14.3 C
Prizren
E shtunë, 25 Prill, 2026
Home Blog Page 8938

Në Bruksel takohen sot Thaçi e Daçiqi

0

Hashim Thaci me Dacicin 2Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai Serbisë, Ivica Daçiç, do të takohen sot në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Takimi i konfirmua nga zonja Ashton e cila tha se do të diskutohen hapat e ardhshëm në procesin zgjedhor në Kosovë si dhe ne zbatimin e marrëveshjes së muajit prill për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Ajo i vlerësoi zgjedhjet e së dielës në Kosovë për pushtetin komunal si thelbësore për të ardhmen e Kosovës, ndërsa dënoi ashpër incidentet e dhunshme në veriun e Mitrovicës.

“Të gjithë votuesit kanë të drejtë pjesëmarrjeje në zgjedhje në një mjedis të sigurt dhe pa dhunë. Incidentet duhet të hetohen pa vonesë” thuhet në një deklaratë të zonëjs Ashton.

Kjo çështje pritet të jetë edhe një nga temat kryesore të bisedimeve të nesërme. Votimet në veriun e Mitrovicësu dëmtuan nga incidentet e së dielës mbrëma, kur persona të maskuar ndërhynë dhe shkatërruan kutitë e votimit në disa vendvotime në veri të Mitrovicës, duke detyruar largimin e komisionit të zgjedhjeve dhe të përfaqësuesve të Misionit të OSBE-së.

Shteti nuk mund të ndalë shkuarjen e kosovarëve në Siri

0

per siriLavdrimi, Mentori, Boletini, Fatoni, Bashkimi, Rafeti, Bujari, Jetoni, Osmani, Hamza përbëjnë një skuadër luftëtarësh shqipëtarë në Siri. Ata janë dhjetë nga 150 kosovarët që kanë lënë gjithçka në Kosovë për të luftuar kundër regjimit të diktatorit Bashar al-Assad.

Kosovarët atje tashmë janë pozicionuar se në krah të kujt do të luftojnë. Jo në anën e opozitës, por me organizatën al-Nusra Front, një degë e Al Kaidës që udhëhiqet nga, Abu Mohammad al-Jawlan.

Koha Ditore, ka bërë një hulumtim për shkuarjen e kosovarëve në Siri. Ka mësuar identitetin e shumicës prej tyre, mënyrën e rekrutimit, organizata që besohet se merret me këtë, si dhe rrugët e shkuarjes. Gazeta ka konjtaktuar me të kthyer nga Siria dhe familjarë të tyre, që cilët nuk kanë pranuar të flasin shumë për luftën në siri. Xhihad po e konsiderojnë atë luftë. Për të tillë ka bërë thirrje njëri prej tyre.

Lavdrim Muhaxheri, 24 vjeç, nga Kaçanikum është njëri prej luftëtarëve të parë kosovarë që u është bashkuar radhëve të luftëtarëve të Sirisë.Lavdrimi ka shkuar së bashku me Naman Demollin. Demolli është “shahiti” i parë siç cilësohet nga përkrahës të tij. Në Kosovë, Policia e njëh mirë Lavdrimin. I ka përcjellë veprimet e tij, por nuk ka mundur të bëjë asgjë më shumë pos vëzhgimit të lëvizjeve, kontakteve dhe veprimeve. Asnjë prej veprimeve të tij në Kosovë nuk kanë bazë për hetimin penal. Ligjet në fuqi nuk sanksionojnë përfshirjen e shtetasëve kosovarë në konflikte jashtë vendit. Kosovarët në SIri janë kryesisht të tri rajoneve të Kosovës. /Koha Ditore/

BE: Kosova as shtet as republikë

0

Flamuri i BEVëzhguesit ndërkombëtarë të Bashkimit Evropian(BE) të angazhuar për zgjedhjet lokale të mbajtura më 3 nëntor janë udhëzuar që në takime me bashkëbisedues të ndryshëm në asnjë mënyrë mos t’i referohen Kosovës si shtet ose republikë.
Për të mos u përsëritur parregullsitë në zgjedhjet lokale, si në zgjedhjet paraprake të organizuara në vend, BE ka dërguar në Kosovë mbi 100 vëzhgues.

Sipas një dokumenti të siguruar nga gazeta “Zëri” të përpiluar nga institucionet e Bashkimit Evropian, iu rekomandohet vëzhguesve të tyre që për shkak të ndjeshmërisë politike duhet t’iu përmbahen disa praktikave në bashkëbisedimet e ndryshme.

“Kur flitet për shtetin mundohuni të shmangni në takime me bashkëbiseduesit referimet për Kosovën si “shtet” ose “republikë”. Referojuni si territori i Kosovës”, thuhet mes tjerash në këtë dokument.

Ndërsa kur flitet për qytetarët, vëzhguesve u rekomandohet t’iu shmangen referimeve si qytetarë të Kosovës, por si popull i Kosovës.

Në këtë dokument po ashtu flitet edhe për emrat e vendbanimeve në Kosovë, ku u rekomandohet që të përdoren në dy gjuhë: shqip dhe serbisht.

“Kur iu referoheni emrave të vendeve, ju lutem ta keni parasysh se shumica e vendeve në Kosovë kanë emra shqip dhe serbisht.

Në raportimin tonë të jashtëm, praktika është që të vendoset emri shqiptar, i përcjellë nga emri serb si: Pejë- Peç, përveç në komunat me shumicë serbe, ku duhet të vendoset së pari emri serb, i përcjellë nga emri shqiptar si: Gracanica- Graçanicë”. /Zëri/

“PDK-istët” e Malishevës do ta votojnë IQM-në

0

Kilaj-Thaci-malisheveAi i cili po konsiderohet si një nga humbësit më të mëdhenj në këto zgjedhje, kryetari aktual i Malishevës, Isni Kilaj, nga PDK-ja, beson që votuesit e tij do ta votojnë kandidatin e Iniciativës Qytetare të Malishevës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Pavarësisht asaj që gjatë fushatës dhe ditën e zgjedhjeve janë regjistruar tensione të mëdha në mes të PDK-së së kryeministrit Thaçi dhe Iniciativës që përkrahet nga dy të rebeluarit e PDK-së, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj, elektorati i të dy subjekteve është i njëjtë.

“Iniciativa ka qenë elektorat i yni, dhe elektorati i PDK-së është i njëjti me IQM-në, por megjithëkëtë ende nuk jemi përcaktuar zyrtarisht”, ka thënë Kilaj.

Mirëpo Kilaj, para se të flasë për ndonjë bashkëpunim me dikë tjetër ai ende shpreson në magjinë e ndryshimit të rezultatit, pasi që thotë se diferenca me LDK-në në Malishevë është tejet e ngushtë.

“Ende nuk janë certifikuar rezultatet dhe diferenca është shumë e ngushtë, ne do ta presim rezultatin zyrtar”, ka thënë Kilaj për “Zërin”.

Gara për votat e humbësve

Ndonëse lufta për rrëmbim elektorati të partive me përqindje më të vogël të votave nga ato që kanë shkuar në balotazh tashmë ka filluar, kandidatët nuk e pranojnë një gjë të tillë. Thonë se po respektojnë procedurat dhe pa u certifikuar rezultati i raundit të parë, zyrtarisht nuk kanë filluar diskutimet me asnjë parti.

Kandidati i Iniciativës Qytetarë për Malishevë, Ragip Begaj, i cili fitoi 42,19 për qind të votave në këtë komunë, ka thënë se ende janë të papërcaktuar për koalicion, kjo, sipas tij, mbetet të shihet ditët në vazhdim. Megjithatë, ai thotë se ka besim në votën e qytetarëve të Malishevës që mund të fitojë edhe pa koalicion. Shpresat i ka në ata që nuk janë të përcaktuar për ndonjë parti.

“Unë kam besim në qytetarët e Malishevës dhe ata që nuk janë të përcaktuar për asnjë parti do ta bëjnë fitoren tonë. Ne për këtë përqindje që fituam kemi kërkuar votën të gjithë qytetarëve dhe nuk e dimë se kush na mbështet më shumë ose më pak”, ka thënë Begaj.

Edhe Salih Morina, kandidat i LDK-së në këtë komunë, i cili sipas të gjitha gjasave do të shkojë në balotazh me 25,81 për qind të votave, ka thënë se nuk kanë vendosur ende se çfarë do të bëjnë. Për një gjë të tillë Morina ka thënë se duhet të diskutohet edhe me strukturat e degës së partisë.

“Ne do të dalim prapë në terren, do të angazhohemi, do të bisedojmë me qytetarët dhe të kërkojmë prapë votë për mbështetje. Nuk kam asnjë kërkesë deri më tani nga asnjë subjekt politik. Ndërsa ne a do t’i bëjmë ndonjë partie ftesë, ajo mbetet të diskutohet me strukturat e degës së LDK-së. Ne presim nga votuesit e të gjitha partive që s’janë në garë për raundin e dytë”, ka thënë ai.

Kabashi lidhë koalicion me Mujën

0

Kabashi-Muja-koalicion(E plotësuar) Lidhjen e koalicionit PDK-AAK në Prizren e ka konfirmuar edhe ministri Enver Hoxhaj.

“Sot kemi lidhur koalicion me AAK-LDD ne Prizren, të cilët në balotazh do te mbështesin fuqishëm kandidatin e PDK-se, Ramadan Mujën”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

………………

Lulëzim Kabashi nga koialicioni AAK-LDD ka lidhë koalicion me kandidatin e PDK-së për kryetar të Pzrizrenit, Ramadan Muja.

Burimet e “PrizrenPressit” bëjnë të ditur se koalicioni është lidhë para një ore.

Zëdhënësi i LDD-së, Artan Ukaj tha se për çdo gjë mediat do të informohen me kohë.

Ai nuk e ka konfirmuar, por as nuk e ka mohuar lidhjen e një koalicioni të tillë. /PrizrenPress.com/

Ilir Blakçori, fitues i konkursit për memorialin “Heroinat”

0

HeroinatArtisti Ilir Blakçori, nga Molosgroup është fitues i projektit për memorialin në nderim të rolit të grave gjatë luftës “Heroinat”, ka mësuar Koha.net. Vlerat e bocetës së artistit të ri, e cila ishte futur nga juria në rrethin e ngushtë prej tre propozimesh nga 22 sa kishin konkurruar, janë imponuar para anëtarëve të komisionit përzgjedhës, të cilët, siç merret vesh, nuk e patën të vështirë ta shpallin fitues.

Deputetja Alma Lama, njëherësh edhe ideatorja dhe propozuesja e këtij projekti, ka thënë të hënën për Kohën Ditore se propozimi për të cilin janë përcaktuar shumica e anëtarëve të jurisë, i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.

“Ajo çfarë mund t’ju them unë aktualisht është se komisioni e ka bërë përzgjedhjen e fituesit, mirëpo zyrtarisht pritet të shpallet këto dy-tre ditë, në përputhje me procedurat e konkursit”, ka theksuar Lama. Sipas saj, tri propozime kanë hyrë në rrethin e ngushtë por shumica nga anëtarët e komisionit përzgjedhës janë përcaktuar për njërin.

Heroinat1Përzgjedhja është bërë në konkursin e tretë, pasi dy konkurset e para kishin dështuar për shkak të mospjesëmarrjes së artistëve me propozime. Konkursi i tretë ishte hapur më 19 shtator të këtij viti dhe ishte mbyllur në mes të muajit tetor. Në bazë të konkursit memoriali duhet të rrëfejë në mënyrë të shkruar kontributin e gruas, të simbolizojë forcën dhe sakrificën e gruas, të realizohet artistikisht, në mënyrë që të jetë gjithëpërfshirës dhe të paraqesë vetëdije kombëtare. Hapësira në të cilën duhet të ndërtohet memoriali do të ketë një sipërfaqe në maksimum 100 metra katrorë. Komisioni i përbërë nga Mrikë Macula, Alma Lama, Flora Brovina, Shkëlzen Qorraj, Teuta Sahatçiu, Lendita Radoniqi dhe artistët Majlinda Kelmendi dhe Agim Salihu bashkë me Adnan Elshanin kishte për detyrë ta bënte përzgjedhjen e fituesit.

“Kosova është në gjendje që të mbajë zgjedhje të lira”

0

zgjedhjet5Përfaqësuesi Special i BE-së dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, shefat e misioneve të shteteve anëtare të BE-së të pranishëm në Kosovë, si dhe shefi të EULEX-it i kanë dënuar ashpër sulmet në tri qendrat e votimit në Mitrovicën e veriut.

“Zgjedhjet lokale që për herë të parë janë mbajtur në të gjitha komunat e Kosovës, në përputhshmëri me ligjin e Kosovës, janë shënuar me një fushatë intensive, proces transparent dhe kanë dëshmuar qartë vendosmërinë e qytetarëve për të përzgjedhur liderët e tyre lokalë.

Pjesëmarrja e përgjithshme nëpër pjesën më të madhe të Kosovës, përfshirë këtu daljen e madhe të votuesve serbë, ka treguar se qytetarët janë të etur për të vendosur dhe për të përmirësuar procesin e zgjedhjeve aty ku ende është e nevojshme.

Fakti se Misioni i parë i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve ka vlerësuar se dita e zgjedhjeve ka kaluar “e qete dhe paqësore” duke e cilësuar tërë procesin zgjedhor si ”një hap pozitiv të demokracisë në Kosovë” paraqet një element të rëndësishëm në fuqizimin e progresit të Kosovës drejt rrugës evropiane.

Me kënaqësi e kemi vërejtur se me përgatitje të mirë, vullnet politik dhe me vendosmëri, Kosova është në gjendje që të mbajë zgjedhje të lira dhe të drejta. Kjo dëshmon progresin që Kosova po e arrin në reformat e saj.

Në të njëjtën kohë, ne dënojmë ashpër sulmet në tri qendrat e votimit në Mitrovicën Veriore, të cilat penguan qytetarët që të shprehin vullnetin e tyre duke e penguar procesin zgjedhor atje. Ky incident nuk mund të ndryshojë perceptimin e suksesit të përgjithshëm të zgjedhjeve. Përpjekjet për të bojkotuar zgjedhjet në veri të Kosovës do të dështojnë.

Ne përgëzojmë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, OSBE-në, Zyrën e Prokurorit të Shtetit, Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe KFOR-in për rolin e tyre specifik për t’i bërë të mundura këto zgjedhje në gjithë kompleksitetin e tyre.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet Anëtare të BE-së të pranishme në Kosovë shpresojnë se procesi i zgjedhjeve komunale do të përfundoj me një raund të dytë të rregullt në mbarë Kosovën”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Kryeziu: Më dëmtuan parregullsitë

0

Eqrem KryeziuuKandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Eqrem Kryeziu, ka komentuar rezultatin zgjedhor të 3 nëntorit. Ai vlerëson se procesi zgjedhor në këtë qytet nuk ka shkuar mirë. Sipas tij, gjatë votimeve ka pasur edhe parregullsi. “Procesi zgjedhor është përshkruar me disa parregullsi të cilat kanë ndikuar në rezultat”, tha Kryeziu për “PrizrenPress”.

Bazuar në rezultatet preliminar të KQZ-së kandidati i LDK-së, Eqrem Kryeziu ka fituar 25.22 për qind të votave, ndërkaq ai i PDK-së Ramadan Muja 37.08 për qind.Kryeziu dhe Muja me 1 dhjetor do të shkojnë në balotazh për kryetar të Prizrenit.

Ndërkaq, Kryeziu numëron edhe parregullsitë që janë shënuar gjatë procesit zgjedhor në qendrat e vendvotimeve. Ai tregon se në ditën e zgjedhjeve kanë munguar 5 vula.Përveç mungesës së vulave, sipas tij, votuesve iu është ndryshuar vendvotimi.”Listat e votuesve i kanë dërgu në vende tjera”.

Sipas tij, në mbrëmje gjatë procesit zgjedhor po ashtu në Zhupë është ndalur edhe rryma. “Sigurisht që këto kanë ndikuar edhe në rezultat”.

Kryeziu nuk mendon se në humbjen e tij ka ndikuar koalicioni parazgjedhor që PDK-ja ka bërë me partitë e minoriteteve në Prizren. “Jo, jo nuk ka pasur kurrfarë ndikimi ai koalicion. Përkundrazi, kandidati i PDK-së ka pësuar disfatë me këtë koalicion, sepse krahasuar me zgjedhjet e kaluara ka pasur 8 mijë vota më pak”.

Ai thotë se LDK-ja nuk është në negociata me asnjë subjekt politik për formimin e ndonjë koalicioni parazgjedhor për balotazh. “Jemi duke i pritur rezultatet nga KQZ-ja. Nuk kemi negociuar me asnjë parti politike, edhe pse koalicionet në vendet që kanë pakë demokraci bëhen pas zgjedhjeve e jo para zgjedhjeve”. /PrizrenPress.com/

Zgjedhjet e suksesshme, shteti i suksesshëm

0

Seremb Gjergji italiShkruan: Seremb Gjergji

Qytetarët e Kosovës kësaj radhe kanë qenë në funksion të zhvillimit demokratik, rendit dhe ligjit. Rezultati i zgjedhjeve është vullnet i tyre. Është përcaktim i tyre. Ato ishin të lira, të qeta dhe demokratike. Dalja e votuesve në numër më të madh se në zgjedhjet paraprake, është një tregues që reflekton fuqi të demokracisë sonë të re. Bashkëpunimi i institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, në mënyrën më profesionale me qytetarët rreth keqpërdorimeve, formave të presionit mbi votuesit dhe veprimet e tjera kundërligjore, kanë qenë në funksion të zhvillimit të demokracisë.

Kur institucionet e sigurisë dhe drejtësisë përkushtohen, kur ka vullnet të partive politike dhe udhëheqësve të tyre, kur thirrja e bashkësisë ndërkombëtare është serioze, rezultatet nuk mungojnë. Nuk mund të mos jam i shqetësuar me të gjitha veprimet frikësuese dhe të dhunshme që kanë ndodhur në qendrën e votimit Shën Sava në Komunën e re të Mitrovicës së Kosovës.

Por, më gëzon fakti dhe vendimi i të gjithë qytetarëve vullnetmirë edhe në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe Komunës së Mitrovicës së Kosovës që, me gjithë presionet, shantazhet dhe kërcënimet, shfrytëzuan të drejtën për të votuar dhe dolën e votuan.

Tash bashkësia ndërkombëtare e ka të qartë se kush është për destabilizimin e rajonit! Institucionet e sigurisë, vendore dhe ndërkombëtare, besoj se do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet ndaj atyre që angazhohen për destabilizim, krim të organizuar dhe anarki. Njëkohësisht t’i mbrojë njerëzit vullnetmirë të këtyre komunave; angazhimi i të cilave është dhe duhet të vlerësohet. Janë zgjedhjet e para që mbahen në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun e vendit sipas ligjeve dhe rregullave të shtetit të Kosovës.

Bashkësia ndërkombëtare, si partnere e shtetit të ri të Kosovës, ka bërë dhe po bën të pamundurën në përparimin dhe avancimin demokratik të Kosovës. E falënderoj KFOR-in dhe NATO-n që ishin sërish pranë popullit të Kosovës, duke krijuar ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë. Ky përkushtim i këtyre zgjedhjeve duhet të jetë edhe më i madh dhe duhet t’i eliminojë edhe ato pak gabime gjatë balotazhit më 1 dhjetor. Ta forcojnë ndjenjën se zgjedhjet e raundit të dytë do të jenë pa defekte të tilla.

(Autori është kandidat i pavarur për president të Kosovës)

Trajnime për karrierë

0

trajnimetupzProfesorët e Universitetit të Teknologjisë Chalmers – Suedi dhe Universitetit të Edinburgut – Britani e Madhe, janë duke mbajtur trajnime për mbi 500 studentë të UPZ-së. Trajnimet janë duke i ndjekur studentët e të gjitha drejtimeve, duke përfshirë edhe ato në gjuhën boshnjake dhe atë turke.

Dy universitetet janë partnere me UPZ-së, dhe Wus Kosova. Trajnimet përfshijnë këto tema: Zhvillimi i karrierës, udhëzim mbi metodat e hulumtimit, shkrimi akademik dhe aftësitë e prezantimit. Në fund të trajnimit secili student pajiset me certifikatë e cila është e pranuar ndërkombëtarisht.

Këto trajnime mbahen në kuadër të projektet të TEMPUS-it për sigurimin e cilësisë dhe Zyrës së Shërbimit për përkrahje dhe mbështetje të studentëve në UPZ. Ky projekt financohet nga Komisioni Evropian dhe Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë e Republikës së Kosovës.

Menaxhemnti i UPZ-së e vlerëson lartë realizimin e këtij projekti, që krahas punës së vazhdueshme që po bëjnë i gjithë personeli akademik, po ndikon pozitivisht në ngritjen dhe zhvillimin e cilësisë në këtë universitet. UPZ është mirënjohës të gjithë universiteteve partnere në realizmin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për universitetin./PrizrenPress.com/