Blloku opozitar që ka nënshkruar marrëveshje për t’ia pamundësuar Hashim Thaçit krijimin e Qeverisë së re pritet t’i thotë “Po” kushteve të Albin Kurtin edhe në çështjen e dialogut, e cila ka qenë pika më e diskutueshme/zeri/
Urina e Zeusit!
Doktorri i famshëm është shumë i shqetësuar, sepse pacienti i tij, Zeusi, ndoshta burri më i dashur dhe i vyer i kombit, ka pësuar një infeksion të rrrezikshëm në prostat, prandaj edhe doktori e ka shtjerë urinën e pacientit Zeus, në një shishe të kuqe, të madhe sa rrathët e hekurt të kandarit tradicional, e po udhëton drejt Parisit, ku urinën do ta analizojë me vigjilencë të jashtzakonshme.
-Në Paris disponojnë laboratorë shumë të avancuar. Jam i sigurtë si ylli i Zeusit, se këtë herë do ta zbuloj virusin e mallkuar që po e mundon shumë keq burrin tend, pacientin tim dhe babanë e kombit tonë-ngushëlloi doktorri gruan e zverdhur dhe limontuar të Zeusit.
Por kur aeroplani u ngrit nga pista dhe bishti i tij po dridhej pak, doktorrin e zunë ethet dhe zemërimi. E nxorri shishen e rrumbulaktë të mbushur me urinën e Zeusit, e vuri përpara fytyrës dhe e shkundi fort duke mërmëritur: virusi i poshtër, virus i pamëshirshëm! Shfaqu më në fund para syve të mi e mos m’u fshih gjatë gjithë kohës. Si quhesh? Nga vjen? Si quhet babai yt? Nëna jote? Vjerra jote? Sa të thella janë rrënjët tua? Ato nuk janë kurrën e kurrës më të thella se sa rrënjët e lisit të Zeusit, poshtë kurorës së të cilit cicërojnë tre million harabelët!- iu hakërrye doktorri virusit të padukshëm në urinë.
Gruaja e Zeusit i ledhatoi doktorrit shpatullën e djathtë. Ky i fundit ia përshkoi asaj fytyrën me një shikim sa gjynahqar aq edhe indinjues.
Por nuk patën kaluar as dy minuta kur doktorri dëgjoi një zë të butë t’i pëshpërisë në vesh: virusi në urinën e Zeusit, quhet DEMOKRACI!
Doktorri i lemeritur ktheu kokën në drejtime të ndryshme. U hutua aq shumë saqë xhaxha Rremizin, shërbëtorin e ngushtë të Zeusit nuk e kishte vërejtur asgjëkundi të kishte ndërruar stol dhe ishte ulur pranë tij.
-Zeusi vuan nga sëmundja demokratike! – përsëriti Rremizi, për të hequr cdo lloj dyshimi prej fytyrës së doktorrit. Doktorri për pak sa nuk ia ktheu: ik ore plak budalla! Shko dhe merru me gjurmimin e armiqve të Zeusit, e mos i fut hundët në punët e shkencës së mjekësisë! Por ai u përmbajt dhe ia ktheu me shaka Rremës: Thua qe Zeusi ta kete marrë këtë sëmundje duke lexuar librat borgjezë?
Rrema qeshi me lot, më shumë prej romuzit që hodhi doktorri. Por gruaja e Zeusit, që nuk e dinte arsyen e gajasjes së papërshtatshme të Rremës, e pa atë mjaft e zemëruar.
-Më falni motër! Por ju e dini, se doktorri ynë, nuk është vetëm i talentuar por bën edhe shaka me kripë.
-Dhe cfarë i the ti që ai bëri shaka?- e pyeti gruaja e Zeusit me zë autoritar.
Rrema u përgjigj pa teklif: i shpjegova se virusi i poshtër që jeton në urinën e Zeusit quhet Demokraci! Por ai mesa duket nuk më beson plotësisht.
-Vërtetë?-iu gërhush gruaja e Zeusit doktorrit që u bë një dorë.
-E besoj zonjë! E besoj! – u përgjigj i tulatur doktorri.
Ke ndonjë ide se si mund ta vrasim këtë virus?- e pyeti gruaja e Zeusit.
Doktorri ngriti supet me mosvetëdije.
Në Paris, doktorri i famshëm i Zeusit mësoi se virusi demokratik që notonte si peshkaqen në urinën e Zeusit ishte në fakt gati i pakurueshëm.
-E vetmja mënyrë për ta luftuar virusin demokratik është që Zeusi ta kruajë kokën me telat me gjemba treqind kilometra të gjata, dhe të pijë urinën e mijëra harabelëve që ai vrau me llastiqet dhe ciften e tij- i tha kolegu francez doktorrit të Zeusit.
Doktorri bëri një gjest heroik, të cilin POETI personal i Zeusit, që bashkëudhëtonte me familjen e Zeusit, do ta derdhte në vargje të famshme poetike.
Doktorri ia lau fytyrën e vogël kolegut të tij Francez me urinën e Zeusit
prandaj edhe poeti personal i Zeusit e titulloi poezine e famshme: “Perse mendohet urina ne fytyren e doktorrit francez?”
– Zeusi, babai im i mirë shpirtëror, i mencur dhe guximtar, nuk ka vrarë as edhe një harabel. -Na, na-i kakarisi doktorri dhe ia plasi të qeshurave kur kundronte me qesëndi pikat e urinës së Zeusit në fytyrën e doktorrit francez.
Mbas vdekjes së Zeusit, u shtuan zërat për përhapjen e virusit të Demokracisë në urinën e mijëra qytetarëve.
Por doktorri kembengulte si mushke se vetëm ai vuante prej virusit të Demokracisë. Për këtë, ai ndoqi dhjetëra seminarë që i organizoi Rrema dhe gruaja e Zeusit! Gjatë atyre seminarëve virusin e trashëguan doktorrët dhe disa studentë të tjere te përzgjedhur me kujdes.
Në mëngjesin e një dhjetori që më vonë do të përshkruhej në enciklopedinë e urinës, si “dhjetori i shenjtë” doktori u shfaq përpara turmës gjigande dhe ngriti triumfalisht dy gishtat në ajër duke ulërire: “Liri –Demokraci”.
Por dy gishtat në ajër për doktorrin do të thonë: “urima e Zeusit dhe urina ime!” Këto fjalë ai i mërmërit sa herë që ai i ngre dy gishtat në ajër përpara turmës së madhe e cila valëvit gjithashtu e egzaltuar në ajër, shishet e urinës së tyre demokratike!
Beqaj: Opozita duhet t’i pranojë kushtet e VV-së, e kjo të lëshojë pak pe
Politikologu Behlul Beqaj, ka thënë se LDK, AAK dhe Nisma për Kosovën duhet t’u binden kushteve të Vetëvendosjes për dialogun, nëse dëshirojnë ta formojnë qeverinë e re.
“Mendoj se ata duhet t’u pranojnë kushtet, nëse e dëshirojnë formimin e qeverisë, pastaj ta trajtojnë Vetëvendosjen si opozitë, meqë PDK duhet ta mbështesë vazhdimin e dialogut”, ka thënë Beqaj, shkruan Epoka e Re.
Në kontekst, ai ka thënë se lëvizja e Albin Kurtit ka nevojë të lëshojë raport pe në raport me kushtet e dialogut me Serbinë.
Sot kryhet rinumërimi i votave
Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe të Rezultateve (QNR), Burim Ahmetaj ka thënë se sot, para orës 24, do të përfundojë procesi i rinumërimit të votave të 439 vendvotimeve.
Ai ka treguar se deri në mbrëmjen e së martës, janë rinumëruar 380 sosh. E kryetarja e KQZ-së Valdete Daka ka thënë se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve do të publikohen të enjten, shkruan Epoka e Re.
Rakiq nuk penalizohet për barrikadën
Goran Rakiqit nuk i është dridhur karrigia as pas vendimit të tij që gjysmën e urës qendrore mbi lumin Ibër ta kthejë në “Park të paqes”, një barrikadë kjo që pengon qarkullimin në qytetin e ndarë etnikisht. Përbën shkelje ligjore vendimi i këtij kryetari të komunës së Mitrovicës Veriore për të mos lejuar lirinë e lëvizjes.
Në asnjë nen të tij, Ligji për vetëqeverisje lokale nuk ia jep kompetencën kryetarit të vendosë për mbyllje rrugësh. Këtë kompetencë nuk e ka as Kuvendi Komunal. Megjithëkëtë, ky institucion ka në përgjegjësi të vendosë për planifikimin urban dhe rural.
Emir Azemi, zëvendëskryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, që popullohet kryesisht nga serbët, ka thënë se çështja e “parkut” kurrë nuk është diskutuar në organin ku është i përfaqësuar./Koha Ditore/
Haziri: Me VV-në na bashkojnë më shumë pika se sa na ndajnë
Lutfi Haziri thotë se LDK prishi njëanshëm koalicionin me PDK-në për shkak të mosfunksionimit të një koalicioni të madh. Ai mendon se LDK’në dhe VV’në i bashkojnë më shumë pika se që i ndajnë.
Ai kështu i është përgjigjur Doris Pack, e cila kishte thënë se Kosovës i duhet një koalicion mes LDK’së dhe VV’së.
“Eurodeputetja zonja Doris Pack e ka dhënë qëndrimin e vetë, që unë e respektoj, por po e ritheksoj se koalicioni LDK-PDK ka qenë në fuqi dhe është ndërprerë njëanshëm nga LDK. Nuk duhet harruar ky fakt. Këtë fakt edhe zonja Pack e di. Prishja e njëanshme e koalicionit ‘guns n’ roses’ nga ana e LDK-së duhet të shihet si momentum kur është divorcuar politikisht koalicioni i madh në Kosovë për shkak të mosfunksionimit.
Nuk është pengesë që edhe me Vetëvendosjen të bisedohet për partneritet, pse jo? Vetëvendosje është forcë politike parlamentare, forcë politike me ideologji të qartë dhe me kërkesa të qarta. Deri tash është punuar në parime programore dhe në angazhime të përbashkëta. Po punohet më shumë në pikat që përafrojnë sesa në pikat që ndajnë. L.H”, ka shkruar Haziri në Facebook.
Nait Hasani: Jeta ime nuk ka përfunduar
Ish deputeti i PDK-së, Nait Hasani ka postuar një fotografi në Facebook, me disa vargje “filozofike”.
“Kam kaluar momente që nuk mendoja se do mund ti kaloja…
Kam jetuar dhimbje që mendoja se po më vrisnin..
Kam përjetuar zhgënjime nga persona që nuk e prisja, pasi atyre vetëm të mira u kisha sjelIur…
Kam pyetje për të cilat nuk kam përgjigje…
Por unë jam këtu, pasi jeta ime nuk ka përfunduar ende, dhe herët apo vonë do vijë dhe dita ime e fitores, sepse unë: UNË NUK DORËZOHEM KURRË..! N.H.”, kashkruan Hasani në Facebook.
Daka: Numërimi i votave ka pëfunduar më 8 qershor
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dala e ka vlerësuar me notat më të larta procesin zgjedhor më 8 qershor, duke thënë se këto zgjedhje ishin më të mirat të mbajtura ndonjëherë në Kosovë dhe se votat janë numëruar në ditën e votimeve.
Daka ka thënë se publiku duhet ta kuptojë që KQZ nuk i numëron votat më. Ajo ka thënë se votat janë numëruar më 8 qershor. Në emisionin “Click” të RTV21 Daka tha se tani në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), numërohen vetëm votat që janë me kusht dhe me postë.
“Të vetmet vota që numërohen në QNR janë votat me kusht dhe votat me postë. Duhet me kuptu edhe publiku që ne nuk i numërojmë votat, më 8 qershor janë numru votat”, ka thënë Daka.
KQZ nuk ka obligim që të kujdeset për skenën politike, por të nxjerrë rezultate të sakta, të pranueshme për të gjithë. Nuk është faji i KQZ-së pse rezultatet kanë dalë ashtu si kanë dalë. Ka pasur spekulime se po rregullohen rezultate.
“Dita e nesërme do të tregojë nëse ka pasur manipulime kur të shohim ndryshimet në rezultat”, tha ajo.
Ajo tha se nga rinumërimi i votave ka pak lëvizje sa u përket partive por se ndryshime ka pasur në votat e kandidatëve, disa prej të cilëve
“Nuk ka manipulime si në vitin 2010, ishin zgjedhjet më të mira të organizuara pas luftës”, tha Daka në “Click” në RTV 21.
Ndërkohë ajo tha se “zgjedhje perfekte nuk ka askund” por se këto zgjedhje ishin mjaft të mira për kushtet e Kosovës.
1000 maturantëve iu anulohet provimi i maturës
Provimi Shtetëror i Maturës pritet të anulohet në 5 deri në 7 shkolla me 600 deri në njëmijë nxënës, kanë njoftuar burime të Kosovapress-it brenda Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Sipas këtyre burimeve, deri më tani nuk janë verifikuar të gjitha rastet e keqpërdorimit të këtij provimi në ditën e parë të mbajtjes së tij më 14 qershor, por i njëjti mund të anulohet edhe për 100 raste individuale të cilat ka bazë se e kanë keqpërdorur testin duke kopjuar apo në mënyra tjera si dhe do të ngritët kallëzim penal për së paku 2 mësimdhënës.
Burimet e njëjta nuk kanë thënë se në cilat qendra apo komuna do të anulohet ky provim, por kanë shtuar se nëse arrihet që të verifikohen të gjitha rastet e keqpërdorimit, të njëjtat do të publikohen nesër, më 25 qershor 2014.
Dita e parë e Provimit Shtetëror të Maturës 2014 ishte mbajtur në tërë Republikën e Kosovës më 14 qershor, derisa këtij testi i ishin nënshtruar mbi 40 mijë maturantë.
Krasniqi: Nuk e prishim Kosovën me botën
Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA për Kosovën, Jakup Krasniqi, është i bindur se koalicioni opozitar, i cili po synon ta krijojë Qeverinë, pas zgjedhjeve të 8 qershorit, nuk do të jetë kundër dialogut me Serbinë dhe ai nuk lëshon pe në këtë pikë.
Në një bisedë për Politiko.net, ai thotë se është interesi i Kosovës dhe Rajonit të që problemet ekzistuese të zgjidhen dhe marrëdhëniet të normalizohen.
Sa u përket kushteve të vetëvendosjes për këtë çështje, Krasniqi mendon se as koalicioni dhe as Qeveria nuk duhet të lidhen me asnjë kushtëzim.
“Ne nuk jemi kundër dialogut. Ne jemi për dialog. Është edhe interes i Kosovës edhe i Rajonit që problemet ekzistuese të zgjidhen me dialog. Pastaj, cila do të jetë vajtja e dialogut, mendoj se është një çështje krejt tjetër. Por, realisht, as koalicioni, as mundësia e formimit të Qeverisë së re, nuk duhet të lidhet me asnjë kushtëzim. Mendoj se për këto çështje duhet të bisedohet dhe që kjo qeverisje të jetë një platformë e përbashkët” ka thënë ai.
Krasniqi ka thënë se askush nuk duet të jetë kundër dialogut.
“ Mendoj se askush nuk duhet të jetë sot kundër dialogut. Pse me qenë kundër dialogut, kur çështjet duhet të shtrohen dhe pala shqiptare duhet të ketë të qartë çka duhet të bisedojë dhe cili është interesi. Ne jemi të bindur se interesi ynë dhe i gjithë rajonit është për t’i normalizuar marrëdhëniet me të gjitha vendet fqinje, përfshirë edhe Serbinë” ka thënë ai.
Kryeparlamentari në detyrë duke komentuar mundësinë e prishjes së koalicionit për shkak të dialogut për shkak të refuzimit të VV-së, ka thënë se kjo nuk është në interes të Kosovës.
“Kjo nuk dihet, realisht, varet shumë prej tyre. Por, një gjë e di që nuk është interesi as i Qeverisë, as i Koalicionit dhe as i Kosovës që të kundërshtohet paraprakisht dialogu. Dialogu duhet të zhvillohet, por ai duhet të jetë i përgatitur mirë” ka thënë ai.
Krasniqi ka thënë se VV në një mënyrë a në një tjetër e ka mbështetur koalicionin.
Është vështirë të themi, unë nuk jam pjesë e bisedimeve në këtë fazë, natyrisht ne jemi duke vazhduar me bisedime, por këto janë çështje që duhet të bisedohen mes subjekteve politike që e kanë shpallur Koalicionin dhe Vetëvendosjes e cila në një formë ose një tjetër ka pranuar që të jetë mbështetëse e këtij koalicioni. Do të varet shumë nga udhëheqësit kryesorë të Koalicionit. /Politiko.net/