31.8 C
Prizren
E enjte, 18 Gusht, 2022

Dhembja që na bën bashkë

Meta-Ilir5-22Ilir Meta

Vdekja nuk njeh radhë. Vdekja thonë se zgjedh. Kësaj here zgjodhi Sokol Olldashin, babain e fëmijëve, bashkëshortin e një gruaje dhe birin e një nëne.
Gazetar dhe politikan, mik e kundërshtar, polemist i lindur, Sokol Olldashi hyri tashmë në heshtjen e tij. Për të tani flet dhembja e atyre që e kanë njohur. E atyre që e kanë parë. E atyre që kanë qenë dëshmitarë të jetës së tij të stuhishme në politikë, dëshmitarë të rrugës së jetës së tij që u ndërpre brutalisht në një natë me shi.
Krejt papritur!
Krejt befasisht!
Me vdekjen që e priste në takim në kthesën e fundme të jetës së tij.
E priste me ngut. Sepse e priste që copën tjetër të rrugës ta bënin bashkë!
Eshtë një humbje e padrejtë.
Eshtë një dhembje e pamerituar!
Sokoli nxitoi të mos jetë vonë.
Dhe iku, iku shumë shpejt!
Në këtë ditë të zymtë, jam me shpirt e me lutjet e mia dhe të familjes sime pranë familjes së mikut e kolegut tim, pranë dy fëmijëve të tij të mrekullueshëm, Glaukut dhe Kleitit, bashkëshortes së urtë Enkelejda e nënës së shumëvuajtur Kozeta. Jam me të gjithë miqtë e dashamirësit e tij të panumërt që sot Sokoli i bashkoi të gjithë në zinë për të.

Sot, në këtë ditë të trishtë, ka dhembje pa kufi për Sokolin, një dhembje që ka kaluar dhe kufinjtë e Shqipërisë e që ka trishtuar edhe në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi e gjetkë, kudo ku jetojnë e punojnë bashkëkombasit tanë.
Bashkoj dhe unë dhembjen me kolegët e tij në Partinë Demokratike dhe gjithë klasën politike, e cila tek Sokoli gjeti përfaqësuesin e një brezi politikëbërës që lindi në dhjetorin e stuhishëm të vitit 90’. E një brezi plot vrull, me shumë dëshira e shpresa për ndryshim, që duke ndryshuar vendin, ndryshoi dhe vetveten!

Politika ishte pasioni dhe talenti i tij i madh. Politika ishte rruga të cilës ju dha me pasionin që kishte për poezinë. Me pasionin për ta kthyer politikën në mjetin normal që do të sillte ndryshim; për ta bërë edhe vetë Shqipërinë një vend normal.

Student i shkëlqyer, Sokoli hyri në vitet 90’ me peshën e vuajtjes së persekutimit të egër e të padrejtë.

Opozitar i lindur, u bë pjesë e opozitës së dikurshme atëherë kur ky ishte vendimi më i vështirë për t’u marrë dhe aktor domethënës i qeverisjes së djeshme dhe sërish faktor plot peshë i opozitës së sotme.

Sokol Olldashi nga heshtja e tij na fton të reflektojmë në heshtje. Shqipëria sot, si Ballkani dje, prodhon më shumë ankth, tension dhe nervozizëm sesa mund të konsumojë. Duhet të jetë kështu? Natyrisht që jo! Ky nuk është fatalitet. Nuk është as e shkruar që të jetë kështu. Me ikjen e tij, Sokoli na jep edhe një shans tjetër për të menduar qetësisht mungesën tonë të qetësisë, shqetësimin tonë të vazhdueshëm për të përkohshmen që na bën të harrojmë të pandryshueshmen: jemi qenie njerëzore përpara se të ndahemi për politikë.

Ne shqiptarët, si gjithë ballkanasit, jemi nervozë në dasma dhe jemi seriozë e të menduar në funerale. Sepse dhembja na ndihmon të dëshmojmë pjesën tonë më të mirë. Sokoli iku që ta kujtojmë gjithmonë si një mik të mirë! Iku që të kujtojmë sërish se vetë dhembja na bën të gjithëve më të mirë!

Më Shumë

Rahovec, identifikohet i dyshuari për 25 lajmërime apo kallëzime të rreme

Prej datës 8 janar 2022 deri më 14 gusht 2022 përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” pranë Stacionit Policor në Rahovec janë paraqitur njëzetepesë (25) lajmërime...

5,732 raste aktive me COVID-19

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë edhe 5,732 raste janë aktive me koronavirus në vend. Gjatë 24 orëve të kaluara Instituti Kombëtar i Shëndetësisë...

Lajmet e Fundit