Home Blog Page 8490

Florian Dushi: Kadri Kryeziu duhet të japë sot dorëheqje nga Gjykata Kushtetuese

0

Florian DushiAnëtari i LDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Florian Dushi, është i pari që po ia kërkon dorëheqjen gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, i cili po shkon pas Hashim Thaçit në fushatë

“Ja kush gjykon për shkelje të Kushtetutës, ky bile “vlerësoi” kinse “shkeljen” e kushtetutës edhe nga ana e presidenteve të Kosovës! Nëse kjo është kështu, ky zotëria, nuk ka nevoje me e pritë të hënën për me e shkru dorëheqjen, duhet qysh sot!”, ka kërkuar Dushi.

Kadri Kryeziu është parë dje në Prizren duke marrë pjesë në tubimin parazgjedhor të Hashim Thaçi.

Në këtë mënyrë, Kryeziu ka shkelur kodin e Gjykatës Kushtetuese për paanshmëri politike

Ramush Haradinaj premton edhe Agrofond

0

ramush haradinaj, drejtimi i riLideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka ndarë për një orë nga puna e tyre të gjithë përfaqësuesit e bizneseve në Rahovec, për t’ju treguar se nga 8 qershori, nën drejtimin e tij të Qeverisë së Kosovës, do përkushtohet maksimalisht për favorizim të produkteve vendore dhe do të heqë tatimin për lëndën e parë dhe pajisje të prodhimit.

Ai ka dhënë zgjidhje edhe për kreditë për sipërmarrësit, për të cilat thotë se kamatat janë të larta dhe interesi është i lartë, e fondi garantues si hipotekë, do të ju krijojë lehtësira për ulje të kamatës, por përmend edhe agrofondin ndaras nga ky fond, që do të krijohet për sektorin e bujqësisë.

Haradinaj thotë se ka mobilizuar resurset dhe beson se do të udhëheqë me vendin pas 8 qershorit, bazuar në programin e tij, e që thotë se është hartuar nga ekspert vendorë dhe të huaj, e ai është garantues dhe kritikoi idenë e liderit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, për fondin 1.5 miliardë eurosh, transmeton Express.

“Është e pamundshme me e bazue, për shembull, ashtu siç e thotë z. Thaçi se përmes një fondi 1.5 ne do ta zhvillojm? Kosovën. Kur e ndanë atë nëpër vite, janë rreth 300, ndërsa kur e dinë se si është menaxhue deri tash buxheti del që, diçka nuk mjafton në këtë planifikim. Nëse flasim për katër vitet që vijnë. Në rast se e kuptojmë po ashtu se ai po menon me i marrë ta zamë kursimet e pensioneve, kjo o pak me rrezik me i marrë ato kursime për me vepru në këtë mënyrë, se mund të krijojë vakume dikun, që shkaktojnë pengesa, e dini vetë kem jetu gjithë në shoqëri që ka pasë pensione diku, ose e dimë që i ka tjetër kund, ato e kanë një far statusi të caktum që janë bukur të papërdorshme, për me i përdorë ato është një proces më i vështirë. Mirëpo ajo që kem parapa ne është pak ma ndrysh…I kemi 1 trilion dollarë pasuri nëntokësore, në rast se fillojmë menjëherë me gjenerim, edhe fillojmë me faktorizimi edhe i kemi këto si hipotekë na nuk kem nevojë me pritë gjatë, për me mujtë me ndodhë edhe rritja e buxhetit, por j o përmes rritjes së tatimeve në ekonomi”, deklaron Haradinaj.

Aty u prezantuan kandidatët për deputet të kësaj ane.

E Smajl Latifi, ish- kryetar i AAK-së në Rahovec, tashmë edhe kandidat për deputet, deklaron se nëpërmjet biznesit do të jenë bartës të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe pas zgjedhjeve do të jenë implementues të kërkesave, nevojave, dhe interesave të bizneseve.

“Dhe vetëm një gjë dëshiroj të them para jush se ashtu siç jemi në fakt, njerëz të pastër, ndershëm, të përkushtuar, do të jemi edhe më tutje, dhe tani e tutje pas 8 qershorit do të kemi mundësi me i implementu kërkesat, nevojat dhe interesat e juaja, sepse gjykojmë me plotësi se ju jeni bartës të zhvillimit ekonomik, jo vetëm të komunës tonë, por edhe të Kosovës”, shprehet Latifi.

Nga Komuna e Rahovecit në listën e kandidatëve për deputet të AAK-së, janë Smajl Latifi, Luan Jaha, Xhevdet Duraku e Florie Boshnjaku, kurse bashkë me ta të pranishëm sot ishin edhe dy kandidatë të tjerë për deputetë Lahi Brahimaj e Laura Kryeziu.

Begaj: Thaçi do të pësojë debakël më 8 qershor

0

RagipBegaj-kryetariMalishevesKryetari i Malishevës, Ragip Begaj, ka thënë se Hashim Thaçi po mundohet t’i manipulojë qytetarët përmes premtimit për komuna të reja. Begaj thotë se PDK dhe Thaçi do të pësojnë debakël më 8 qershor ashtu qysh humbën Malishevën, Mitrovicën, Gjilanin, Lipjanin, Ferizajn e Vitinë
Kryetari i Malishevës, Rabig Begaj ka reaguar pas deklaratës së Hashim Thaçit se edhe Kijevën do ta bëjnë Komunë.

Begaj ka thënë se Qeveria dhe Hashim Thaçi janë duke ndjekur shembullin e themelimit të universiteteve me themelimin e komunave të reja.

Sipas tij, ashtu siç janë degraduar universitetet, PDK po mundohet të degradojë edhe komunat e reja.

“Degradimi i arsimit ka filluar me themelimin e shumë universiteteve dhe kështu po ndodh edhe me degradimin e komunave”, ka thënë Begaj, për Express.

Ky zyrtar i Partisë së Fatmir Limaj thotë se Hashim Thaçi po premton gjithçka vetëm për të mbajtur pushtetin.

“Është çështje e fushatës dhe nuk besoj se është e dobishme. Vullnetin e qytetarëve nuk e kundërshtoj. Vullneti i qytetarëve duhet të shprehet përmes një referendumi dhe të pyeten qytetarët se çka mendojnë për një komunë të re”, ka thënë Begaj, për Express.

Sipas tij, Qeveria s’ka strategji se pse po i themelon komunat prandaj edhe projekte të tilla do të dështojnë.

“Besoj se kjo është e dëmshme për vendin”, ka thënë ai.

Begai i është kundërpërgjigjur Thaçit, i cili kishte thënë në Malishevë të mos votohen ata që nuk e kalojnë pragun zgjedhor.

Sipas tij, Partia e Hashim Thaçit ashtu siç ka pësuar debakël në zgjedhjet e fundit do të fundoset më 8 qershor.

“Edhe për Malishevën ka thënë se janë parti e mahallave, por ka pësuar debakël edhe në Malishevë, edhe në krejt Kosovën”, ka thënë ai.

Besim Beqaj: Isa Mustafa mund të arrestohet

0

besim beqajMinistri i Financave, Besim Beqaj ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës mund të mbetet pa liderin e saj, Isa Mustafën kjo për shkak se ai mund të përballet me ligjin.

Këto komente ai i bëri gjatë një debati televiziv në ‘Klan Kosova’ ku u fol për platformën e subjekteve partiake sa i përket politikave për taksat ku të ftuar ishin përfaqësues të partive kryesore në vend.

Në përballje me Hikmete Bajramin nga LDK e cila akuzoi Partinë Demokratike për kryetarët e komunave të cilët janë të dënuar por po refuzojnë të shkojnë në burg, Beqaj u kundërpërgjigj:

“Jemi dëshmitarë të arrestimeve që po bëhen çdo ditë dhe ju nuk e dini a do ti keni udhëheqësit tuaj dhe liderin tuaj nesër në pushtet”.

Ai akuzoi LDK-në se gjatë udhëheqjes së komunës, kësaj partie i kanë tepruar 18 milionë euro nga buxheti por ende ju kanë mbetë hapur disa gropa. Duke marrë parasysh një gjë të tillë, sipas tij, është e tepërt qe kjo parti të flasë për buxhet.

Tutje, duke folur për programin e Partisë Dekomkratike, Beqaj tha se partitë tjera po e marrin si model Misionin e Ri të PDK-së madje duke e kopjuar atë.

“Një pjesë të programeve i kam lexuar, është një tendecë për kopjim por kopjimet janë të kqija. Besoj se misioni ynë është bërë model për të gjithë”, tha Beqaj.

Ministri në detyrë përmendi disa nga premtimet e realizuara nga PDK siç janë, rritja e pagave, heqja e TVSH-së për produktet primare bujqësore si dhe për mjetet e informimit, rritja e pagave etj, transmeton Reporteri.net

Jakup Krasniqi: Nisma sot është sikur UÇK para 20 vjetëve

0

JakupKrasniqi10-29Kryetari i Këshillit Kombëtar i NISMA për Kosovën, Jakup Krasniqi ka pasur takim më qytetarët e Besianës.

Krasniqi ka thënë se NISMA është themeluar për të sjellë një frymë të re politike, një filozofi të re politike, energji të reja pozitive dhe një shpresë të re për qytetarët e Kosovës.

“Si para 20 viteve kur ishte e domosdoshme UÇK-ja për ta ndryshuar gjendjen në Kosovë, ashtu edhe sot është e domosdoshme që politika në vend ta ndryshoj qasjen ndaj shtetit të së drejtës, për shtetin që qytetarët e saj do të ndihen mirë dhe do të bëjnë një jetë kualitative”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, subjektet politike ekzistuese janë bërë pengesë e ndërtimit të shtetit, dhe gjitha zhvillimeve që kanë ndodhur, gjë e cila sipas tij u konfirmua në muajt e fundit.

Krasniqi gjithashtu ka thënë së Kosova dhe qytetarët e saj duhet ta gëzojnë këtë realitet të ri, por ky realitet nuk mund të bëhet nëse njerëzve u mohohet e drejta për të folur lirshëm.

“Mjerë ai vend dhe mjerë ajo demokraci që qytetarët e saj nuk guxojnë me u shpreh lirshëm, vetëm pse dikush i largon nga puna. Ta largojmë një herë e përgjithmonë këtë situatë nga jeta jonë, ajo nuk e ndihmon ndërtimin e shtetit demokratik. Ne ju themi atyre që i frikësojnë njerëzit se qytetarët duhet të jenë të lirshëm të vendosin për fatin e tyre, ashtu siç dëshirojnë ata, dhe se askush nuk guxon ti pengoj për dëshirat e tyre”, ka vlerësuar Krasniqi.

Format e mrekullueshme të Adelinës

0

9879Këngëtarja shqiptare nga Maqedonia, Adelina Tahiri, po bëhet gati të sjellë një këngë të re.

Ajo po përgatit edhe videoklipin e këngës, teksa me fansat e vet ka ndarë një foto gjatë xhirimeve.

Nga foto Adelina duket në një formë të shkëlqyer dhe si gjithmonë, shumë seksi.

Enkelejdi i “BB7”: Vajzat më gjuajnë, por s’e tradhtoj gruan

0

enkelejdiEnkelejdi është konsideruar si një nga konkurrentët më të bukur të reality show-t “Big Brother”. Shumë e krahasojnë djaloshin biond me aktorin e famshëm Brad Pit, dhe vetëm me pamjen e tij, ai ka bërë shumë fansa, kryesisht femra. Enkelejdi u eliminua nga shtëpia e famshme, pa e ditur që jashtë e priste një vëmendje e madhe dhe shumë njerëz që donin ta takonin. Megjithatë ai është djalë serioz, shumë i dashuruar me bashkëshorten, dhe famën po e shijon “brenda caqeve të lejuara”. Në këtë intervistë për “Bluetooth”, i eliminuari i radhës nga shtëpia e “Big Brother”, rrëfen se ndoshta do e shohim sërish në televizion; kësaj here në filma artistikë apo si prezantues emisionesh.

A e prisje që të premten e shkuar do të të eliminonin ty?

Edhe e prisja, edhe s’e prisja. Mendoj që më eliminuan, sepse këto javët e fundit nuk jam shprehur fare. Isha mbledhur në vete dhe nuk flisja shumë. Nuk merresha dot me thashetheme dhe spiunllëqe. Nuk shprehja mendimin tim dhe nuk vija në dukje të këqijat e të tjerëve, siç bënin ata gjithë kohën.
Çfarë ndodhi natën pasi dole nga shtëpia? Ku shkove, kë takove?
Në fillim isha në studio, ku takova edhe babin. Pastaj na çuan në një club, dhe pastaj shkova në shtëpi.

Kemi parë foto të tuat ku përqafohesh me disa femra. E mendoje që kishe bërë kaq shumë fanse femra?

Të them të vërtetën, nuk e kisha menduar. Të gjithë fansat që kam bërë më kanë treguar shumë dashuri. Vlerësimi i tyre më jep shumë forcë. Çdo ditë më ndalojnë njerëz të moshave të ndryshme, jo vetëm vajza të reja. Ka shumë gjyshe me nipërit dhe mbesat e tyre, ka njerëz të moshës së prindërve të mi, ka moshatarë të mitë, fëmijë të vegjël, dhe të gjithë më flasin me dashamirësi.

Megjithatë, fanset e tua më të mëdha janë vajzat, që të pëlqejnë për pamjen tënde… Çfarë të thonë ato kur të takojnë?

“Enkelejd, a mund të bëjmë një foto?” (qesh). Disa të tjera më ftojnë për kafe. Shumë të tjera më shkruajnë në “Facebook”.

Të ka shprehur ndonjëra dashurinë në “Facebook”? Apo vetëm të bëjnë komplimente?
Të dyja këto (qesh).
Me bashkëshorten, je takuar?
Jo, sepse ajo banon në Nju York. Kemi folur në telefon dhe plani i saj është që të vijë sa më shpejt këtu, për të qëndruar pranë meje.

Çfarë të ka thënë ajo për qëndrimin në “Big Brother”?

Më tha që më ndiqte gjithë kohën me familjen dhe me miqtë e saj. Më tha që e kam bërë krenar dhe që duke më parë atje ra në dashuri me mua për herë të dytë (qesh).
A bëhet Suzana xheloze për ty? A e rrezikon distanca dhe fama jote marrëdhënien tuaj?
E kemi biseduar edhe këtë, ndaj plani është që ajo të vijë sa më shpejt e të jemi bashkë. Suzana është xheloze, por jo deri në çmenduri. Nuk më bezdis shumë me pyetje. Kuptohemi mirë dhe kemi besim tek njëri-tjetri. Duke qenë se e kemi jetuar lidhjen në distancë, ka pasur edhe momente krize apo xhelozie, por duke biseduar, gjithmonë kemi gjetur mënyrën për të qëndruar me njëri-tjetrin. Çfarëdo që të ndodhë, ne jemi të vetëdijshëm që duhemi fort dhe do vazhdojmë bashkë.

Çfarë planesh ke për më vonë? Ku do të jetosh dhe çfarë pune do të bësh?

E vërteta është që, po pres oferta për punë dhe në bazë të tyre do të vendos.
Çfarë pune di të bësh ti?

Pasioni im gjithmonë ka qenë kinemaja. Po pres që të më bëjnë oferta për role në filma brenda apo edhe jashtë Shqipërisë. Përveçse të aktroj, mua më pëlqen modelingu dhe televizioni. Normalisht që edhe unë, si të gjithë, kam nevojë për një punë dhe pas kësaj aventure vetëm kam harxhuar dhe s’kam punuar.
Po nëse s’do të marrësh asnjë ofertë, çfarë do të bësh?
Siç kam bërë gjithë jetën. Unë kam punuar që i vogël, ndaj, nëse do të jetë nevoja do t’i kthehem prapë llaçit (qesh).

Pushimet, ku do i kalosh?

Po pres të vijë Suzana dhe bashkë do të vendosim. Do të më pëlqente t’i tregoja asaj pak më shumë nga Shqipëria. Besoj se një pjesë të pushimeve do e bëjmë këtu, dhe ndoshta do lëvizim edhe jashtë. Duke parë e duke bërë.
Nga banorët që kanë mbetur në lojë, sipas teje, kush nuk e meriton të shkojë në finale?
Nuk mund të them asnjë emër, sepse mendoj që, fakti që janë ende brenda do të thotë që secili ka dhënë diçka, qoftë edhe me prezencën e vet.
Kush e fiton këtë edicion?
Do e fitojë ai që është pëlqyer më shumë në publik (qesh). Mendoj dhe uroj që fitorja të ndahet midis Valerit dhe Nevilës.

(er.nu/Bluetooth/BalkanWeb)

Çështje dinjiteti

0

Fatos baxhakuFatos  BAXHAKU

Shumë gjëra kanë ndryshuar qëkurse edhe ne, më të mbramit e Europës, vendosëm që të bashkohemi me sojin e kombeve që jetojnë në demokraci. Ka ndryshuar për shembull qasja jonë me botën, falë zhvillimit të internetit dhe të lëvizjes së lirë, ka ndryshuar mënyra jonë e të veshurit, falë rritjes së mundësive ekonomike, ka ndryshuar mënyra jonë e të festuarit dhe të pushuarit, ani pse jemi shumë herë të potershëm deri në agresivitet, ka ndryshuar… plot gjëra. Por këto zhvillimet e fundit na bëjnë ta vrasim mendjen se mbase një gjë, më thelbësorja në jetën e çdo njeriu, ka mbetur e ndrydhur e varur, e frikësuar. Kjo gjë quhet dinjiteti njerëzor. Rritja e shkallës së lirisë nuk ka ecur paralel me atë të dinjitetit, përkundrazi, shumë herë këto dy palë shina i janë larguar njëra-tjetrës.

Dinjitet mbase në të dëgjuar të parë është një fjalë e madhe. Porse në thelb nuk është gjë tjetër veçse ndjenja që i buron secilit prej nesh a – më mirë me thënë duhet t’i burojë secilit prej nesh – nga vlerësimi i vlerave morale që i njeh vetes dhe nga dëshira që kemi jo vetëm për t’i ruajtur këto vlera, por edhe për t’i shfaqur ato. Me këtë ndjenjë janë marrë gjatë shkollat e filozofisë që e vendosnin njeriun në qendër të vëmendjes. Tendenca për të afirmuar dinjitetin njerëzor dhe qenien njerëzore si të padefinueshme, si të paçmim, si një gjë të shenjtë edhe mbi vetë Zotin, dhe pra që nuk duhet diskutuar i dha udhë njërës prej lëvizjeve më progresive që ka njohur historia njerëzore: Rilindjes Europiane. Për të mos u zgjatur shumë me filozofira me dinjitet njerëzor do të kemi parasysh në këto pak radhë atë që në gjuhën e përditshme e quajmë “nami i mirë” i njërit apo tjetrit dhe me mënyrën se si individë të ndryshëm mundohen ta përballojnë këtë peshë të përditshme.

Në pamje të parë greva e urisë që ka disa ditë që ka nisur mund të duket një akt i pastër dinjiteti. “Ju më hoqët nga puna, atëherë unë po ju tregoj se kam plotësisht të drejtë. Dhe për ta vërtetuar këtë jam gati të shkoj deri në vetëflijim!”. Ky është pak a shumë sensi i çdo greve të urisë. Më të njohurat kanë qenë dy grevat e urisë të Mahatma Gandit, njëra kundër politikës angleze dhe tjetra kundër politikës së vetë indianëve. Më të paepurit në greva urie kanë qenë irlandezët. Njëra prej tyre kundër politikës angleze më 1920 ka zgjatur plot 94 ditë. Ajo është shënuar krahas rekordeve të tjera në librin e rekordeve Guiness. Vdekja e një grevisti të urisë në burg, Bobi Sands më 1981, e detyroi qeverinë britanike që të bënte një sërë ndryshimesh në trajtimin e të burgosurve të IRA-s. Në Turqi më 1996 dhe 2000 grevat e urisë u shndërruan në një fenomen masiv ndër burgje. Në rastin e parë doli në pah ndërmjetësimi i disa intelektualëve mes të cilëve edhe Jashar Qemali e Orhan Pamuku, në rastin e dytë greva u mbyt me dhunë nga policia dhe aksioni u quajt me emrin “kuptimplotë” Rikthim në Jetë. 28 të burgosur grevistë dhe 2 policë humbën jetën gjatë trazirave të vitit 2000.

Greva e urisë pra është një akt vetëflijimi në dukje shumë dinjitoz, ndonëse në një këndvështrim është edhe akti më dëshpërues i mundshëm. Vetë akti protestues, por edhe pasojat e tij te njerëzit që kalojnë këtë provë ekstreme mund të lërë pasoja të rënda të pakthyeshme në shëndetin e njeriut. Mungesa për një kohë të gjatë e vitaminave, por sidomos e vitaminës B, sjellin simptomat e asaj që mjekët e quajnë sindroma Vernike-Korsakov, shfaqjet më evidente të së cilës janë marrje mendsh, të vjella, dridhje të trupit, mungesë orientimi, harresë, sjellje të çuditshme… Një pjesë e mirë e këtyre shenjave janë të pariparueshme përgjithnjë.

Sikurse e thamë edhe më lart greva e urisë është jo vetëm një e drejtë, por edhe një akt dinjitoz proteste. Puna është se sa dinjitoze sillet shoqëria, pjesa tjetër, e atyre që hanë përditë, me këtë akt. Dhe këtu na duket se kemi mungesë të theksuar dinjiteti. Më e para nga të gjitha kur përsëritet vend e pa vend greva e urisë e humbet efektin e saj tronditës. U përdor nga PS në opozitë, po përdoret tash nga PD në opozitë. Deklaratat se greva nuk është e politizuar nuk ka përse thuhet, sepse nuk e beson njeri në një vend ku është e politizuar deri edhe vetë sfilata e miseve bukuroshe. Kështu që ai, apo ata që e kanë nxitur, këshilluar, organizuar, që kanë bërë të përdëllyerin me grevistët e pafat, nuk kanë bërë aspak një veprim me mend. Të paktën të tregoheshin më ndryshe nga kolegët e tyre të llogores matanë.

Nga ana tjetër kemi qeverinë që deri më tash është treguar krejt indiferente ndaj protestës me uri. Mbase jo vetë “të mëdhenjtë”, por emisarë të tjerë të dërguar prej saj, mund të hynin në bisedime me grevistët sa kohë që situata nuk do të përkeqësohet pa kthim. Ose mund të gjendej një zgjidhje tjetër. Ne kemi marrë arbitra ndërkombëtarë për një finale të Kupës së Republikës në futboll! Përse një nga ambasadorët që dalin përditë me aq zell në lajme të mos ishte bërë ndërkohë ndërmjetës mes grevistëve dhe qeverisë?

Mënyra se si po shpërfillet përgjithësisht greva e urisë fare pranë Kryeministrisë duhet të na shërbejë edhe për rihapur një çështje tjetër. Kjo grevë nuk do të kishte ndodhur nëse ndër ne, ndër kryet tanë, të mos ishte ngulitur një gjë që nuk ka lidhje as me dinjitetin, as me demokracinë dhe as me meritokracinë. Ky është premtimi herë i hapur dhe herë i fshehtë i partive nga të dy krahët se po të jesh militant majtas apo djathtas të paktën për katër vjet e ke të garantuar një punë në shtet. Kështu që në njëzet e ca vjet në shkallë të madhe sidomos në administratën e rretheve apo në atë të shkallës së dytë është përsëritur e njëjta histori. Pala fituese largonte palën humbëse dhe vendoste të vetët në poste zyrtare. Nëse ndonjë militant nuk kënaqej atëherë plaste poterja e kuja që bindte dhenë: Unë që kam dhënë kaq shumë për partinë të mbetem pa punë!? Mbase jo të gjithë, por ama një pjesë e mirë e jona edhe në zgjedhjet e fundit kanë shkuar në votime jo për të shprehur bindjet, simpatitë, apo shpresat për të ardhmen, por për të “kapur” ndonjë vend pune të rehatshëm në administratë. Këtë mënyrë të të bërit politikë e kanë nxitur sigurisht, në radhë të parë, vetë partitë. Nëse me kohë do të kishte ndodhur ndryshe, atëherë do të kishim të paktën një grevë urie më pak. E tash nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i lutemi Zotit që t’ua lehtësojë udhën e vështirë protestuesve të urisë dhe t’ia ndriçojë mendjen ndonjë të mençuri që të kujtohet se përmes tolerancës dhe dinjitetit nuk ka asnjë telash që të mbesë i pazgjidhur.

Vetëm 3369 votues nga diaspora

0

zgjedhjet5KQZ në Prishtinë ka pranuar 3936 aplikacione për regjistrim nga diaspora, ndërsa i ka certifikuar vetëm 3369 aplikues. Opozita e quan dështim qeveritar anashkalimin e mërgatës.

Diaspora kosovare, që përbën një të tretën e trungut demografik të vendit, sërish ka mbetur jashtë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që mbahen më 8 qershor në Kosovë. Edhe kësaj here vetëm 3900 mërgimtarë, nga mbi 700 mijë sa janë jashtë vendit, kanë aplikuar për t’u regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për t’u bërë pjesë e listave të votuesve.

Kjo pjesëmarrje kaq e vogël e diasporës në Prishtinë arsyetohet me mungesën e informimit të mërgatës për t’u regjistruar në lista zgjedhore. Madje, thuhet se natyra e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare e limiton teknikisht periudhën e regjistrimit të mërgatës në listat e votuesve.

Enis Halimi është kryeshef i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Ai tha për albinfo.ch se periudha e regjistrimit për votim jashtë Kosovës ka filluar më 13 maj dhe ka përfunduar më 19 maj 2014.

Gjatë kësaj periudhe KQZ, sipas tij, ka pranuar 3 936 aplikacione për regjistrim, ndërsa janë regjistruar suksesshëm 3369 aplikues. “Gjegjësisht nga diaspora kemi 3369 votues të përfshirë në listën e votuesve jashtë Kosovës për këto zgjedhje”, precizoi Halimi.

Në pyetjen se a ka qenë diaspora e njoftuar sa duhet lidhur me procesin zgjedhor, ai tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme ka obligim informimin e votuesve për të gjitha periudhat zgjedhore, duke përfshirë edhe tv. spote dhe radio spote, por edhe njoftime nëpër gazetat ditore që botohen jashtë vendit.

Sipas Halimit, faza e votimit për ata që janë regjistruar fillon më 27 maj dhe zgjat deri më 6 qershor 2014. “Aktualisht jemi në përgatitjet përfundimtare që kanë të bëjnë me dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit, të cilët suksesshëm kanë aplikuar për regjistrim për votim jashtë vendit”, deklaroi Halimi.

Ndryshe për periudhën e regjistrimit për votimin jashtë vendit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë aplikacione në 190 pika, në 2 shtete të botës. Në pikat shpërndarëse janë të përfshira ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës në të gjitha kontinentet.

Diaspora e Zvicrës, më e interesuara për zgjedhje

Nga aplikacionet e pranuara nga KQZ prin Zvicra me 1307 aplikacione, pasuar nga Gjermania me 1268, ndërsa e treta vjen Austria me 234 aplikacione të plotësuara. KQZ, sipas një raporti që ia ka dërguar albinfo.ch, i ka refuzuar si të pasakta 138 aplikacione të Zvicrës dhe 146 të Gjermanisë.

Ndërsa ministri në largim i Diasporës, Ibrahim Makolli, thotë se afatet e shkurtra për organizimin e zgjedhjeve e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e duhur të mërgatës në zgjedhje. Sipas tij, vetë shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare i limiton procedurat për informim dhe votim.

Dhe në këtë vazhdë, sipas tij, diaspora nuk ka pasur kohë të mjaftueshme që të informohet për votim me postë, e madje as të marrë aplikacionet e duhura për regjistrim. Ai tha se edhe kësaj here, sikurse dhe herëve të tjera, i është bërë e padrejtë diasporës sa i përket votimit.

“Por shpresojmë se këto janë zgjedhjet e fundit që diaspora kosovare anashkalohet nga procesi zgjedhor. Ky lëshim duhet të shërbejë si leksion posaçërisht për Kuvendin e Kosovës, që në zgjedhjet e ardhshme t’u krijojë infrastrukturë mërgimtarëve që edhe ata të bëhen pjesë e vendimmarrjes”, deklaroi Makolli.

Ai tha se përveç votimit me postë, diasporës duhet t’i krijohet mundësia edhe për votim në vendet ku jetojnë, e mbi të gjitha votim elektronik.

Në pyetjen se a do të ishte më mirë që zgjedhjet të mbaheshin në korrik ose gusht, kur mërgata vjen në Kosovë, Makolli tha se “edhe kjo nuk do të ishte zgjidhje”.

“Edhe në këtë periudhë të gjithë mërgimtarët nuk do të mund të votonin. Por, e rëndësishme është që atyre t’u krijohet infrastrukturë për votim në vendet ku jetojnë, qoftë duke votuar atje nëpër ambasada, ose edhe më mirë, votim elektronik”, deklaroi mes tjerash ministri që tashmë e përfundon mandatin, Ibrahim Makolli.

Opozita: Qeveria po e anashkalon diasporën

Ndërsa Jahja Lluka, kryesues i Departamentit për Diasporë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, akuzoi Qeverinë që nuk iu ka krijuar kushte mërgimtarëve për të marrë pjesë në zgjedhje. Ai tha se diaspora në vijimësi është anashkaluar nga institucionet e vendit, duke mos iu dhënë mundësi që të jenë pjesë e vendimmarrjes./albinfo.ch/

Lëshimi i parë, sipas Llukës, është bërë që atyre nuk u është krijuar mundësi t’i kenë deputetët e vet në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa lëshimet e tjera kanë ardhur duke i anashkaluar nga zgjedhjet. “Ne konsiderojmë se atyre u është dashur t’u mundësohet votimi aty ku janë, nëpër ambasadat e Kosovës dhe të Shqipërisë”, tha Lluka.

Përfaqësuesi i AAK-së po ashtu i konsideroi jo të sakta shifrat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës se në diasporë jetojnë rreth 700 mijë kosovarë. Ai tha se kjo shifër, pa i përfshirë shqiptarët në Turqi, kalon mbi 1 milion mërgimtarë, ndërsa rreth 300 mijë prej tyre, siç tha Lluka, janë votues potencial.

Sipas tij, kur shihet se sa është numri i tyre i regjistruar për zgjedhje, atëherë është tepër shqetësuese.

“Kur është e nevojshme, diasporës ia marrim 700 milionë euro çdo vit duke siguruar paqe sociale në Kosovës, e më pas Qeveria i anashkalon dhe i injoron si të mos ishin pjesë jona”, deklaroi mes tjerash Lluka.

Ndryshe edhe në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013 është vërejtur një pjesëmarrje e vogël e mërgimtarëve në zgjedhje. Vetëm 1500 bashkatdhetarë u regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, që gjithashtu ishte shpërputhje radikale me numrin e bashkatdhetarëve në diasporë.

Johansson nuk dëshiron të jetë simbol seksi

0

JohanssonAktorja e Hollywoodit, Scarlet Johansson, e cila shumë herë është shpallur femra më e bukur në botë, ka deklaruar se mezi pret të plaket që të mos jetë objekt i epshit.

Scarlet, e cila është në muajin e gjashtë të shtatzënisë ka thënë se mezi pret të plaket që meshkujt mos ta konsiderojnë më simbol seksi.

“Nuk dua që përjetësisht të më konsiderojnë ‘fytyrë bukur’. Është super të jesh glamuroze por nuk dua që gjithmonë të jem në trend dhe të më vëzhgojnë si objekt epshi”, ka deklaruar ajo.

Artistja po pret fëmijën e parë me Roman Doriakun me të cilin u martua në fillim të vitit të shkuar.