Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se në Kosovë nuk është paraqitur asnjë rast me virusin HMPV.
Në një konferencë për media, ai theksoi se janë marrë të gjithat masat në rast nevoje për të përballuar çdo situatë rreth këtij virusi, i cili ka shpërthyer së fundmi në Kinë.
“Nuk kemi akoma rast me HMPV. Nga IKSHPK-ja janë në kontakte të vazhdueshme me të gjitha mekanizmat më adekuatë që ekzistojnë për këtë problem dhe jemi në kontakt me OBSH-në dhe çdo institucion tjetër. Në momentin e parë që paraqitet një rast menjëherë merren masat me rekomandimet e IKSHPK-së. Asnjë lloj paniku nuk ka për qytetarët. IKSHPK-ja dhe SHSKUK-ja veç kanë filluar masat dhe përgatitjet. Nëse do të kishte arsye për panik, ne do të kishim dalë me informata, nuk ka asnjë arsye për të pasur panik për këtë”, ka thënë Vitia.
Policia e Kosovës (PK), bazuar në Ligjin e Policisë së Kosovës i cili përcakton konfliktin e interesave, udhëzimin administrativ për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës si dhe rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës, ka suspenduar dy zyrtarë policorë, përderisa IPK-ja ka suspenduar një zyrtar policor, (të suspenduar janë një kolonel, një major dhe një rreshter policor).
Suspendimi i zyrtarëve policorë është bërë mbi dyshimin për pjesëmarrje në tubim apo aktivitet të natyrës politike, të cilat bien në kundërshtim me procedurat ligjore si dhe udhëzimet e brendshme të PK-së.
“Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese, si institucioni kyç për garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim. Me qëllim të ruajtjes së besimit të publikut, ruajtjes së imazhit të Policisë si një ndër institucionet më të besuara dhe transparente, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe profesionalizmit të saj, duke shërbyer në mënyrë të drejtë dhe të paanshme Policia e Kosovës me gjithë zyrtarët saj, kanë detyrë primare garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët dhe çdo përfshirje e zyrtarëve policorë në aktivitete politike mund të dëmtojë besimin e krijuar ndër vite ndaj Policisë së Kosovës”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Superliga e Kosovës sonte rikthehet në aksion me stinorin pranveror që pritet të jetë shumë interesant.
Kjo është pjesa vendimtare, ku skuadrat japin maksimumin dhe palestrat pritet të jenë të mbushura me tifozë.
Sonte Bashkimi do të përballet me Trepçën në Prizren, apo vendi i dytë me të parin.
Prizrenasit në vjeshtë kishin nëntë fitore e pesë humbje, derisa mitrovicasit 11 fitore e tri humbje, për tu konfirmuar si lidere e elitës. Në vjeshtë kishin nga një fitore ndaj njëra-tjetrës.
Sonte poashtu Bora-Golden Eagle Ylli është një përballje interesante, ku prishtinasit kanë ngritje të formës, derisa therandasit kanë synime të mëdha. Bora, që për herë të parë garon në elitë, ka katër fitore e dhjetë humbje, kurse nënkampionët shtatë fitore e shtatë humbje.
Disa persona dyshohet se ia kanë grabitur portofolin një burri në Prizren.
Të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur.
Rasti po hetohet.
“GRABITJE- Prizren / 07.01.2025 – 18:15. Është raportuar se disa persona të panjohur i kanë grabitur portofolin ankuesit mashkull kosovar. Personat e dyshuar pas kryerjes së veprës janë larguar në drejtim të panjohur. Rasti në procedurë hetimore.”
Përgjegjësi i Muzeut Arkeologjik në Prizren, Vesel Hoxha, ka bërë më dije se numri i vizitorëve në këtë muze ka arritur në 6,324.
Në një intervistë të drejtpërdrejtë në programin e mëngjesit në RTK, Vesel Hoxha, përgjegjës i Muzeut Arkeologjik në Prizren, ndau disa të dhëna dhe përvoja lidhur me muzeun.
Ai theksoi se ky vit ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm për Muzeun Arkeologjik, duke pasur një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve krahasuar me vitet e kaluara.
“Numri i vizitorëve ka arritur në 6,324, dhe kjo nuk ishte aspak befasuese duke pasur parasysh ndryshimet dhe përmirësimet që kemi bërë kohët e fundit në muze”,tha Hoxha.
Ai gjithashtu nënvizoi interesimin ndërkombëtar që ka tërhequr muzeu. “Kemi pasur vizitorë nga vende të ndryshme, përfshirë Brazilin, Lituaninë dhe shumë vende të tjera, të cilat nuk i kishim pritur. Përshtypjet e tyre kanë qenë shumë pozitive, dhe vlerësimet online në Google na kanë vendosur në një pozicion të shkëlqyer me notën 4.9,” shtoi ai.
Këto arritje flasin për rëndësinë në rritje të Muzeut Arkeologjik në promovimin e trashëgimisë kulturore dhe historike të Prizrenit.
Mes atdhetarizmit si diskurs politik dhe akuzave të ndërsjella pozitë-opozitë, duket se po zhvillohet ajo, që mund ta quajmë fushatë e heshtur apo parafushatë e subjekteve politike për zgjedhjet e 9 shkurtit. Secili subjekt politik ka krijuar tashmë strategjinë e vet, ka targetuar grupin e votuesve dhe ka vënë në veprim analistët, opinionbërësit dhe militantët partiak, të cilët dikur brohorisnin në tubime publike, me flamuj partie e pankarta në dorë, ndërsa sot i gjejmë në rrjete sociale, duke sharë e duke u hakërryer ndaj kundërshtarëve politikë, apo edhe ndaj atyre që shprehin lirshëm mendimin e tyre. Shumë shqetësuese mbetet klima e komunikimit të ashpër e barrikadimit ideologjik, jo rrallë me një diskurs të thjeshtë e shumë transparent propagandistik. Nuk vërehet një debat i hapur, i prajshëm e intelektual mbi shqetësimet që e rëndojnë shoqërinë tonë, për të ofruar zgjidhje përmes programesh konkrete dhe pa mohuar edhe arritjet tona si shoqëri në tërë periudhën e pasluftës, por edhe dështimet e keqpërdorimet, që janë jo të pakta, e, për të cilat, secili subjekt politik ka paguar dhe do të paguajë gjithmonë faturën e duhur.
Në mungesë të ideve të guximshme e zgjidhjeve për çështjet e zhvillimit ekonomik, të integrimeve evropiane dhe të raporteve me Serbinë, streha më e sigurtë e subjekteve politike në krejt këto vitet e pasluftës, madje edhe në këto zgjedhje, nga të cilat do të dalë përbërja e re e Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbetet retorika e mbështetur mbi idetë e atdhetarizmit dhe populizmit, për të vënë në lëvizje votuesit e për të tërhequr sa më shumë votat e tyre.
Ne nuk jemi qendra e botës dhe jo gjithçka varet nga dëshirat dhe ëndrrat tona për t‘i zgjidhur problemet që gjenden mbi tavolinë, por çdoherë janë kompromiset ato që i shtyjnë çështjet përpara, për të gjetur zgjidhjen më të mirë në situatën aktuale. „Status quo“-ja dhe konflikti i ngrirë nuk janë garancione se në një kohë tjetër, në të ardhmen, do të kemi zgjidhje më të mira, ngase gjithçka varet nga interesat gjeostrategjike të lojtarëve të mëdhenj në skenën globale, por edhe nga zhvillimet dhe orientimet e brendshme ideologjike e strategjike tonat.
Lëvizja e lirë e qytetarëve dhe shtrirja e institucioneve në veri të Kosovës, programet e ndihmave për pensionistët, fëmijët e programet sociale, sigurisht që janë arritje e pamohueshme e Qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Kurti, që në sytë e opinionit të përgjithshëm krijojnë perceptimin e një mirëqenieje, pa pasur nevojë fare t’i amplifikojë këto arritje në sytë e publikut, sepse disa parti opozitare, me akuza e sharje primitive, duket se po ia bëjnë shërbimin më të mirë, që do të shihet më 9 shkurt.
Nepotizmi, keqpërdorimi i buxhetit të shtetit, pasurimi i dyshimtë i grupeve të caktura, mungesa e sigurimeve shoqërore shëndetësore, mosndërtimi i një sistemi të drejtë e të sigurtë pensional, mungesa përditë e më shumë e fuqisë punëtore, si pasojë e largimit të popullatës, janë tregues të gjendjes ku jemi, por edhe të së ardhmes, për të cilën, nga ajo që shihet në horizont, askush nuk na garanton se do të jetë më e mirë.
Dora e shtetit duhet të jetë e gjatë dhe të arrijë te të gjithë. Në një vend ku pritjet janë të mëdha, sigurisht që edhe zhgënjimet mund të jenë të tilla, që në shoqërinë tonë, fatkeqësisht, si alternativë të dhembshme e të vetme kanë ikjen, braktisjen e atdheut. Motoja e lashtë romake „Ubi bene, ibi patria“, duhet të shndërrohet në „Ubi patria, ibi bene“. Kjo e fundit është vështirë t‘i imponohet gjeneratës së re, që tashmë kufijtë e lirisë, kreatitivitetit dhe të hapërimit i ka të pafundmë, ndërkohë atyre që pretendojnë ta udhëheqin shtetin u mbetet të bëjnë parashikimet e duhura, të domosdoshme e urgjente, që dikur të mos bëhet vonë.
Në Prizren është raportuar në polici se mesnatën e ndërrimit të vitit kishte pasur të shtëna me armë.
Lidhur me rastin, organet e rendit njoftojnë se kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë konfiskuar një armë me gas, një karikator dhe 13 fishekë të kalibrit të panjohur.
Po ashtu është arrestuar i dyshuari dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 1593 gjoba në trafik.
Sipas raportit të policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, 23 aksidente kanë qenë me lëndime dhe 39 me dëme materiale.
Gjatë kësaj periudhe, policia njofton se janë arrestuar 18 persona, ndërkaq 14 të tjerë janë dërguar në mbajtje.
Dëgjo këtë artikull tani…Pas një viti me sfida dhe suksese, Teatri “Bekim Fehmiu” nis vitin 2025 me ambicie të reja
Drejtuesit e Teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren kanë vlerësuar se viti i shkuar ka qenë i suksesshëm për këtë trupë, pavarësisht sfidave ekzistuese. Në bilancin pozitiv janë listuar premierat e dhëna, pjesëmarrja në festivale të ndryshme, sikurse edhe çmimet e mirënjohjet e pranuara, por edhe bashkëpunimet dhe projektet e realizuara. Mirëpo kthimi i këtij Teatri në fund të vitit në objektin e rinovuar është përjetuar si shpresë për arritje edhe më të mëdha në vitin 2025.
Drejtori i Teatrit të qytetit “Bekim Fehmiu”, Burim Mustafa ka theksuar se viti i shkuar ka qenë sfidues, por edhe i bukur shkaku i arritjeve të ndryshme.
Sipas tij, në janar të vitit 2024 është realizuar premiera e shfaqjes “Audienca” me tekst të Vaclav Havel dhe regji të Bashkim Ramadanit.
“Kjo shfaqje u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku dhe rrugëtoi edhe në festivale ku edhe u shpërblye. Për të vazhduar pastaj me shfaqjen për fëmijë “Pula Pispilluqe me Çizme të Kuqe,” me tekst dhe regji të Meli Qenës, shfaqje e cila mbushi sallën plot sa herë që u shfaq”, ka bërë të ditur Mustafa, raporton Telegrafi.
Sipas tij, në repertor janë kthyer edhe dy shfaqjet madhore: “Fausti,” koproduksion me Teatrin e Gjilanit dhe Teatrin Kombëtar të Kosovës, dhe “Masë për Masë,” koproduksion me Teatrin e Gjakovës.
Ndërkaq në partneritet me “Alb Obscura” është realizuar edhe premiera e monodramës “Dr. Zhivago” me tekst dhe regji të Mahir Musliut.
Në tetor të vitit 2024, sipas Mustafës është realizuar edhe premiera e shfaqjes “Ping Pong dhe Dashuri” me tekst dhe regji të Butrint Pashës, që ishte edhe fitues i platformës për zhvillimin e dramës bashkëkohore shqipe “Contempora,” të organizuar nga teatri “Bekim Fehmiu”.
“Po ashtu, në tetor u shpall thirrja për dramaturgët për të aplikuar në edicionin e dytë të “Contempora.” Interesimi ishte jashtëzakonisht i mirë dhe ky edicion do të mbahet në muajt e parë të 2025”, është shprehur Mustafa, raporton Telegrafi.
Sipas tij më 22 tetor 2024 ka filluar edhe projekti laborator “Krejona” me regji të Kaltrim Balajt, që do të shfaqet premierë gjatë muajit janar të vitit 2025.
Drejtori Mustafa ka shtuar se këto shfaqje janë paraqitur edhe në festivale të ndryshme, me ç’rast “Audienca” është shfaqur në edicionin e III-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Prizren Fest.
E njëjta ka qenë pjesë edhe e edicionit të 14-të të festivalit “Etno Fest” në Kukaj, ku është shpërblyer me katër çmime, respektivisht për aktorin më të mirë: Ernest Malazogu, skenografinë më të mirë: Burim Arifi, regjinë më të mirë: Bashkim Ramadani dhe shfaqjen më të mirë.
Ai ka pohuar se në edicionin e 54-të të Festivalit të Teatrove Ferizaj, shfaqja “Audienca” është shpërblyer me çmimin për aktorin më të mirë në rol kryesor: Ernest Malazogu.
E njëjta shfaqje ka marrë pjesë edhe në edicionin e parë të festivalit pa karakter garues “Gjakovart” në Gjakovë dhe në Festivalin e Teatrove në Suharekë.
Mustafa ka njoftuar se në Festivalin Tradicional të Komedisë “Mitrix Fest” në Mitrovicë, shfaqja “Ping Pong dhe Dashuri” është shpërblyer me çmimin për skenografinë më të mirë dhe teatri “Bekim Fehmiu” me mirënjohje për partneritet.
Ndërsa në muajin nëntor, Festivali i Shekspirit në Vlorë është hapur me shfaqjen “Masë për Masë”, që është koproduksion me Teatrin “Hadi Shehu”.
Angazhimi i këtij teatri është vlerësuar edhe nga Komuna e Prizrenit.
“Në ceremoninë “Laureatët e Vitit” e organizuar nga Komuna e Prizrenit, aktorja jonë Edona Sopaj u shpall Laureate për Teatër, duke u vlerësuar për interpretimin e saj të jashtëzakonshëm në tre role teatrore gjatë vitit 2024. Ndërsa Teatri “Bekim Fehmiu” u nderua me Mirënjohje për Kontribut në Fushën e Kulturës për vitin 2024, duke përforcuar rolin tonë si qendër e artit dhe kulturës në qytet”, ka theksuar Mustafa, raporton Telegrafi.
Gjatë vitit të shkuar ky teatër është përfshirë edhe në programin “Arti në shkolla” organizuar nga MKRS-ja, ku nxënësit e katër shkollave të Prizrenit kanë zhvilluar orë mësimore me aktorin Xhevdet Doda, i cili ka ofruar shpjegime për teatrin dhe punën e aktorit.
Ndërkohë që drejtori Mustafa me ftesë të ambasadës franceze ka vizituar edicionin e 78-të të Festivalit të Teatrove në Avignon të Francës.
Ndërsa në fund të nëntorit, pas më shumë se dy viteve jashtë objektit, ky teatër është kthyer në dërrasat e skenës së Teatrit të Qytetit.
“Në objektin e renovuar tashmë mbahet repertori i rregullt i Teatrit të Qytetit, por edhe aktivitete të jashtme kulturore të shumta, për mbarëvajtjen e të cilave kujdeset teatri”, ka thënë Mustafa, raporton Telegrafi.
Për më shumë, sipas tij, në dhjetor, aktorët e Teatrit kanë nënshkruar edhe kontratat e reja të punës me afat të pacaktuar sipas ligjit përkatës.
Mustafa ka nënvizuar se të arriturat në 2024 do të ishin të pamundura pa punë ekipore dhe për këtë arsye ka shprehur mirënjohje për aktorët, stafin administrativ dhe tekniko-artistik dhe të gjithë bashkëpunëtorët e jashtëm, por edhe publikun që shërben si burim i motivimit.
“Besoj fuqishëm se viti 2025 do të jetë një kapitull i ri dhe emocionues për Teatrin “Bekim Fehmiu”. Me objektin tonë të renovuar dhe kushte më të mira pune, jemi gati të sjellim një ofertë teatrore më të pasur dhe më të fuqishme artistikisht”, është shprehur Mustafa. /Telegrafi