13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Histori frymëzuese

Lita Cabellut është një nga artistet më të suksesshme të Spanjës, por e panjohur në atdheun e saj. Gruaja që i shet pikturat e saj për shuma gjashtëshifrore, kishte kaluar jetën në rrugë.

“Fëmijëria ime ishte ashtu si e mijëra fëmijëve të rrugës kudo në botë”, – thotë Lita Cabellut. Ajo dikur endej rrugëve të Barcelonës me fëmijë të tjerë të pastrehë dhe flinte në qiell të hapur.

“Kujdeseshim për njëri-tjetrin – bënim çfarë të donim. Merrnim qindarka nga shatërvanët, lypnim në dyqane dhe vidhnim portofolat e turistëve. Shkonim në restorante dhe thoshim se e kishim babain në tualet dhe kur na shërbenin ushqimin, e merrnim dhe vraponim”.

Cabellut lindi në fshatin Aragon, në verilindje të Spanjës në vitin 1961. Kur ishte fëmijë, ajo dhe e ëma u zhvendosën në Barcelonë. Nëna e saj drejtonte një bordello në qytet dhe Cabellut u rrit me gjyshen, por në realitet ajo e kalonte pjesën më të madhe të kohës në rrugë.

“Shoqërohesha me prostitutat. Ato më jepnin para për të blerë cigare, sanduiçë, kondomë apo bizhuteri dhe unë e mbaja kusurin”.

Duke parë pas në histori, ajo thotë se “arti, sigurisht ishte i pranishëm sepse arti qe gjithnjë aty”, por ajo nuk e mendonte atë në kuptimin formal, sepse ishte shumë e zënë se si të mbijetonte.

“Një fëmijë kurrë nuk e sheh artin si diçka të ndarë. Shisja yje imagjinare në rrugë. A nuk është kjo një performancë e vërtetë arti? Por për mua, ishte një mënyrë për të mbijetuar”.

Ajo nuk shkoi në shkollë dhe kurrë nuk e mendoi se një ditë do të bëhej një nga artistet më të suksesshme të Spanjës.

“Dëshirat e mia ishin të bëhesha një kërcimtare, të fluturoja, të vrapoja, të isha më e fortë se të gjithë fëmijët e tjerë përreth meje. Dëshirat e një fëmije janë gjithnjë të njëjta – të varfër apo të pasur, ne duam të jemi superheronj”, thotë ajo.

Sipas raportit të vitit 2015 nga Artprice, i vetmi spanjoll gjallë që shet më shumë piktura se Cabellut është artisti Miquel Barcelo. Tani portretet e saj mund të shiten për një çmim prej 100,000 dollarësh ose më tepër dhe aktorë si Hugh Jackman dhe Halle Berry, po ashtu edhe shefi i njohur, Gordon Ramsay, kanë raportuar se zotërojnë një.

Çfarë e ndryshoi kaq dramatikisht jetën e Cabellut?

Gjyshja e Cabellut vdiq kur ajo ishte rreth 10 vjeçe dhe përfundoi në një jetimore në Barcelonë përpara se të adoptohej nga “një familje e bukur katalane” në moshën 12-vjeçare. Ajo nuk zbulon shumë për ta përveç faktit që e prezantuan me artin. Ata e çuan në muzeun Prado të Madridit dhe e mahnitën atë me pikturat e Goya-s të vitit 1820 dhe 1823. “Në pikturën ‘Pelegrinazh’ për në San Isidro që pashë njoha shprehjet e syve të njerëzve që hasja në rrugë kur isha e vogël”, tha ajo.

“Këto piktura përshkruajnë çmendurinë, shpresën, momentet e tmerrshme që njerëzit hasin kur e humbin sigurinë e tyre. Për mua, kur pashë këtë pikturë për herë të parë u ndjeva se isha një dëshmitare”.

Ajo u impresionua aq shumë saqë u përpoq t’i bënte një kopje një vepre tjetër të Goya-s dhe rezultati, pavarësisht se jo spektakolar, bëri që familja ta inkurajonte adoleshenten të vazhdonte pikturën dhe madje i pagoi mësime private.

Dhe për herë të parë në jetën e saj, ajo u inkurajua të shkonte në shkollë. “Ishte shumë e vështirë për mua në shkollë, pasi kisha mbetur shumë mbrapa. Është e vështirë të fillosh të mësosh të shkruash dhe lexosh në moshën 13-vjeçare dhe e vështirë psikologjikisht të jesh më e madhja në një klasë”.

Ajo ngadalë bëri progres në shkollë, filloi të dëgjonte “zërin e artit” dhe vendosi të studiojë art në Akademinë Gerrit Rietveld në Amsterdam. Ajo u frymëzua më së tepërmi nga Goya, Donatello dhe Bach. Pasi u diplomua, qëndroi në Holandë dhe tani ka një studio në Hagë, por suksesi nuk erdhi lehtë.

“Bëja gjëra si piktura për të paguar faturën e dritave apo pikturova një shtëpi për të pasur kredit 3-mujor në një supermarket. Kur je në një periudhë të zhvillimit si artist, duhet ta mbrosh atë që po bën”.

Në një moment nisi të krijonte një marrëdhënie me një galeri me reputacion të mirë. Ajo ia nisi nga e para dhe nuk shiti asgjë për dy vite, duke bërë sipas mënyrës së saj.

“Pikturova një seri shokuese të prostitucionit të fëmijëve dhe menaxheri i galerisë më tha: ‘Lita, nuk mund ta bësh këtë. Njerëzit nuk e duan. Pikturo më shumë engjëj, engjëjt shiten mirë’. Unë i thashë jo dhe e humba mundësinë e ekspozimit”.

Sipas piktores, një artist duhet të ndjekë trajektoren e vet. Sot mund të jenë engjëjt ata që shiten, nesër djajtë. Nëse nuk ndjek zhvillimin tënd artistik, kjo mund të rezultojë shumë e rrezikshme sepse ta bën artin në mjet ekonomik”.

Kështu, Cabellut është e mirënjohur për portretet e saj, që përfshijnë njerëz të famshëm si Coco Chanel dhe Charlie Chaplin, por gjithashtu subjekte anonime që disa mund t’i konsiderojnë si të shëmtuar.

“Nuk shoh njerëz të shëmtuar, – thotë Cabellut. – Pikturoj njerëz të ndryshëm. Njerëz që duhet t’ua gjesh bukurinë nën lëkurë. Kam një dobësi për njerëzit që i përkasin shtresës së varfër shoqërore dhe një pjesë e imja do të qëndrojë gjithnjë me ta. Ajo që më tërheq është portreti njerëzor”.

Ajo i kalon pikturat e saj përmes një procesi të gjatë kimik për t’u dhënë atyre një ashpërsi dhe përdor teknika që variojnë nga shekulli i 17 deri te arti i rrugës.

Disa nga portretet e saj më të mëdha janë deri dy metra të larta. Pas një aksidenti në Paris e pati të vështirë të pikturonte për njëfarë kohe. Megjithatë ajo e kaloi vështirësinë dhe ka hapur ekspozita në Londër, Dubai dhe Seul, por ende nuk e ka fituar njohjen e jashtëzakonshme në Spanjë.

“Sigurisht, rrënjët e mia janë spanjolle dhe do të jem gjithnjë spanjolle. Është bukur që njerëzit e atdheut tënd të të njohin”. Sa për nënën e saj biologjike, Cabellut thotë se e ka falur për braktisjen. Ajo kujton që e ka vizituar një herë kur ishte studente, por e kishte të pamundur t’ia thoshte si ndihej.

Dhe kur flet për punën e saj, ajo i referohet fëmijërisë në rrugët e Barcelonës. “Ende më duket sikur po shes yje, – thotë ajo. – Njerëzit nuk blejnë vetëm bojë, kanavacë dhe kimikate – është magjia dhe emocioni që përbëjnë shpirtin e artit”.

Më Shumë

Sonte Derbi i Madoninës: Fitorja shpall kampion Interin

Dy rivalët e përjetshëm të kampionatit Italian, Milani dhe Interi përballen me njëra-tjetrën në Derbin e Madoninës, mbrëmjen e kësaj të hëne, nga ku...

Ndërron jetë ish-futbollisti i Lirisë së Prizrenit, Xhemajli Gashi

Ka ndërruar jetë Xhemajli Gashi, ish-futbollist i njohur i Lirisë së Prizrenit. Ai ka lënë gjurmë të thella në komunitetin sportiv të qytetit. Xhemajli Gashi ka...

Lajmet e Fundit