8.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Prizren/ Prokuroria kërkon dënimin e ish-analistit të kredive, mbrojtja lirimin e tij

Ka përfunduar gjykimi ndaj ish-analistit të kredive në institucionin mikro-financiar “Qelim Kosovë”, Dritan Syla, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Syla akuzohet se ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, në atë mënyrë që gjatë përgatitjes së dokumentacionit për marrje të kredisë prej 1500 euro për klientin Dan Sefa, e vendos në aplikacion të dëmtuarin Bashkim Sefa, si garantues të kredisë, i cili nuk ka qenë fare prezent dhe pa e shprehur vullnetin e tij.

Në seancën e mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, palët kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Metush Biraj ka kërkuar që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas lgjit, pasi sipas tij, nga dëshmia e dëshmitarëve Zef Hasanaj dhe Gjergj Karaqi, pastaj edhe nga deklarata e të akuzuarit Syla është vërtetuar se ky i fundit ka qenë i ngarkuar me lëndën kreditore të klientit Dan Sefa.

Prokurori Biraj përmendi edhe deklaratën e të dëmtuarit Bashkim Sefa, duke thënë se aty theksohet qartë se i njëjti asnjëherë nuk ka aplikuar për kredi e madje nuk ka qenë ndonjëherë në ambientet e institucionit mikro-financiar “Qelim Kosovë” dhe se as nuk i njihte kredi marrësin Dan Sefa dhe të akuzuarin Syla.

“Duke marrë parasysh faktin se vetëm i akuzuari si analist kreditor në bazë të kontratës së tij të punës ka qenë i autorizuar me ba regjistrimin e kredive në CRK, shihet qartë se i ka shkaktuar dëm të dëmtuarit Bashkim Sefa, dhe kjo i është komunikuar nga BQK, sepse pa fajin e tij i është pamundësuar të aplikoj për kredi”, deklaroi prokurori Biraj.

Prokurori Biraj tha se në veprimet e të akuzuarit Dritan Syla formohen të gjitha elementet e veprës penale për çka është akuzuar, sepse sipas tij qëllimisht i ka ndihmuar shokut të tij Faton Jahaj që të përfitoj përmes Dan Sefës në këtë kredi dhe qëllimisht i ka shkaktuar dëm Bashkim Sefës duke e paraqitur si garantues.

Ai kërkoi nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit, si rrethanë letësuese të merren faktet se i akuzuari është njeri familjar dhe mosha e tij relativisht e re, kurse si rrethanë rënduese prokurori propozoi të merren pesha e veprës penale, shkalla e përgjegjësisë së tij si dhe mënyra dhe rrethanat në të cilat sipas tij e ka kryer veprën penale.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Syla, avokati Ethem Rogova tha se ka pritur që prokurori, gjatë seancës të së enjtes, të heq dorë nga aktakuza ne mungesë të provave.

Ai ka kërkuar nga gjykata që t’iu falë besimin dëshmisë së dëshmitarëve Zef Hasanaj dhe Gjergj Karaqi.

“Në cilësi të dëshmitarëve janë dëgjuar dëshmitarët Hasanaj dhe Karaqi si zyrtarë të bankës, të cilët kanë qenë unik në deklaratat e tyre duke theksuar se e kanë të njohur rastin dhe se përkundër faktit se në dokumentacion ka munguar nënshkrimi i garantuesit Bashkim Sefa, kanë lejuar kredinë sepse kjo është në praktikën e tyre. Poashtu kanë përshkruar pozitën dhe detyrat e të akuzuari Dritan Syla dhe është vërtetuar që për dhënien e kredive ka vendosur komisioni” tha avokati Rogova.

Sipas tij, nga dëshmia e dëshmitarëve të lartpërmendur vërtetohet fakti se në veprimet klientit të tij nuk formohen tiparet e veprës penale për të cilën ngarkohet.

Pas deklarimit të palëve, gjykatësi Xheladin Osmani bëri të ditur se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 29 korrik 2019, në ora 14:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, ky rast fillimisht është iniciuar në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, mirëpo për t’i ikur konfliktit të interesit, e njëjta ka kërkuar përjashtim, pasi që i akuzuari Syla, rezulton të jetë djali i prokurores Mone Syla, dhe për këtë Prokuroria e Apelit, ka vendosur që rasti t’i delegohet Prokurorisë së Prizrenit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ngritur më 20 dhjetor 2018, Dritan Syla, akuzohet se në cilësinë e analistit të kredive, në institucionin mikro-financiar “Qelim Kosovë”, në Gjakovë, jashtë detyrave dhe përgjegjësive të përshkruara në kontratë, pa leje dhe dijeninë e të dëmtuarit, Bashkim Sefa, atë e vendos si garantues të kredisë.

Organi i akuzës, thotë se gjatë muajit Maj 2016, i akuzuari Syla, gjatë përgatitjes së dokumentacionit për marrje të kredisë 1500 euro, për klientin Dan Sefa, e vendos në dokumentacion të dëmtuarin Bashkim Sefa, si garantues i kredisë, megjithëse ai nuk ka qenë fare prezent, për të shprehur vullnetin e tij për një gjë të tillë.

Sipas aktakuzës, të dëmtuarit i shkakton dëm të konsiderueshëm, pasi që më vonë, të njëjtit i është mohuar të marrë kredi për arsye se në regjistrin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ai figuron si debitor i keq.

Me këtë, ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi

Më Shumë

Nektari i luginës së harruar

Enver Sulaj Unë nuk mund të hyj në vetminë tënde As në trishtimin tim në ditën e kryqëzimit Kur turma ulërinte drejt qiellit skëterrë. Unë nuk mund ta...

Murati: 300 milionë euro është vlera e marrëveshjeve ndërkombëtare që po presin ratifikimin në Kuvend

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se shuma totale në formë të marrëveshjeve ndërkombëtare që tash e disa muaj po pritet për ratifikim...

Lajmet e Fundit