gjen prehje e kënaqësi, gëzim e shpresë dhe një lloj përmbushjeje shpirtërore në zbrazëtirën që ka lënë koha e ikur.

Poezitë e librit „Përtej valës“ rrjedhin lirshëm, duke e plotësuar njëra – tjetrën, për të krijuar një plotni idesh e mesazhesh drejtuar lexuesit të të gjitha kohërave. Libri fillon si lutje e përfundon si shpresë. Lutja shkon përtej koncepteve e kornizave religjioze, sespe autori dëshiron që qenia e tij të shkrihet në madhështinë e natyrës, në jetën që duhet ta gëzojnë të gjithë në mënyrë të barabartë, e, ku edhe ai e ndjen përgjegjësinë për botën që e rrethon:

Më ndihmo, o Zot, të mos bie pre e grackave të djallit
Më ndihmo, o Zot, që të sjell lumturi për njerëzit
Me frytin e punës së duarve të mia
T’i gëzoj edhe të tjerët.

Në mes lutjes si përvujtni e adhurim, dhe shpresës, që e mban gjallë njeriun, autori shpalos universin e ndijimeve të fuqishme poetike – figurative, të cilat i përshkon ideja e ngadhënjimit mbi të keqen, mbi gjithçka që e rrezikon dhe e bën të vështirë ekzistencën tonë. Autori e vë dorën mbi plagën, për ta shëruar e për të shmangur vuajtjet. Në poezinë “Njeriut të gabuar” ai identifikon burimet e së keqes, të cilat duhet të shmangen, në të kundërtën njeriu do t’i bartë pasojat e veprimeve të tij të pamenduara e të rrezikshme:

Urrejtja të shndërrohet në dashuri
Të zhduken armët e tërë botës
Të lulëzojë kudo një pamje e re
Nëse nuk i zhdukim ne ato
Një ditë ato do të na zhdukin ne.

E krijuar larg atdheut, për një kohë të gjatë, në një ambient anglishtfolës, poezia e Prend Ndojës mëton të ruajë të pashkëputur lidhjen emocionale me atdheun dhe krijimtarinë poetike, nga e cila frymëzohet, merr shpresë e forcë, për të mbijetuar në një tokë, ku si njeriu, ashtu edhe gjuha e tij luftojnë me asimilimin. Në këtë linjë, Prend Ndoja vë një gur të çmuar në kështjellën e artit poetik dhe përpjekjeve për mbijetesën tonë kombëtare në tokë të huaj, përballë furisë së heshtur asimiluese, e cila përpin gjithçka para vetes, ndërkohë arti poetik mbetet adhurim, himn e dhembje e përjetshme.

Më Shumë

Hapet aplikimi për shtesa për fëmijët e lindur më 2009

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar të premten se është hapur aplikimi edhe për fëmijët e lindur nga 1 janari i vitit...

“Pse duhet të fokusohemi në energjinë e gjelbër” – Zyra e BE-së në bashkëbisedim me studentët e Universitetit të Prizrenit

Zyra e BE-së në Kosovë ka mbajtur një bashkëbisedim me studentët e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit nga Universiteti i Prizrenit, me...

Lajmet e Fundit