Home Blog Page 75

Vajzat e Gjimnazit “Jeta e Re” të Suharekës shpallen kampione republikane

0

Ekipi i vajzave të Gjimnazit “Jeta e Re” të Suharekës është shpallur kampion republikan në volejboll, në kuadër të gjimnaziadës “Peja 2026”, duke arritur një sukses të jashtëzakonshëm në konkurrencë me shkollat më të mira nga e gjithë Kosova.

Gara u organizua nga Federata e Sportit Shkollor e Kosovës dhe u zhvillua në qytetin e Pejës, ku nxënëset nga Suhareka u dalluan me performancë të lartë dhe rezultate mbresëlënëse.

“Në kuadër të gjimnaziadës ‘Peja 2026’, ekipi i vajzave të Gjimnazit ‘Jeta e Re’ arriti sukses të jashtëzakonshëm duke u shpallur kampion republikan”, ka njoftuar kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.

Ai shtoi se “Suhareka vazhdon me sukses traditën, duke mbajtur me krenari epitetin si qytet i kampionëve”./PrizrenPress.com/

Besmire Bytyçi zgjidhet në krye të Aleancës së Gruas në Rahovec

0

Në një proces zgjedhor të karakterizuar nga fryma demokratike dhe pjesëmarrja aktive, është mbajtur kuvendi i Aleancës së Gruas në Rahovec, ku u zgjodh kryesia e re e kësaj strukture.

Në këtë kuvend, kryetare e Aleancës së Gruas në Rahovec është zgjedhur Besmire Bytyçi, juriste me profesion, aktualisht në mandatin e saj të dytë si drejtoreshë dhe me përvojë të mëhershme si asambliste. Nënkryetare janë zgjedhur Nora Boshnjaku dhe Saranda Sallteku, ndërsa sekretare Flutura Beqiri.

“Besmiren e përgëzoj për besimin e marrë dhe i uroj suksese në këtë detyrë me përgjegjësi të lartë. Jam i bindur se me profesionalizmin dhe përkushtimin e saj do të kontribuojë në forcimin e rolit të gruas dhe në avancimin e mëtejshëm të organizimit të Aleancës së Gruas në Rahovec”, ka deklaruar kryetari i AAK-së në Rahovec, Smajl Latifi.

Ai ka shprehur gjithashtu mbështetjen për fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri.

“Shpreh gatishmërinë time të plotë për mbështetje në çdo iniciativë që fuqizon gratë në përfaqësim, vendimmarrje dhe në jetën shoqërore”, theksoi Laifti./PrizrenPress.com/

Në Bukosh përkujtohen dëshmorët e fshatit

0

Në fshatin Bukosh të Suharekës janë përkujtuar dëshmorët e rënë për lirinë e vendit, në një aktivitet ku morën pjesë përfaqësues institucionalë dhe qytetarë.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur se në këtë përvjetor u nderua sakrifica e të rënëve.

“Sot i nderuam dëshmorët e fshatit Bukosh. E përjetshme qoftë lavdia e tyre”, ka deklaruar Muharremaj.

Në këtë përkujtim u theksua se sakrifica e dëshmorëve mbetet themel i lirisë dhe obligim për t’u kujtuar ndër breza./PrizrenPress.com/

Shënohet përvjetori i Masakrës së Dragaqinës në Suharekë

0

Sot shënohet përvjetori i masakrës së Dragaqinës, një ngjarje tragjike që ndodhi gjatë Luftës në Kosovë.

Forcat serbe ekzekutuan 11 burra të fshatit Dragaqinë të Suharekës, pas torturës së tmerrshme dhe ekzekutimeve të pafajshme. Ata u torturuan, u vranë dhe më pas u hodhën në një bunar, duke lënë pas një dhimbje të thellë dhe një plagë të rëndë.

Ky përvjetor kujton vuajtjet e qytetarëve të pafajshëm dhe nderon të gjithë ata që humbën jetën në këtë masakër.

Inspektorati i Malishevës intensifikon aksionet kundër hedhjes së mbeturinave, shqiptohet gjobë 200 euro

0

Drejtoria e Inspektoratit në Komunën e Malishevës ka bërë të ditur se po vazhdon aktivitetet në terren për parandalimin e hedhjes së mbeturinave në hapësira publike, duke theksuar se bashkëpunimi i qytetarëve po jep rezultate konkrete.

Realizoni projektet tuaja me BiCredit, partneri juaj i besueshëm financiar në Prizren!

Sipas drejtorit të Inspektoratit, Jakup Gashi, raportimet e qytetarëve kanë ndihmuar në identifikimin dhe ndëshkimin e rasteve të ndotjes së ambientit.

Së fundmi, një qytetar nga Llapçeva është gjobitur me 200 euro, pasi kishte hedhur mbeturina në një hapësirë publike në fshatin Dragobil.

“Inspektorati Komunal falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe mbetet i përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e një ambienti të pastër për të gjithë”, ka deklaruar Gashi.

Ai theksoi se institucionet komunale do të vazhdojnë me zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve për mbrojtjen e ambientit, duke paralajmëruar masa të vazhdueshme dhe të rrepta ndaj kësaj dukurie.

Sipas tij, hedhja e mbeturinave në hapësira publike mbetet një shqetësim serioz, ndaj kërkohet angazhim i përbashkët për ruajtjen e mjedisit.

Marketing

Zbuloni materialet më të mira të tekstilit luksoz – Vizitoni pikat e Fa&Be Tex në Prizren!

Shiten banesa moderne në lagjen “Tranzit i Ri” të Prizrenit – mundësi pagese me këste

Shitet banesa në lagjen “Dardania” të Prizrenit

Mos prit më – merr kredinë që të duhet në IMF KosInvest

Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!

Industria e mishit “Medina” në Prizren – traditë, cilësi dhe shije autentike të produkteve të mishit që nga viti 1991

Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren

Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren

Të gjitha rrugët e Prizrenit çojnë në “Sezai Surroi” të mërkurën

0

Bashkimi ka bërë thirrje për mbështetje masive të tifozëve në prag të nisjes së gjysmëfinales së “Play-off”-it në ProCredit Superligë ndaj Borës.

“E mërkurë, gjithë rrugët e Prizrenit çojnë drejt palestrës ‘Sezai Surroi’! Të gjithë së bashku mblidhemi në një vend për ta përkrahur klubin e qytetit tonë dhe për të treguar krenarinë, pasionin dhe dashurinë për ngjyrat portokalli e zi”, thuhet në njoftimin e klubit, raporton PrizrenPress.

Gjysmëfinalja nis të mërkurën në Prizren, ndërsa seria do të zhvillohet sipas formatit “Best of 5”, ku skuadra që arrin tri fitore siguron finalen.

Takimi i parë zhvillohet më 22 prill, nga ora 19:30, në palestrën “Sezai Surroi”, ku pritet një atmosferë e zjarrtë dhe përkrahje e madhe nga tribunat.

“Hajde ta mbushim palestrën! Merr shokun, shoqen dhe të gjithë së bashku ta shtyjmë ekipin drejt finales!”, thuhet më tej në thirrjen e klubit.

Bashkimi synon ta nisë serinë me fitore në shtëpi, duke hedhur hapin e parë drejt finales./PrizrenPress.com/

Ngjarje e rëndë në Mushtisht të Suharekës: Vdes 48-vjeçari, dyshohet se u ngufat nga ushqimi

0

Ka vdekur sot një 48-vjeçar nga fshati Mushtisht i Suharekës.

Ai u dërgua pa shenja jete në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë, rreth orës 12:20.

Sipas mjekut kujdestar, dyshohet se B.H vdiq si pasojë e bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes nga ushqimi.

Rastin për Klankosova.tv e ka konfirmuar edhe Policia.

“Vdekja është konfirmuar në ora 12:20. Nga të dhënat fillestare, viktima ishte duke ngrënë në shtëpinë e tij kur i është përkeqësuar gjendja dhe ka humbur vetëdijen. Familjarët kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë dhe e kanë dërguar në QKMF. Me urdhër të prokurorit, trupi është dërguar në IML për obduksion. Rasti është në hetime”, deklaruan nga Policia.

OVL-UÇK distancohet nga veprimet e degës në Has

0

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) distancohet nga veprimet e ndërmarra nga dega e saj në Has, lidhur me largimin e pllakës përkujtimore të vendosur ditë më parë në fshatin Goden nga ish-Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, z. Azem Syla.

Theksojmë se kjo pllakë përkujtimore nuk është vendosur nga strukturat e OVL-UÇK-së. Rrjedhimisht, organizata nuk ka pasur asnjë kompetencë institucionale për ndërhyrje apo për largimin e saj. Çdo veprim i tillë është ndërmarrë jashtë qëndrimeve dhe vendimmarrjes së OVL-UÇK-së në nivel qendror.

OVL-UÇK mbetet e përkushtuar në ruajtjen e dinjitetit të luftës sonë çlirimtare dhe në respektimin e procedurave institucionale për çdo çështje që lidhet me përkujtimin dhe nderimin e saj.

Drita rikthehet në Superligë

0

Drita është rikthyer në ProCredit Superligë, pas fitores në serinë finale ndaj Proton Cable Prizrenit, duke triumfuar në të dyja ndeshjet dhe duke siguruar ngjitjen në elitën e basketbollit kosovar.

Në ndeshjen e fundit, e zhvilluar në një atmosferë të jashtëzakonshme, Drita fitoi me rezultat dramatik 92:91, ku dy pikët vendimtare u shënuan nga Eris Zeneli në sekondat e fundit të takimit, raporron PrizrenPress.

Performanca e gjilanasve u shpërblye edhe individualisht, pasi Adrian Ibishi u shpall MVP i ndeshjes, me 18 pikë dhe 12 kërcime, duke qenë një nga figurat kryesore të suksesit.

Me këtë fitore, Drita mbyll një seri shumë të fortë finale dhe rikthehet në Superligë, ndërsa Prizreni mbetet edhe për një edicion në Ligën e Parë./PrizrenPress.com/