7.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Zymi, “Roma e vogël” hasjane

Në fshatin Zym tash e sa kohë nuk po përfundon renovimi i shtëpisë së Katarina Josipit, artistes së parë dhe të madhe të Kosovës.

Drejtori i QRTK-së, Samir Hoxha, u shpreh për “Kosova Sot” se lidhur me këto zvarritje i ka dërguar ankesat në ministri dhe prokurori dhe ato janë kompetente që të flasin për këto gjëra.

Dihet fakti se në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës të Kosovës, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligj për fshatin Zym të Hasit. Qëllimi këtij ligji është mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë fetare kulturore e historike e fshatit Zymi i Hasit dhe promovimi i saj si fshat me vlera kulturore dhe fetare te rëndësisë lokale, shtetërore dhe ndërkombëtare, si dhe me qëllim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të harmonizuar të tij, shkruan gazeta Kosova Sot.

Me këtë ligj përcaktohet e drejta e fshatit Zymi të Hasit në ushtrimin e autoritetit të tij të kufizuar, me qëllim të mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore e fetare dhe të planifikimit rural në përputhje me legjislacionin në fuqi. Po deshe të jesh më afër Pashtrikut dhe më afër historisë kombëtare, duke filluar që nga mbledhësi i Kanunit të Lekë Dukagjinit e të tjerë, atëherë duhet vizituar Zymin.

Zymi, dikur është quajtur “Roma e vogël”, pasi ashtu si kryeqyteti italian është i vendosur në shtatë kodra, në secilën nga një lagje. Por, kjo “Roma e vogël” hasjane nuk ishte si kryeqyteti italian, ku kishin kryer studimet për teologji e filozofi apo ishin shuguruar ipeshkvij edhe shqiptarë të këtyre anëve, përkundrazi ishte një vend i thatë, pa ujë të mjaftueshëm, me rrugë të ngushta, me tokë gëlqerore, siç e përshkruajnë autorët vendës, çka sipas tyre i kishin dhënë Zymit një pamje të zymtë, nën hijen e “Olimpit” të Pashtrikut.

Simboli i traditës shqiptare

Tani kjo zymtësi po duket edhe për faktin e mosrenovimit të kësaj shtëpie. Pas një tenderi të dështuar në fund të vitit 2012, në qershorin e vitit 2013 Ministria e Kulturës kishte hapur një tjetër tender për restaurimin e shtëpisë së Katarina Josipit në Zym të Hasit, e tek në gusht një konsorcium kishte marrë përsipër punimet, por siç duket edhe ky po dështon. Përkundër faktit se projekti për restaurimin e konservimin e shtëpisë së doajenës së teatrit ka qëndruar në sirtarin e Ministrisë së Kulturës që nga viti 2012, institucioni më i lartë i kulturës në vend ka dështuar që ta finalizojë këtë projekt tashmë ka ankesa edhe nga banorët e atjeshëm.

Profesoresha Arbënore Kolgjeraj, etnologe, për “Kosova Sot” thotë se moskryerja e renovimit të shtëpisë së Katarina Josipit e dëmton tej mase Zymin, ngase me këtë formë po i vonohen pastaj realizimet e tjera që i ka në projekt ky fshat.

“Zymi duhet të ishte një prioritet, ngase ka një trashëgimi të veçantë”.

Sipas saj, ajo shtëpi paraqet simbolin e traditës kulturore dhe përfaqëson identitetin e Zymit

Mesha edhe sot e ka ruajtur traditën

Profesori në pension, Shtjefën Dulaj, tregon se në këtë lagje ka tradita shumëshekullore.

“Këtu bëhet edhe mesha e Ditës së verës në kishën e Shën Gjergjit ku besohet se kjo kishë ka shërbyer si një lloj senatoriumi për shumë shërime popullore për mbarë Hasin, e jo vetën të këtij fshati. Sepse lutja në këtë kishë supozohet se ishte për të rejat që të gjejnë fatin më të mirë. Për të sëmurit shërim dhe mbi të gjitha ajo kishë shërbente si një vend për pëlleshmeri”, shprehet ai.

Kjo meshë edhe sot ka ruajtur traditën.

“Flitej dhe thuhej se kjo është ndër pikat e para që secila lutje është bërë në gjuhën shqipe. Prandaj, kjo jep për të kuptuar edhe për rëndësinë e madhe që ka pasur ardhja e Shtjefën Gjeçovit në Zym, pastaj mbledhja e Kanunit të Lekë Dukagjinit. Kjo tregon se nga ky vend i lashtë ilir ka pasur edhe në kohën e paganizmit një traditë të lashtë zymjane e hasjane”, është shprehur ai.

Dulajn e pengon fakti se tenderi për shtëpinë e Katarina Josipit ende nuk është kryer.

Ndërsa etnologia Arbënore Kolgjeraj pohon se në Zym duhet të mendohet edhe një festival të traditave të lashta si Dita e Shën Gjergjit. Ajo tregon se kjo festë identifikohet edhe me Ditën e luleve, e ngrohjes së motit e çeljes së pemëve, e daljes së të dashuruarve nëpër rrugë, e fillimit të ndërrimit të gjakut, e urimeve për një stinë të re të begatë të punëve në bujqësi, e dasmave të të afërmeve. /Kosova Sot/

Më Shumë

Gangsteri incizohet duke bërë drift në mes të rrugës në Prizren – qytetari e lajmëron në polici

Një i ri ka shqetësuar këtë pasdite qytetarët e Prizrenit në komunikacion. I mitura që besohet të jetë i moshës 15-16 vjeçare ka dal me...

Dy arsye pse Allegri mund të shpëtojë punën e tij te Juventusi

Massimiliano Allegri thuhet se mund të shpëtojë punën e tij te Juventus-i për dy arsye, edhe nëse bardhezinjtë duket se kanë marrë tashmë një...

Gabimi i Noes

Moti sot me shi

Lajmet e Fundit