11.5 C
Prizren
E hënë, 21 Prill, 2025

Zhgënjimi i miqve në elitën e korruptuar kosovare

A po i merr sinjalet e qarta të izolimit ndërkombëtar kjo klasë politike që po keqqeveris vendin, derisa edhe miqtë më të përkushtuar ndërkombëtarë po ndahen të zhgënjyer nga të bërat e tyre. Ishte së fundi edhe ish-shefi i Misionit të OSBE-së, William Walker, që tha se në Kosovë ka politikanë që nuk kanë hyrë në politikë për të bërë politikë në të mirë të vendit dhe qytetarëve, ndërkohë që vuri në pah edhe faktin se Kosova duhet ta ndërrojë e zëvendësojë klasën politike aktuale kudo në pushtet, pasi që ata kanë qëndruar shumë gjatë në pushtet dhe kanë dëshmuar se nuk punojnë për të mirën e vendit e qytetarëve.

Analisti politik, Fadil Lepaja, thotë se izolimi i kësaj klase politika ka filluar kaherë të paralajmërohet pasi që ka devijuar nga obligimet që ka ndaj shtetit. “Po, ka kohë që kjo klasë politike është korruptuar aq shumë sa më nuk vepron sipas interesave të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, por e kanë instrumentalizuar shtetin dhe grupet e qytetarëve, në funksion të interesave të tyre duke e mbajtur kështu vendin në gjendje krize permanente, të izoluar dhe me ekonomi të rrënuar”, thotë Lepaja për “Kosova Sot”.

Spahiu: Të merret si shembull Obama e jo Kim II Young-un

Sipas analistit dhe profesorit universitar, Nexhmedin Spahiut, sinjalet për izolim të kësaj klase politike vijnë edhe më herët, nga deklaratat e James Rubinit. “Kjo ka filluar që me deklaratën e James Rubin para 4 vitesh dhe i fundit është William Walker. Vetëm miqtë e Kosovës e thonë hapur. Të tjerët e mendojnë po nuk e thonë. Çka është tepër, tepër është. Shikoni emrat e politikanëve në Evropë. Askund në Evrope nuk ke ta zëmë politikanë që 40 vjet në funksione ballore të vendit si Isa Mustafa, kryetar i rinisë, kryetar i kryeqytetit, ministër (10 vjet), prapë kryetar i kryeqytetit 6 vjet, kryeministër. Po edhe këta që janë që 20 vjet në pushtet tepër është. Shikoni Barack Obama-n. Karriera e tij politike ka filluar më 2005 e po përfundon më 2017.

Le të merret shembull Obama e jo Kim II Young-un apo pasardhësit e tij”, theksoi Spahiu për “Kosova Sot”. Analisti Blerim Burjani vlerëson se kjo qeverisje duhet të kujdeset sinqerisht për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale. “Mungesa e një edukimi normal dhe cilësor bën që Kosova të jetë në krize permanente dhe ka një pasiguri për të ardhmen e vendit. Klasa akademike në vend tani duhet të mobilizohet dhe të bëjë një alternativë të re politike, pra një gjeneratë më e re politike i nevojitet vendit për ta zëvendë- suar këtë klasë politike që deri më tash u pa se nuk është as e gatshme as e interesuar për të zbatuar vullnetin e qytetarëve, por vetëm vullnetin partiak, familjar dhe klanor”, theksoi Blerim Burjani.

Më Shumë

Lajmet e Fundit