16.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

HRW, Kuvendit: Themelojeni Gjykatën Speciale

Kuvendi Kosoves14-08Kuvendi i posa konstituuar i Kosovës duhet të bëjë ndryshimet e nevojshme legjislative dhe kushtetuese për funksionalizimin e Gjykatës Speciale për krimet e kryera pas luftës, ka kërkuar organizata “Human Rights Watch” në një shkrim të postuar në faqen e saj zyrtare.

Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 2 qershor të këtij viti, por rezultati i ngushtë pamundësoi krijimin e Qeverisë dhe konstituimin e Kuvendit deri më 9 dhjetor, përcjell koha.net.

Legjislatura e mëhershme e Kosovës aprovoi në prill themelimin e Gjykatës Speciale për gjykimin e krimeve serioze të kryera pas luftës së vitit 1998-99 në Kosovë.

Deputetët ia lanë legjislaturës së re aprovimin e statutit të gjykatës dhe aprovimin e ndryshimeve statutare dhe kushtetuese, me qëllim që të mund të ngrihen aktakuza dhe të nisin gjykime.

“Operacionalizimi i Gjykatës Speciale duhet të jetë prioritet kyç për Kuvendin e ri të Kosovës”, ka thënë Lotte Leicht, drejtor për Bashkimin Evropian në “Human Rights Watch”. “Vetëm një gjykatë speciale e pavarur dhe e besueshme me mbrojtje efikase të dëshmitarëve mund të adresojë dyshimet serioze të krimeve të tmerrshme të pasluftës”.

Gjykata Speciale do të merret me rastet kundër individëve bazuar në raportin e vitit 2010 të Këshillit të Evropës të hartuar prej senatorit zviceran, Dick Marty.

Raporti akuzoi kryengritjen etnike shqiptare, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për rrëmbime, rrahje, ekzekutime masive dhe në disa raste, heqje të dhunshme të organeve, në territorin shqiptar gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Bashkimi Evropian më 2011 themeloi një trup autonom hetues jashtë vendit të quajtur Task Forca Speciale Investiguese, për hetimin e krimeve të dyshuara që janë ngritur në raportin e Martyt, përcjell koha.net.

Kryeprokurori i parë i kësaj Task Force, Clint Williamson, bëri të ditur më 29 korrik se kishte dëshmi të mjaftueshme për ngritje të aktakuzave kundër disa ish-zyrtarëve të lartë të UÇK-së, për të cilët tha se ishin përgjegjës për fushatën e organizuar të rrëmbimeve, burgosjeve ilegale, vrasjeve të paligjshme dhe dhunës seksuale. AI ka thënë se shumica e viktimave ishin anëtarë të grupeve minoritare – serbë, romë dhe të tjerë, por edhe shqiptarë të Kosovës, të konsideruar bashkëpunëtorë të serbëve apo kundërshtarë politikë të lidershipit të UÇK-së.

Kryeprokurori ka thënë se hetimet e tij ishin shumë konsistente me raportin e senatorit Marty, përfshirë dyshimet për një numër “të konsiderueshëm” të rasteve të trafikimit, por ka thënë se nuk kishte siguruar dëshmi të mjaftueshme për të ngritur padi për krime.

Padi për krime të tjera, përfshirë krime kundër njerëzimit, mund të ngrihen pas themelimit të Gjykatës Speciale, ka thënë ai.

Gjykata Speciale do të operojë brenda sistemit kosovar të drejtësisë, por duhet të ketë një dhomë të saj jashtë vendit për të siguruar mbrojtje dhe siguri për dëshmitarët e mbrojtur. Bashkimi Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, do të emërojnë gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë.

Bashkimi Evropian ka emëruar më 11 dhjetor kryeprokuror të ri të Task Forcës, David Schwendiman.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë theksuar vazhdimisht në publik rëndësinë e procesit transparent dhe të besueshëm të drejtësisë për zbardhjen e të gjitha dyshimeve të ngritura në raportin e Martyt.

Përfaqësuesja e lartë evropiane për Siguri dhe Punë të Jashtme, Federica Mogherini, ka bërë thirrje më 9 dhjetor për miratimin e amendamenteve që do ta bënin operacionale Gjykatën Speciale.

Në të njëjtën ditë, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka shprehur mbështetjen amerikane për përkushtimin e Kosovës në themelimin e Gjykatës Speciale për menaxhimin e dyshimeve që do të hetohen prej Task Forcës.

“Sytë e të gjithëve janë drejtuar nga liderët e Kosovës për të parë se a po përmbushin zotimet e tyre dhe që të çohet drejtësia në vend pa asnjë vonesë”, ka deklaruar Leicht. “Është koha e duhur për të thyer pafuqinë dhe që të hapet rruga për një të ardhme për Kosovën bazuar në drejtësi, kur të vijë puna te krimet serioze”.

Më Shumë

Moti sot me diell dhe vranësira, temperaturat minimale 0 gradë Celsius – maksimalja deri në 16

Moti sot parashihet të jetë me diell dhe vranësira të pakta në orët e para të mëngjesit. Më pas pritet shtim i vranësirave, të cilat...

Dallimet mes letërsisë së Shqipërisë e Kosovës, Ligjerata e Krajës, identitetet politike e rrymat letrare

Letërsia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës është parë në kontekstin gjeografik e politik duke gjetur pika të përbashkëta dhe dallime. Nga variantet e...

Lajmet e Fundit