16.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

A po shkojmë drejt plutokracisë?

Nga Faik Krasniqi

Demokracia dhe shtet-kombi

Demokracia dhe shtetkombi janë parimisht e njëjta gjë. Mirëpo demokracia dhe vetëvendosja e popujve janë dy koncepte etimologjikisht motra, për të mos thënë nuanca të njëra-tjetrës. Si mund të mbrohet njëra e të refuzohet a përbuzet tjetra? Shtet-kombi shkon detyrimisht në demokraci dhe demokracia shkon detyrimisht në shtetkomb. Shtet-kombi nuk është asnjëherë i kompletuar në qoftë se shteti nuk përfshin gjithë kombin dhe nga pikëpamja organizative në qoftë se nuk lejon kombin të jetë sovran dhe mënyra e vetme që kombi të jetë sovran është pikërisht parimi demokratik. Demokracia nuk ka asnjë kuptim jashtë një shteti kombëtar, d.m.th. çfarë kuptojmë sot me demokraci është e pamendueshme jashtë një shteti kombëtar, sado i pakompletuar të jetë ky shtet.

Paradoksi i “mbikombëtares”

Demokracia u mendua jashtë tij në shekullin 18, mirëpo deshi – s’deshi e vetmja mënyrë që të jetësohej ishte brenda shtet-kombit. Shtet-kombi ka shumë kufizime dhe nuk e pranon dot “mbikombëtaren”, sepse do të binte në paradoks. Kur sovrani është kombi, nuk mund të pranohet një pushtet sipëror ndaj atij kombëtar. Multinacionalet, ngaqë pushteti është i lidhur me paranë, nuk janë vetëm multinacionale/shumëkombëtare, por edhe mbikombëtare. Pushtetarët e kanë pushtetin të lidhur me kombin, por duhet të bëjnë hesapet edhe me forcën e madhe “bindëse” të multinacionaleve mbikombëtare. Prandaj referendumi kombëtar sot jo vetëm që s’është më realisht mjeti suprem, por po bëhet i varur nga interesat mbikombëtare të bankierëve, financierëve e korporatave multinacionale. Nuk e kanë zhdukur shtetin kombëtar, sepse nuk kanë asnjë alternativë konkrete ndaj tij, por ama po e përdorin kur u nevojitet që ”Kombi” të bëjë një sakrificë për të mirën e përbashkët duke paguar para që bankat të mos falimentojnë.

Aristokracia e re

Në këto kushte demokracia do të rrëshqasë më se s’bën në plutokraci, e cila mund të realizojë entitetet shtetërore të nevojshme për zhvillimin e një botë ku pasanikët janë bankierët, financierët dhe multinacionalët. Demokracia e shtet-kombi janë të dyja pengesa, kështu që zgjidhja e këtij problemi, që demokracia dhe shtet-kombi, nuk janë të përshtatshme për aristokracinë e re, do të vijë o me fitoren e demokracisë dhe shtet-kombit, nëpërmjet asgjësimit të aristokracisë së re, ose me fitoren e saj, pra me rrëshqitjen në shtete mirëfilli plutokratike me bazë shumëkombëshe.

Më Shumë

Lajmet e Fundit