11.3 C
Prizren
E enjte, 23 Tetor, 2025
Home Blog Page 8909

Kurti: Kosova tash është shtet në rrënim

0

Albin Kurti ne prizrenKryetari i Lëvizjes Vetëvendosje! Albin Kurti, tha në Prizren se ratifikimi i  marrëveshjes Thaçi-Daçiç, ka ndryshuar për së keqi shteti i Kosovës. “Para një jave ishte tjetër Kosovë, tash është tjetër Kosovë”, tha Kurti.

Sipas tij, kjo marrëveshje e ratifikuar e ka bërë Serbinë hisedare në shtetin e Kosovës.”Kosova tash është shtet në rrënim. Asociacioni i komunave është më i fuqishëm se Kuvendi e Qeveria, karshi Presidentes e Kryeministrit. Ai vetë zgjerohet, dhe me vetëdëshirë shpërbëhet. Tash, në vend se veriu t’i bashkohet Kosovës e komunave tjera në Kosovë, Graçanica po i bashkohet veriut. Ne u përpoqëm me gjitha forcat ta ndalim ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, por deputetët me ndihmën e forcave të sigurisë, e ratifikuan atë. Gjendja ndryshon nëse ne punojmë dhe angazhohemi për të mirën tonë”, tha Kurti në një tubim të organizuar në lgajen “Ortokoll” në Prizren.

Kurti ka folur edhe për alternativën qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje! Ai tha se Vetëvendosje! ka tri shtylla kryesore: shtetin e së drejtës, shtetin zhvillimor dhe shtetin social. “Kosova nuk është e varfër për shkak të të varfërve që i ka, por për shkak të të pasurve që i ka. Varfëria e masave, nuk është turpi i masave, porturpi i elitave”, tha ai.

Sipas tij, zhvillimi i vërtetë vjen prej prodhimit dhe fabrikave.“Ne kemi nevojë që ta zëvendësojmë importin me prodhim vendor, si dhe ta rrisim eksportin, për shkak të deficitit të thellë tregtar që kemi”, tha Kurti.

Kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje ! në Prizren, Arbër Rexhaj, në këtë tubim ka folur për organizimin e Lëvizjes në Prizren. Rexhaj përmendi disa nga aktivitetet që i ka organizuar kjo Qendër, duke denoncuar parregullsitë e shumta që janë bërë nga pushtetarët e Prizrenit. “Si Lëvizjes Vetëvendosje ! në Prizren, veprojmë në dy sfera, përmes aksioneve, protestave e demonstrative si dhe përmes rrugës institucionale. Përmes këtyre dy sferave ne kemi denoncuar shumë parregullsi të qeverisjes komunale. Me aktivitete të ndryshme kemi arritur që ta bëjmë një lëvizje të fuqishme siç është sot. Kemi denoncuar e kemi ngritur kallëzime penale, të cilat rrezikojnë të bien poshtë tash, me këtë Ligjin e Amnistisë”, tha Rexhaj.

Ai premtoi për zgjedhjet e ardhshme lokale VV-ja do të përgatit alternativën bashkë me qytetarët e komunës, në mënyrë që të jetë sa më e prekshme dhe sa më e realizushme. /PrizrenPress.com/

 

‘Troja’ dhe ‘Baba Zula’, në festivalin ‘NGOMfest’

0

Troja-rock bandFestivali i muzikës NGOMfest ka shpallur programin e plotë të edicionit të tretë të tij, i cili do të mbahet më 5, 6 dhe 7 korrik 2013, në Prizren.

NGOMfest në këtë edicion paraqitet me një program të inspiruar nga mjaft zhanre të ndryshme të muzikës elektronike, drum and bass, dubstep, progressive techno, trip hop, breaks, metal, punk. Në mesin e më se 30 grupeve muzikore që do të performojnë në Prizren është edhe grupi i njohur turk “Baba Zula” i cili kombinon instrumentet tradicionale turke, ato elektronike, reaggae dhe dub, DJ dhe producenti holandez Lenzman, i cili performon muzikë drum and bass dhe grupi nga Kosova heavy metal “Troja”.

Festivali do të hapet me datë 5 korrik në ora 19:00 në Hamamin e Prizrenit, me hapjen e ekspozitëz së fotografisë Prizren Retro në të cilën do të ekspozohen fotografitë me objektet e trashëgimisë kulturore të qytetit të Prizrenit. Ekspozita do përcjellet me muzikë klasike të luajtur nga profesorët e shkollës së muzikës Lorenc Antoni në Prizren, ndërsa ajo do të qëndroj e hapur gjatë tre ditëve të festivalit. Në ora 20:00 fillon muzika në Skenën e Marashit dhe në Skenën e Shadërvanit, dhe muzika do të vazhdoj deri të dielen në mesditë.

Përveç skenës në parkun e marashit dhe asaj në shadërvan, NGOMfest do të vazhdoj me organizimin e Promo Skenës, një skenë e dedikuar për promovimin e bendeve të reja muzikore. Rreth 30 bende nga Kosova dhe Shqipëria kanë aplikuar, ndërsa 10 do të performojnë dhe tre prej të cilëve do tu inqizohet një këngë në studio. Me anë të këtij aktiviteti, NGOMfest ka për qëllim përkrahjen dhe promovimin e bendeve në karrierën e tyre të hershme.

Ky është edicioni i tretë i festivalit NGOM, ndërsa për suksesin e arritur, festivali është nderuar nga Komuna e Prizrenit me çmimin “Ngjarja më masovike e vitit 2011” dhe “Ngjarja e vitit” për vitin 2012. Gjithsej 80 vullnetarë do të angazhohen në organizimin e festivalit sivjet dhe në shëndrrimin e Prizrenit në një qytet të muzikës për tre ditë me rend. Kampi i qytetit të Prizrenit buzë lumit të Bistricës edhe këtë vit do të jetë i hapur për mysafirët e festivalit, ndërsa fjetja kushton 3 euro në natë. /PrizrenPress.com/
Programi i performimit:

SKENA NË MARASH:

Baba Zula -TR
Lenzman -NL
Velahavle-BiH
Tajçido-AL
Elektorati Intelektual – RKS
Basscatz
Highroll –BG
Cid Inc-FL
Pinkmetal-RKS
Troja-RKS
Alien no.155-AL
Jimmy Hagan –USA/RKS
Threesome-SR
Stillnes-HR
SKENA NË SHADËRVAN:

Kuarteti Pentagram -RKS
Peni Trio -RKS
Nesim Maxhuni -RKS
Triko -RKS

Nuk ka asgjë konkrete për të pagjeturit në ”Rastin e Borit”

0

Te pagjeturit nga luftaKryesuesi i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Prenkë Gjetaj deklaroi se deri më tani nuk ka asgjë konkrete rreth shkritores së Borit.

Shkritoren e Borit e ka përmendur një qytetar nga Serbia i cili ka thënë se në atë lokacion janë dërguar trupa të të vrarëve nga Kosova.

Ivan Pajiqi, nga Bori i Serbisë, ka deklaruar se si janë bartur trupat e të të vrarëve në luftën e Kosovës në atë vend. Sipas dëshmisë së tij, disa kamionë frigoriferë me trupa kanë përfunduar në një varrezë masive në Petrovo Sello, derisa një kamion tjetër ka përfunduar në shkritoren e Borit, afër Petrovo Sellos.

Kreu i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Penkë Gjetaj tha se deri më tani nuk ka asgjë konkrete, transmeton RTK-ja. Ai bëri të ditur se janë në kontakt me dëshmitarin.

“Me dëshmitarin jemi në gjendje të shkojmë edhe në vendin e ngjarjes dhe presim gatishmërinë e tij për të na ndihmuar, sepse, ne do të kërkojmë që të bëjmë vizitë në vendin e ngjarjes, gjegjësisht në vendin e dyshuar. Ne nuk e dimë atë vend, ne po ashtu që tani mund të shprehim gatishmërinë të shkojmë atje, mirëpo pa e pas dëshmitarin, pa e ditë lokacionin e përkufizuar sigurisht ne nuk mund të bëjmë hapa pa u verifikuar”, deklaroi ai.

Por për anëtarin e Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit nga radhët e familjarëve, Bajram Çerkinin, deklaratat e Ivan Pajiqit janë të rreme dhe kanë qëllim përfitimin material.

“Unë po ju them familjarëve, janë ka na rrejnë për interesa të veta. Ai po lyp pare, ai po lyp strehim, ai po lyp me ardhë në Kosovë me jetu. Janë do gjëra të cilat po afrohen me u zbulu, me u pa kush ka ba krime. Tash po mundohen me na u afru qata kriminel të cilët ja kanë majt nalt për shumë kohë”.

Ai tha se ka propozuar në Komision që t’i drejtohen Këshillit Evropian, në mënyrë që kjo çështje të diskutohet edhe në strukturat ndërkombëtare. Çerkini tha se ndjen të mos ketë bërë shumë për të pagjeturit dhe nisur nga kjo, ai tha se nuk mund të kërkojë nga Qeveria që të bëjë më shumë për këtë çështje.

Libër në anglisht për gjenocidin grek ndaj çamëve

0

LibriiShtëpia Botuese kanadeze ‘IWOI’, në bashkëpunim me Federatën e Shkrimtarëve Shqiptarë në këtë vend, ka promovuar romanin e Përparim Kapllanit “The Last Will” (Amaneti i fundit). Është fjala për një vepër letrare, me elementë të qartë historikë nga gjenocidi që u ushtrua ndaj çamëve në Greqi, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, transmeton “Tema”.

Libri u promovua pikërisht në ditën e gjenocidit çam. Të ftuar ishin shkrimtarët Faruk Myrtaj dhe Fluturak Gërmenji, historiani Olsi Jazexhi, ndërsa nga Shtëpia Botuese kishin ardhur Cheryl Antao Xavier, Brandon Pitts, redaktor dhe shkrimtar nga Los Anxhelos, Jasmine Da Costa me origjinë nga India dhe Susan Munro, poete. Këtë takim e ka nderuar edhe kryetarja e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze, Ruki Kondaj.

Është hera e parë që botohet një vepër e këtij lloji në anglisht me këtë subjekt nga të dyja palët, si nga grekët, ashtu edhe nga shqiptarët. Në këtë promovim u vlerësua se ky libër sjell ndërmend thënien e historianit të njohur, anëtarit të Akademisë Mbretërore Britanike, Dr. Noel Malcolm: “Fati i shqiptarëve çamë është një nga sekretet më të errëta të historisë bashkëkohore evropiane”.

Trashëgimia e Kosovës e vështruar nga një francez

0

Gilbert GardesPremtimin që e kishte bërë para dy viteve, studiuesi francez Gilbert Gardes e mbajti. Në atë kohë ai kishte thënë se vizitat e tij kanë të bëjnë me mbledhjen e materialit për librin e tij, për të cilin thotë se është një përshkrim i trashëgimisë së Kosovës nëpër shekuj. Tani ai ndodhet prapë në Kosovë, për të cilën mendon se është pasqyrë e civilizimit.

Gilbert Gardes ka lindur në vitin 1942, në Saint Etienne, të Francës. Ka përfunduar studimet për histori të artit dhe ka doktoruar në të njëjtën fushë, në Universitetin Lumiere, në Lion. Ka doktoruar edhe në letërsi, në Universitetin e Sorbonës. Gardes ishte ndër hulumtuesit më të shquar të gjuhës dhe historisë së artit në CNRS (Qendra Nacionale për Hulumtime Shkencore) që nga viti 1975 e deri në vitin 2006,shkruan Tribuna

Shquhet si njohës shumë i mirë i identitetit dhe trashëgimisë. Deri më tani ka botuar mbi 240 tituj në fushën e arkitekturës, artit bashkëkohor, skulpturës, ikonografisë, urbanizmit, pikturës, biografisë, udhëtimeve dhe fushave tjera.

Vetëvendosje para kuvendit, kundër projektligjit për amnisti

0

Vetevendosje, logoDhjetëra aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosjes kanë qëndruar gjatë tërë natës para hyrjes së Kuvendit të Kosovës për të kundërshtuar miratimin e projektligjit për amnisti.

Ndërkohë, sot para hyrjes së Kuvendit të Kosovës, ata kanë vendosur shkrime të gazetave dhe fotografi të ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve në veri të Mitrovicë, ku shkruan amnistohen.

Ndryshe, në ora 9.00 mediave do t’i drejtohet nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, i cili pritet të flas për këtë aktivitet.

Reeker, sot në Kosovë

0

ReekerZëvendës-ndihmës Sekretari i Shtetit Philip T. Reeker sot do ta vizitojë Kosovën, ku pritet që të takohet me përfaqësues të lartë të institucioneve.

Gjatë vizitës në Kosovë, zëvendës-ndihmës sekretari Reeker pritet të takohet me përfaqësuesit e institucioneve kosovare, si me kryeministrin Hashim Thaçi, presidenten Atifete Jahjaga, ministrin e Jashtëm Enver Hoxhaj si dhe krerët e partive opozitare të LDK-së dhe AAK-së.

Vizita e Reeker e cila do të fillojë nesër, do të zgjasë deri më 6 korrik, raporton KP

Veriorët sfidojnë shtetin dhe marrëveshjen

0

Mitrovice-VeriuSerbët e veriut të Kosovës planifikojnë të mblidhen të enjten për ta shpallur kuvendin e përkohshëm autonom të Kosovës në kuadër të Serbisë.

Në këtë mënyrë, përfaqësuesit aktualë të pjesës më problematike të Kosovës do të bëjnë veprimin e parë në terren kundër marrëveshjes së Brukselit dhe përfitimeve që u ka ofruar ajo, si dhe do të vazhdojnë ta sfidojnë shtetin e Kosovës, shkruan “Tribuna”.

Veriorët të cilët asnjëherë nuk janë pajtuar me marrëveshjen e Brukselit, kanë paralajmëruar disa herë shpalljen e një kuvendi të tillë, mirëpo ka qenë vendimi i shteteve anëtare të BE-së për nisjen e dialogut të anëtarësimit me Serbinë, ajo që ka bërë që ata të hezitojnë ta bëjnë këtë veprim deri më tani.

Vendimi do t\’i sfidojë rëndë përpjekjet e Prishtinës zyrtare, Brukselit por në një masë edhe të Beogradit që duke e zbatuar marrëveshjen e Brukselit, të ndryshojnë situatën në pjesën më problematike të Kosovës

Sot amnistohet krimi

0

KuvendiKosoves5-27Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të votojnë sot Projektligjin për Amnistinë, i cili amniston dhjetëra mijëra vepra penale duke shpërblyer kështu qindra kriminelë. Aq shumë vepra penale amnistohen më këtë ligj saqë krijohet përshtypja se të hënën do të mbyllen të gjitha burgjet e Kosovës.

Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës do të votojnë Projektligjin për Amnistinë, ligj ky që sipas shoqërisë civile, do të jetë ndër ligjet më të këqija që ka miratuar legjislatura aktuale.

Ligji që sot do të jetë në dorën e deputetëve rrjedh nga dialogu Prishtinë-Beograd, i zhvilluar në Bruksel nën ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton. Qëllimi primar i këtij ligji ishte amnistia e kriminelëve të Veriut, por si duket autoritetet e Prishtinës e kanë përshtatur ligjin edhe për njerëz afër tyre të cilët kanë precedente penale.

Burime të Gazetës Express thonë se ligji, sipas gjitha gjasave, do të miratohet pa problem në seancën e sotshme, meqenëse grupet parlamentare tashmë kanë marrë instruksionet e nevojshme – jo vetëm nga liderët e tyre, por edhe nga prezenca ndërkombëtare në vend.

“Përveç Vetëvendosjes, ne besojmë se partitë tjera do ta votojnë ligjin”, ka thënë një zyrtar i Qeverisë për Express, në kushte anonimiteti.

Fillimisht shumë njerëz nuk e kishin kundërshtuar Projektligjin për Amnistinë, të bindur se përmes tij do të arrihet të integroheshin rreth 50 mijë qytetarë serbë të Veriut të Kosovës. Por, gjithçka ndryshoi kur ligji doli në publik dhe njerëzit panë se autoritetet kanë ndërmend t’i falin edhe krime nga më monstruozet e mundshme.

Por çfarë thuhet konkretisht në këtë ligj, i cili ngjalli kaq shumë debate?

“Ky ligj rregullon kushtet dhe procedurën me të cilën jepet amnisti për personat të cilën janë dënuar për një vepër penale, personat të cilët janë nën ndjekje penale për vepra penale, apo personat të cilët mund të jenë objekt i ndjekjes penale për veprat penale të kryera para 20 qershorit 2013 brenda territorit që tani përbën Republikën e Kosovës”, thuhet në Nenin 1 të projektligjit.

“Të gjithë kryesit e veprave penale në vijim, të kryera deri më 20 qershor 2013, përfshirë edhe personat kundër të cilëve akoma nuk është ngritur aktakuzë apo kundër të cilëve nuk ka filluar ndjekja penale, personat të cilët në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji gjenden në mbajtje të dënimit me burgim në Republikën e Kosovës apo ende nuk kanë filluar mbajtjen e dënimit me burgim ose për mbajtjen e atij dënimi janë transferuar jashtë Republikës së Kosovës, e të cilët me vendim të formës së prerë janë dënuar për vepra penale të parapara me ligjet e Republikës së Kosovës për këto vepra penale, lirohen nga ekzekutimi 20% i dënimit të shqiptuar me burgim”, thuhet më tej në Nenin 3, Pika 1.

Dhe disa prej krimeve që falen janë këto: vrasja e kryer në gjendje të afektit mendor (neni 148); vrasja nga pakujdesia (neni 149); vrasja e foshnjeve gjatë lindjes (neni 150); lëndimi i lehtë trupor (neni 153); pjesëmarrja në rrahje (neni 155); shtrëngimi (neni 160); kanosja (neni 161); keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrave; cënimi i paprekshmërisë së banesave; kontrollimi i kundërligjshëm (neni 167); parandalimi ose pengimi i tubimit publik; parandalimi i ushtrimit të së drejtës për shfrytëzim të mjeteve juridike; parandalimi i shtypjes ose i shpërndarjes së materialeve të shtypura (neni 175); cenimi i të drejtave nga marrëdhëniet e punës (neni 182); cenimi i të drejtave të punësimit apo papunësisë (neni 183); cenimi i të drejtave të punëtorëve në

pjesëmarrjen në qeverisje (neni 184); cenimi i të drejtave nga sigurimi social; rrezikimi i sigurisë në punë (neni 186); fyerja (neni 187); shpifja (neni 188); zbulimi i rrethanave personale dhe familjare (neni 189); vjedhja (neni 252); kontraktimi i përfitimit joproporcional; prodhimi, shitja dhe vënia në qarkullim e materieve të dëmshme për mjekimin e shtazëve (neni 279); dhënia e ndihmës veterinare në mënyrë të pandërgjegjshme (neni 280); mosrespektimi i urdhrave për luftimin e sëmundjeve të shtazëve dhe të bimëve; gjuetia e kundërligjshme (neni 286); shitja ose nxjerrja jashtë Kosovës e trofeve të kafshëve të egra (neni 287); peshkimi i kundërligjshëm (neni 288); mosevitimi i rrezikut (neni 296); mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësitë e trafikut publik; keqpërdorimi i sinjaleve të telekomunikacionit (neni 302); lajmërimet e rrejshme (neni 306); shkelja e fshehtësisë së procedurës; rebelimi i personave të privuar nga liria; mundësimi i kundërligjshëm i ushtrimit të profesionit, aktivitetit ose detyrës mospjesëmarrja në mënjanimin e rrezikut të përgjithshëm (neni 321); heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave (neni 322); marrja apo asgjësimi i vulave zyrtare ose i shkresave zyrtare (neni 323); prezentimi i rremë (neni 325); ushtrimi arbitrar i të drejtave (neni 326); mosrespektimi i kushteve të lejes për mbajtjen e autorizuar të armëve (neni 329); keqpërdorimi i shenjave të rrezikut dhe të fatkeqësive (neni 331); dhënia e kundërligjshme e ndihmës juridike (neni 336); vrasja e çastit (neni 33); Vrasja nga pakujdesia (neni 34); Vjedhja (neni 134); Vepra e vjedhjes, e shpërdorimit ose e mashtrimit të imtë (neni 142); Kontraktimi i përfitimit pasuror joproporcional (neni 151); Mosmënjanimi i rrezikut (neni 163); Rrezikimi i komunikacionit (neni 165); Veprat e rënda kundër sigurisë së komunikacionit (neni 171); Legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë (neni 205)…

Ndërkaq, këto vepra penale lirohen plotësisht nga ndjekja penale apo vuajtja e plotë e dënimit: Sulmi kundër rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës (neni 121), përveçc në rastet kur kryerja e kësaj; vepre penale ka rezultuar në kryerjen e një vepre tjetër penale për të cilën nuk është dhënë amnisti; Kryengritja e armatosur (neni 122); Rrezikimi i tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës (neni 125); Rrezikimi i rendit Kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike; Spiunazhi (neni 131); Bashkimi për veprimtari kundër Kushtetuese (neni 134); Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare (neni 146, paragrafët 1, 2, 3.1 dhe 3.3); Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik (neni 147); Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike (neni 262, paragrafi 1); Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë (neni 333, para 1); Zjarrvënia (neni 334, para 1); Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve (neni 374); Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të veprave (neni 386, vetëm ndërlidhur me moslajmërimin e veprave penale për të cilat jepet amnisti me këtë nen); Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale (neni 388, vetëm ndërlidhur me dhënien e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale për të cilat jepet amnisti me këtë nen)….

Neni 6 flet për “përjashtimet nga amnistia”. Lista këtu nuk është aq e gjatë.

Amnistia nga cilado vepër penale e përmendur në këtë ligj nuk do të aplikohet për Veprat kundër akterëve ndërkombëtar dhe forcave ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë.

“Anëtarët e forcave ndërkombëtare të sigurisë janë gjithmonë nën jurisdiksionin e shtetit dërgues; 3.2 Veprat të cilat përbëjnë shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare përfshirë ato vepra penale të Kapitullit XV të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Kapitullit XIV të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës dhe Kapitullit XVI të Kodit Penal të RSFJ 1976”, thuhet në projektligj.

Neni 8 i Projektligjit përshkruan procedurat që duhet të ndiqen menjëherë pas miratimit të këtij Projektligji.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës është i detyruar që në afat prej shtatëdhjetë e dy (72) orëve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, të njoftojë me shkrim gjykatën e cila ka gjykuar në shkallë të parë për personat e dënuar të cilët gjenden në mbajtjen e dënimit dhe që përfshihen me ligjin e amnistisë. Njoftimi duhet të përmbaj përveç informatave tjera, informatat për datën e fillimit të ekzekutimit dhe të skadimit të dënimit. Gjykata kompetente e cila ka urdhëruar lëshimin e letërrreshtimit nga neni 6, paragrafi 2.1 të këtij ligji është e detyruar që në afat prej tre (3) ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të njoftoj me shkrim gjykatën kompetente për zbatimin e amnistisë. Gjykata sipas detyrës zyrtare nxjerr vendim për zbatimin e amnistisë në afat prej shtatë (7) ditësh nga dita e pranimit të njoftimit, ndërsa për personin e dënuar i cili nuk ka filluar mbajtjen e dënimit, vendimin për zbatimin e amnistisë gjykata duhet ta nxjerr në afat prej pesë (5) ditësh nga dita e pranimit të kërkesës. Nëse i dënuari mbanë dënimin në shtetin tjetër njoftimi duhet të bëhet përmes Ministrisë së Drejtësisë”.

Serbia mbyll stacionet policore në veri

0

PoliciaKosoves6-14Serbia i thotë Kosovës se do të mbyll të gjitha stacionet policore që ka në veri të qytetit të Mitrovicës deri më 5 korrik, kurse nga 15 korriku edhe gjykatat e saja në këtë pjesë, do të ndalojnë se pranuari lëndë të reja.
Njoftimin e ka dërguar vet qeveria e Kosovës në një komunikatë për medie, ku thotë se këto zotime janë dhënë në kuadër të dialogut në Bruksel të grupeve punuese për çështjet e sigurisë dhe drejtësisë.

Siç thuhet në këtë komunikatë, pas zhbërjes së strukturave të policisë dhe gjyqësorit që Serbia ka në veri, integrimeve i këtyre nëpunësve në sistemin kosovar do të bëhet sipas procedurave që parashohin ligjet e Kosovës, transmeton Rel.

Për integrimin e serbëve në Policinë e Kosovës në veri, pala kosovare ka theksuar se lista e kandidatëve të interesuar duhet të dorëzohet më shpejtë, në mënyrë që procedurat dhe kriteret e integrimit të zhvillohen sipas afateve të parapara në konkluzionet e aprovuara nga grupi punues.

Pala kosovare në këto takime ka ngritur edhe çështjen e shpërbërjes së plotë të ashtuquajturës “mbrojtje civile” dhe ka kërkuar largimin e agjencive ilegale serbe të inteligjencës.

Serbia ka paraparë shuarjen e plotë të strukturave gjyqësore në veri, dhe mbylljen e të gjitha lokacioneve ku ato kanë funksionuar, deri më 1 shtator.

Sot po ashtu kanë filluar bisedimet për zgjedhjet me ndërmjetësimin e OSBE-së lidhur me plotësimin e obligimeve për zabtimin e marrëveshjes për normalizim.