18.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Zyrtarët komunalë në Prizren fajësojnë ata të informimit për transparencën

Prizren-shtepia bardhePërfaqësuesit e mediave dhe të shoqërisë civile nuk janë aktorët e vetëm që kanë konstatuar mangësitë në transparencën e komunës së Prizrenit. Së fundmi një gjë të tillë e kanë bërë edhe vetë zyrtarët e lartë të ekzekutivit lokal.

Në mbledhjen e katërt të kryetarit të Komunës, Ramadan Muja, me drejtorët e qeverisë lokale janë shprehur kritika në adresë të Zyrës së informimit për moskomunikimin me publikun në lidhje me punën, angazhimet e të arriturat e Komunës.

Teksa është diskutuar propozimi i Drejtorisë së Shëndetësisë për realizimin e projektit “Vizitat shëndetësore sistematike” në shkollat e Komunës së Prizrenit ka reaguar drejtori i Urbanizmit, Nijazi Kryeziu, i cili ka theksuar se DSH-ja në njërën anë e veçanërisht ZI-ja nuk kanë qenë në lartësi të detyrës për t’i shpërndarë informatat me publikun për rëndësinë e këtij projekti.

“Madje në njërin grup punues në nivel qendror është përmendur si shembull komuna e Prizrenit për vizitat shëndetësore sistematike, ndërkohë që në Prizren nuk ka pasur sa duhet marrëdhënie me publikun për këtë projekt, i cili u sjell dobi nxënësve dhe prindërve të tyre”, ka thënë Kryeziu.

Ai ka kërkuar nga ZI-ja dhe DSH-ja që në të ardhmen t’i kushtojnë kujdes informimit të publikut për këtë projekt dhe iniciativat tjera.

Për dallim prej Kryeziut, nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Lulzim Kabashi, po ashtu ka pasur vërejtje për punën e ZI-së rreth informimit të duhur sa i përket mirëmbajtjes së memorialëve dhe lapidarëve të luftës së UÇK-së. Kabashi ka vlerësuar se ZI-ja duhet të rrisë perfomancën në këtë drejtim, në mënyrë që të ngushtojë hapësirën për keqinterpretime apo spekulime, në të cilën mënyrë sipas tij publiku do të informohej më drejtë për çështjen e mirëmbajtjes së memorialëve, por edhe çështjet tjera me interes për publikun.

Mirëpo kritikat e dy zyrtarëve të lartë komunalë nuk janë miratuar nga shefi i Zyrës së informimit në Komunën e Prizrenit, Ymer Berisha. Ky i fundit ka theksuar se ZI-ja jo vetëm që i kryen detyrat, porse i tejkalon përgjegjësitë e veta edhe me performancë, edhe me nivel të komunikimit.

“Drejtori i Urbanizimit dhe nënkryetari i Komunës e kanë shprehur një vullnet të dëshirueshëm, por jo praktikisht të realizuar”, ka thënë Berisha.

Ai ka bërë të ditur se Zyra që drejton është e gatshme që secilin projekt, që drejtori e nënkryetari e propozojnë për ta realizuar për dikasteret që ata i mbulojnë ta bëjë në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Por absolutisht nuk jemi të interesuar që ZI-ja ta marrë rolin që të mendojë edhe çka mendojnë Zyra e nënkryetarit apo e DUPH-së”, është shprehur ai.

Zëdhënësi i komunës ka pohuar se ZI-ja është e gatshme që t’i thërrasë mediat sa herë që nënkryetari dhe drejtori kanë dëshirë që t’i promovojnë produktet e veta apo aktivitetet e komunës.

“Megjithëkëtë këto kërkesa të drejtorit të Urbanizmit dhe nënkryetarit flasin për demokracinë e brendshme që ekziston në komunën e Prizrenit. Por ato flasin edhe për nivelin profesional që kemi për arsye se plotësisht kanë të drejtë mos me qenë në lartësinë e kërkesave profesionale nënkryetari dhe drejtori i Urbanizimit sa i përket botës së informimit, për arsye se ZI-ja dëshiron që edhe vendimmarjen tonë që është në dobi të qytetarëve ta komentojnë qytetarët sipas dëshirës së tyre dhe jo informacionet të dalin vetëm në vetën e parë nga ana e komunës”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka shprehur bindjen se dy zyrtarët e lartë do të socializohen në marrëdhëniet me publikun dhe do të jenë më profesionistë në kërkesat e tyre.

Deri më tani përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave shpesh herë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre me nivelin e transparencës dhe llogaridhënies në Komunën e Prizrenit. Për të nxitur veprimet konkrete në këtë drejtim, vitin e kaluar ata patën themeluar edhe forumin “Transparenca”.

Ky trup joformal në disa raste ka kërkuar publikisht që mediave dhe shoqërisë civile t’u ofrohet qasje në monitorimin e vendimmarrjes, shpenzimeve buxhetore, prokurimit publik, konsultimet publike, etj./Koha Ditore/

Më Shumë

Quni: Nëse vërtetohen largimet e hetuesve, duhet të ketë hetim nga Prokuroria

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka thënë se nëse vërtetohen largimet e hetuesve, atëherë duhet të ketë hetim nga Prokuroria. Sipas tij, nëse këto...

Sonte, finalja e Eurovisionit

Sonte do te mbahet nata finale e Eurovision Song Contest 2024. Këtë vit, Shqipëria u përfaqësua me këngën ‘Titan’ nga Besa Kokëdhima e cila nuk...

Lajmet e Fundit