11.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Shoqeria civile: Ligji për amnisti do të ndryshojë

Shoqeria civile

Përfaqësuesit e më shumë se 30 organizatave joqeveritare të cilët kanë protestuar kundër miratimit të Ligjit për amnisti, vazhdojnë ta kundërshtojnë miratimin e tij.

Ata shprehin bindjen se Ligji i miratuar do të ndryshojë, pasi janë mbledhur më shumë se 12 mijë nënshkrime në peticion.

Në një konferencë të organizuar për media, organizatorët e peticionit kanë bërë të ditur se janë mbledhur 12,564 nënshkrime nga qytetarët e Kosovës në 10 komuna të vendit, për katër ditë.

Drejtori ekzekutiv i institutit KIPRED, Ilir Deda, tha para gazetarëve se Ligji i miratuar nuk është i mirë për vendin. Ai për më tepër tha se edhe pse është miratuar ai Ligj nuk ka përfunduar asgjë.

Ne do të trokasim në çdo derë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare dhe askush nuk mund t’i injorojë gjithë ato nënshkrime, deklaroi Deda.

“Rrugëtimi për vendosjen e sundimit të ligjit, përdorimi i të gjitha formave institucionale dhe demokratike si në Kosovë dhe në rrafshin ndërkombëtar do të filloj që nga java e ardhshme. Në javën e ardhshme do ta dërgojmë peticioni me kërkesë të presidentja e Kosovës”.

“Pastaj do t’i drejtohem Kuvendit të Kosovës. Do t’i shkruajmë çdo komisioni për punë të jashtme të parlamenteve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Vetë Parlamentit Evropian. Do t’i shkruajmë komisionit për punë të jashtme të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe çdo organizate ndërkombëtare e cila merret me sundim të ligjit”, tha Deda, transmeton REL.

Nga ana tjetër, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike mendon se me miratimin e ligjit janë bërë shkelje të shumta.

Ai tha se shoqëria civile është kundër përfshirjes në një Ligj të amnistisë të çdo vepre penale që nuk ka karakter politik.

“Nëse ky ligj për amnisti i drejtohet, amnistimit politik të strukturave paralele në veriun e Kosovës, nuk ka asnjë logjikë që i njëjti ligj të përfshijë vepra penale që nuk janë të karakterit politik. Ne mendojmë që përfshirja e veprave penale, për shembull, të fushës ekonomike është e dëmshme për standardin e demokracisë të cilin Kosova po dëshiron ta ndërtojë dhe nuk është vlerë evropiane në kohën kur Kosova është në fazën e fillimi të negocimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, dhe në kohë kur Kosova është në mesin e një procesi të liberalizimit të vizave”, tha Korenica.

Përfaqësuesit e organizatave kanë sqaruar se nuk duan të hyjnë në konflikt me faktorin ndërkombëtar ashtu siç ka pasur zëra se po shkohet në atë drejtim.

Në konferencë u tha se shoqëria civile është e interesuar për sundimi të ligjit dhe se ligjshmëria dhe rregullat të vlejnë për të gjithë dhe siç thanë ata, “nuk mund të përkrahet ajo që nën petkun e amnistisë për veri të amnistohen shkelësit e ligjit anembanë Kosovës”.

Me procedura të shpejtuara, Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten Ligjin e amnistisë duke e vënë atë në dy lexime brenda një dite. Përkrahja për ligjin mbi amnistinë ishte rritur pas heqjes së nenit tre, duke reduktuar numrin e veprave që parashihet të amnistohen.

Po ashtu, versioni i ri nuk jep më amnisti për vepra që kanë cenuar jetën e njerëzve dhe kanë të bëjnë me krime të rënda.

Ilir Deda i është kundërpërgjigjur kryeministrit Hashim Thaçi, i cili në një intervistë për mediat vendore ka thënë se Ligji për amnisti ka fuqi kushtetuese për faktin se atë e kanë votuar deputetët dhe ka marr 91 vota në Kuvendin e Kosovës.

“Nëse 91 individë në Kuvendin e Kosovës kanë votuar për legjitimimin e krimit në Kosovë, 12,564 njerëz në Republikën e Kosovës janë kundër këtij legjitimimi. Dhe të mos mundohet dikush të thirret në legjitimitetin e deputeteve në Kuvendin e Kosovës kur dihet se ky kuvend është produkt i një vjedhje industriale të votave”, tha Deda.

Ai shtoi se i gjithë populli e ka të qartë se partitë që e kanë përkrahur këtë projektligj e kanë kontrabanduar shpëtimin e vetvetes nga ndjekja penale për veprat penale të cilat zyrtarët e tyre i kanë kryer.

Ligji mbi amnistinë buron nga Marrëveshja 15 pikëshe e arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Më Shumë

Lajmet e Fundit