13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Artan Abrashi: DKA të sqarohet për punësimin e vajzës së prokurores Ervehe Gashi

Artan AbrashiKuvendari i Lëvizjes Vetëvendosje! Artan Abrashi ka kërkuar nga Drejtoria e Arsimit në Prizren që të sqarohet për punësimin e vajzës së prokurores Ervehe Gashi, e cila deri në janar të këtij viti e akuzonte për keqpërdorim të detyrës zyrtare, drejtorin Nexhat Çoçaj.

“Kjo prokurore e ka pas rastin e Nexhatit. Unë dua të dijë se a po shfrytëzohet Drejtoria e Arsimit si mekanizëm mbrojtës për kapjen e Prokurorisë”, ka thënë Abrashi.
.
Drejtoria e Arsimit në Prizren, e ka punësuar vajzën e prokurores, Ervehe Gashi, e cila deri në janar të këtij viti e akuzonte për keqpërdorim të detyrës zyrtare, drejtorin Nexhat Çoçaj.

Vajza e prokurores Gashi është punësuar vitin e kaluar në shkollën, Qendra e Kompetencës, derisa ajo e kishte të ngritur aktakuzën kundër drejtorit të DKA-së.

Drejtori i Qendrës së Kompetencës në Prizren, Aliismet Çoçaj thotë se vajza e prokurores Ervehe Gashi është pranuar në punë me konkurs të rregullt të Drejtorisë së Arsimit.

“Po është e vërtet që vajza e Ervehes punon në këtë qendër”, konfirmon Çoçaj për “PrizrenPress”.

“Ajo është pranuar me konkurs të rregullt”, tregon ai.

Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prizren, Ervehe Gashi, ndërkaq nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje.

“Thuaj gazetarit nuk kam të drejtë të flas për media pa autorizim të kryeprokurorit”, ka qenë porosia që prokurorja Ervehe Gashi ka lënë në recepsion për ‘PrizrenPress’

Drejtori i Arsimit, Nexhat Çoçaj, bashkë me Nezir Osmanin dhe Gëzim Gërgin, ishin akuzuar nga prokurorja Ervehe Gashi, se nga data 28 shtator 2009, e deri më 3 nëntor 2009 në Prizren, në cilësinë e personave zyrtar, i shfrytëzojnë detyrat zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkelin me dijeni ligjin e prokurimit dhe kushtet e parapara me kontratën e lidhur mes komunës së Prizrenit dhe NTSH “Rikon” për furnizimin e shkollave të Komunës së Prizrenit me aparate fotokopjuese.

Ndërkaq, në janar të këtij viti, prokurorja e krimeve të rënda nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, Ervehe Gashi, u tërhoq nga aktakuza e ngritur ndaj Nexhat Çoçajt, Nezir Osmanit, Gëzim Gërgit dhe Sami Makollit.

Prokurorja Gashi pat përmendur se për këtë çështje penale janë bërë tri ekspertiza financiare.

E para sipas prokurores ka vërtetuar se Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe Shkencës, koordinator i së cilës ishte Nexhat Çoçaj i është shkaktuar dëm prej 3 mijë e 600 eurosh, shumë të cilën e ka përfituar operatori “Ricoh”.

Ekspertiza e dytë erdhi në përfundim se operatori “Ricoh” e ka shitur mallin nën vlerën e blerë dhe se nuk ka pësuar dëm drejtoria.

Duke qenë para dy ekspertizave me të gjetura të ndryshme, prokurorja Gashi ka thënë se është bërë supereksertiza nga tre ekspertë e cila e ka vërtetuar ekspertizën e dytë se në këtë rast nuk i është shkaktuar dëm Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe Shkencës.

Si rezultat provave dhe dëshmive të paraqitura gjatë shqyrtimeve gjyqësore, Prokurorja e Shtetit në mungesë të provave, pat thënë se ka marrë vendim për t’u tërhequr nga kjo aktakuzë.

“Andaj konsideroj se në veprimet e këtyre tre të akuzuarve nuk qëndrojnë elementet esenciale të veprës penale nga neni 339 paragrafi 2 lidhur me par.1 de nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës dhe për këtë arsye në këtë drejtim heqë dorë nga ndjekja e mëtejme penale,” pat thënë prokurorja Gashi.

Prokurorja ishte tërheq nga aktakuza edhe për të akuzuarin e katërt Sami Makollin, i cili është pronari i firmës “Ricoh”./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Lajmet e Fundit