18.7 C
Prizren
E hënë, 13 Prill, 2026
Home Blog Page 9051

Muja falënderon Thaçin

0

SONY DSCKandidati i PDK-së Ramadan Muja, ka falënderuar kryetarin e partisë së tij, Hashim Thaçin për besimin dhe rikandidimin për kryetar të Prizrenit. “Falënderoj shefin e PDK-së, Hashim Thaçin dhe Kryesinë që më kanë besuar, që unë të jem edhe një herë kandidat për kryetar të Prizrenit. Këtë nuk e marr si privilegj, por si përgjegjësi të madhe”, tha Muja për TV Besa.

Ramadan Muja është nominuar për të tretën herë kandidat i PDK-së për kryetar të Prizrenit. Kryesia e re e PDK-së në Prizren, pat propozuar katër emra për kryetar të Prizrenit, Ramadan Mujën, Nait Hasanin, Nijazi Kryeziun dhe Veton Firzin. Ndërkaq, Muja është nominuar pak minuta para mbylljes së afatit kohorë të aplikimit në KQZ.

Kandidati Muja është i bindur se në zgjedhjet e nëntorit do të fitojë edhe mandatin e tretë për kryetar të Komunës. “Shpresojë në fitore të plotë dhe falenderoj të githa strukturat e PDK-së ,që edhe njëherë tani për të tretën herë më kanë kandiduar për kryetar të Prizrenit.Punët që i kemi bërë deri më tash do t’i detyrojnë qytetarët që të votojnë për PDK –në dhe për mua si kryetar”, tha Muja./PrizrenPress.com/

MKRS-ja shpërndau rreth 5000 libra për 30 biblioteka komunale

0

MKRS-5000 libraMinistria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në një ceremoni rasti ka shpërndarë sot rreth 5000 libra për 30 biblioteka komunale, e ku hyjnë rreth 70 tituj. Kjo është hera e parë që MKRS-ja blen dhe shpërndanë libra për bibliotekat komunale, përveç mbështetjes që jep edhe në konkursin për projektet kulturore. Librat janë të botuara në dy vitet e fundit dhe janë blerë nga botuesit përmes një konkursi publik nga Këshilli i Librit. Në këtë konkurs, Këshilli kishte vendosur të blejë 55 tituj, e po ashtu edhe kishte mbështetur financimin e botimit të titujve të ri , si dhe për herë të parë edhe të botimit të revistave letrare.

Në ceremoni, të mbajtur në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës ka marrë pjesë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, Drejtori i BKUK-së, Sali Bashota si dhe drejtorët e bibliotekave komunale.

Ministri Krasniqi tha në fjalën e tij se ngjarja sot është fillimi i një programi të ri të mbështetjes për librin dhe bibliotekat, pasi për herë të parë MKRS-ja po blen titujt e ri të botuar dhe ata po ua shpërndanë bibliotekave komunale. Ministri Krasniqi tha se në dy vitet e fundit është dyfishuar mbështetja për bibliotekat dhe librin, por edhe në përgjithësi për fushën e kulturës.

“Mendoj se ky fond është jashtëzakonisht i rëndësishëm tash kur edhe ka filluar viti shkollor në arsimin para universitar e tash së shpejti edhe ai universitar, sepse po krijon mundësi më të shumta për nxënësit dhe studentët. Besoj se më format e reja të përkrahjes që MKRS-ja po zbaton fondi i bibliotekave tona do të jetë çdo vit edhe më i pasur dhe më afër lexuesit”, ka thënë Ministri Krasniqi, teksa ka përmendur se tashmë një aktivitet i tillë është tradicional dhe MKRS-ja do të jetë gjithnjë afër bibliotekave që fondi i tyre sa më shumë të pasurohet.

Drejtori i BKUK-së, Sali Bashota duke vlerësuar këtë mbështetje të MKRS-së për bibliotekat, shtoi se BKUK-ja si një institucion qendror i bibliotekarisë në Kosovë, do të punojë edhe më shumë në të ardhmen që bibliotekat komunale të zhvillohen dhe pasurojnë sa më shumë raftet e tyre.

Në emër të bibliotekave ka folur Engjell Berisha, drejtor i bibliotekës komunale në Gjakovë. Ai ka falënderuar MKRS-në që ka nisur një iniciativë si kjo, sipas tij, mjaftë e dobishme, pasi ka thënë se bibliotekat komunale kanë nevojë gjithnjë për tituj të rinj./PrizrenPress.com/

Shuhet edhe një nëndegë e PDK-së në Malishevë

0

PDK-logo8-07Nëndega e fshatit Janqisht e Komunës së Malishevës ka njoftuar për shuarjen e aktivitetit të saj brenda PDK-së, duke u bërë kështu nëndega e 13 që ndahet dhe fillon aktivitetin e saj brenda Iniciativës Qytetare.

Sipas njoftimit të kryesisë së kësaj nëndege, vendimi është marrë pas mbajtjes së mbledhjes. Gjatë ditës, kryeparlamentari Jakup Krasniqi kishte thënë se e përkrah çdo iniciativë qytetare.

PDK-ja ka gjithsej 43 nëndegë në Malishevë. Sipas Artan Hotit nga kjo iniciativë gjatë javës pritet edhe vendimi prej tri nëndegëve të tjera për bashkimin në këtë subjekt, transmeton indeksonline.

PDK-ja në Malishevë ka zyrtarizuar si kandidat për Isni Kilaj, kurse Iniciativa Qytetare për Malishevën,Ragip Begajn. Një kandidat tjetër është i Vetëvendosjes, Alban Krasniqi.

Krasniqi i mbështet iniciativat qytetare

0

Krasniqi-Jakup5-21Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ndonëse nuk e ka pranuar se qëndron prapa iniciativës qytetare që doli si pasojë e thyerjes që ka ndodhur brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në komunat e Malishevës dhe te Drenasit, ai ka deklaruar se formimi i iniciativave qytetare janë shprehje e vullnetit të qytetarëve për të bërë ndryshime.

“Pa marrë parasysh se kam ose nuk kam ndonjë lidhje me iniciativat qytetare, unë do t’i mbështes ato kudo që ndodhen nëse kanë për qëllim për të përmirësuar qeverisjen, qoftë në nivelin – lokal qoftë në nivelin qendror”, ka shtuar Krasniqi.

Krasniqi ka folur edhe për zgjedhjet e 3 nëntorit dhe aplikimin e vetëm një liste të përfaqësueseve serb të veriut. Sipas Krasniqit çdo lëshim në veri të Kosovës me listat serbe në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, janë fajtorë ata të cilët kanë marrë pjesë në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Rrefimi i njerit me llagapin “shaci”

0

Ali HerticaMr.Ali Hertica

Unë jam në Kosovë- në tokën time, në shtëpinë time, në vendin tim dhe të parëve të mi; edhe varret janë aty- pushtet i heshtu. Aty bien njerëzit në gjunjë, pa forcë, pa dhunë, u përshtaten ligjeve të heshtjes. Nën dhe ka eshtra, ka kufoma, mbi tokë jeta dhe njerëzit nën tokë heronjtë, dëshmorët, dheu i Kosovës. E ndiej edhe këtu perëndimin e diellit.
Nga perëndimi erdha në perëndim; por në Kosovë lind dielli por shumë më ndryshe- me administratorë të huaj e vendorë, të gjithë kanë imunitet; por edhe me realitet tjetër- me varre të hapura e të pahapura, ende në pritje toka për ta, për një shenjë që dëshmon për një histori të re, të krimit gjatë luftës dhe të pas luftës. Është e zakonshme për Kosovën me rrymë e pa rrymë, me ujë e pa ujë, se kështu jetohet, jetë i thonë, por është vështirë për shumë ata njerëz, ata të rinj që shpresojnë të gjejnë punë, të krijojnë, të martohen të zgjerohen si familje, po është vështirë, më vështirë se që mendohet.
Nuk e di kam ndryshuar unë apo çdo gjë rreth meje ka ndryshuar, nuk e di, jam në hulumtim. Takohem me shokë, miq, luftëtarë, e ndiej dhembjen e tyre, nuk kishim kujtuar se kështu do të duket Kosova, ne jetonim për ideale, dhe na vodhën ato, na vodhën hajnat ata që i dhanë pasqyrë të keqe Kosovës. Unë e di në familje, në fshat në qytet e urrenim hajnin dhe i përbuznim hajnat, dhe ajo shtëpi që përfolej për hajni- leçitej!

Por, ç’ndodhi? Paslufta nuk e dënoi krimin,

tradhtinë, uzurpimin, hajninë; bajlozët partiakë uzurpuan, vodhën çka gjetën e çka nuk gjetën. Hajnia, narkomania, prostitucioni ishin bërë trend, fatkeqësisht. Por, mbi të gjitha u befasova nga llagapi për mua (posa kisha ardhur nga Holanda), për të gjithë ata që vinin në vendlindje nga perëndimi-“shaci”! Kjo ishte fjala përkëdhelëse, por mirë që më pak dëgjoja gastarbajter; unë nuk isha ai që isha, kisha tjetër formë, formën e monetës- euro këtu e euro atje. Ende e shfrytëzoj radion e vjetër, dëgjoj ndonjë lajm dhe shumë muzikë, zhurmë, rep, sharje, fjalë të pista, hip hop, rok, muzikë popullore që kishte marrë nuancë të erotikës mos të them pornografisë. Gjithfarë gangsteri himnizohej: mafi, narkomani, coolera, dhe shumë këngëtarë, dhe shumë estrada, të këngëtarëve, të politikanëve të universitarëve, plotë godina, shumë universitete, spitale,ordinanca dhe shumë prodhime autentike të doktorëve të shkencës, të bankierëve, dhe të dyqaneve të seksit, edhe shumë barishte, por edhe Viagra ishte e kërkuar nga të huajt ,edhe vendorët, ishte shumë e preferuar. Unë isha demoduar, edhe shokët e mi të besës
dhe idealit. U gëzova, megjithatë, që kam shansin edhe unë të jem në trend- por nuk më legjitimuan, mbeta pa shtetësi. Duhet të pres në rend! Dhe, unë shtyhem, dhe atje lart, mbi shkallë UNMIK-ut, e tani të EULEX-it e kuptova  se në Kosovë të huajt kishin ardhur pa gra. Dhe ende
duhet të pres për shtetësi; se pavarësia ishte bërë hardhi rrushi.

Por, unë fitova- se nga një shqiptar idealist më mbeti llagapi “shaci”.

Iniciativë: Shtatorja e Anton Çetës të vendoset në Prishtinë

0

anton ceta shtatorjaIniciativa për Progres fton Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit të Kosovës dhe Komunën e Prishtinës që të vendosin shtatoren e Anton Çettës para Ministrisë së Kulturës, tek sheshi kryesor i kryeqytetit. Kjo shtatore do të jetë një shenjë respekti për figurën e këtij intelektuali të madh shqiptar, në përvjetorin e 18 të ndarjes së tij nga jeta, në 3 nëntor.

“Sot u bënë dhjetë vite që kur Anton Çetta u shkri në bronz nga skulptori prishtinas Fatmir Hoxha. Ky personalitet kombëtar, që fitoi respektin e thellë të popullit, ky njeri popullor me edukim evropian, profesor i letërsisë se vjetër shqipe, studiues i romantikes, mbledhës i folklorit dhe mbi të gjitha pajtues i gjaqeve, duhet ta këtë një vend, ku njerëzit e tij mund ta prekin e ta kujtojnë urtësinë e tij”, thuhet në komunikatë.

Sipas INPO-s, deri më sot, institucionet e vendit nuk kanë bërë sa duhet për figurën e Anton Çetës, i njohur për lëvizjen për pajtimin e gjaqeve në Kosovë.

Mediat: Papa Francesco bisedë telefonike me Assad

0

PAPA-Francesk6-12“Papa Francesco ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin sirian Bashar al Assad”. Kështu shkruajnë sot mediat argjentinase.

Sipas edicionit on linë të gazetës Clarin, lajmi është bërë i ditur nga burime të afërta me të në Vatikan. Por, ky lajm nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga burime të Vatikanit.

Më herët Papa ka bërë thirrje për paqe e qetësim të situatës në Siri. Vatikani është kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri.

Demaçi: Kryeministri po lëshon pe, BE po ia plotëson kërkesat

0

Adem DemaciPjesëmarrja e kandidatëve serbë për kryetarë të katër komunave veriore nga lista e përbashkët unike e quajtur “Serbia”, për zgjedhjet lokale të nëntorit që do të mbahen në vendin tonë, do të jetë kapitullim për shtetin e Kosovës, ka vlerësuar Adem Demaçi.

Po ashtu, sipas Demaçit, me zgjedhjet që do të organizohen në veri të vendit, Kosova do të dalë humbëse, ndërsa ajo që do të fitojë, sipas tij, do të jetë Serbia.

“Nëse del një listë me emrin Serbia, kjo do të jetë mjaftë e rrezikshme. Sepse, këta me këtë gjë po vlerësojnë se këtu është Serbi. Dhe, nëse lejohen që të marrin pjesë me atë listë është një kapitullim. Këto votime janë shumë të dëmshme për neve dhe ne nuk fitojmë asgjë, ndërsa Serbia do të dal fituese nga këto zgjedhje”, tha ai për Kosovapress.

Duke folur për vendimin e KQZ-së për heqjen e simboleve shtetërore nga fletëvotimet, Demaçi është i sigurt se ky vendim nuk është i KQZ-së, por pasojë e Marrëveshjes së Brukselit.

“Nuk po më vjen mirë që kryeministri po mundohet të fajësojnë KQZ-në. KQZ-ja dihet se është instrument i pushtetit që i zbaton urdhrat që i vien. KQZ-ja nuk ka mundur t’i ngulë këmbët e të thotë se nuk i heq, sepse kishin ‘fluturuar” të gjithë dhe kishin ardhur të tjerë. Kryeministri e të tjerët po lëshojnë pe. Evropa po ia plotëson të gjitha kërkesat Serbisë, me qëllim që ta përfshijë Serbinë në BE dhe NATO”, ka pohuar ai.

Sipas Demaçit, përpjekjet e BE-së për ta përmirësuar Serbinë janë të kota, përderisa në krye të saj të jenë “fashistët dhe kriminelët”, që sipas tij, nuk njohin gjuhë tjetër përpos urrejtjes dhe dhunës.

16 vite nga largimi i Nënë Terezës

0

NënaTerezëPapa Gjon Pali II lumturoi në tetor të vitit 2003 Nënën Terezën e Kalkutës, duke e përshpejtuar shenjtërimin e saj për ndihmën e dhënë të varfërve. “Me autoritetin tim apostolik, ne garantojmë se shërbëtorja e nderuar Nënë Tereza e Kalkutës do të quhet e lumturuar tani e në vazhdin”, deklaroi atëherë Papa.Më shumë se 150 000 pelegrinë, turistë dhe përkrahës të besimit jo të krishterë morën pjesë në ceremoninë e lumturimit në meshën e zhvilluar në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

Në fakt, që kur Nënë Tereza ndërroi jetë në vitin 1997, çdo përvjetor te lindjes apo të ikjes së saj qindra vetë grumbullohen në varrin e saj, duke u lutur dhe duke kënduar. Murgeshat e urdhërit “Misionaret e Bamirësisë”, që ajo themeloi 55 vjet më parë në Kalkuta, çdo vit vendosin lule para memorialit prej çimentoje të bardhë.

Angje Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhërin e saj të murgeshave të quajtur Misionarët e Bamirësisë.

Nga ky moment Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia dedikonte tërësisht të varfërve.Urdhëri i Nënë Terezës numëron mbi 4000 misionarë dhe është shtrirë në mbi 100 vende të botës, kur nuk duhet harruar se ajo e filloi aktivitetin vetëm me dy pasuese. Nëne Tereza nuk e pranoi asnjëherë famën. Ajo ka thënë se gjithçka e bënte për hir të dashurisë së Zotit. Bëri një jetë të thjeshtë, pa pasuri.
Nënë Tereza udhëtonte për të kryer misionin e saj me një automjet gjysmë të shkatërruar. Kur Papa Pavli VI kryente një vizitë në Indi në 1964 i dhuroi asaj limuzinën e tij. Ajo e shiti atë për të siguruar fonde për koloninë e lebrozëve, të cilët i ndihmonte.
Fama e saj u përhap kur gazetari i njohur britanik, Nugerigj, shkroi një libër dhe xhiroi një film për jetën e saj të titulluar “Diçka e bukur për zotin”. Ish-ateist ai tha se ajo kishte influencuar jashtëzakonisht shumë në konvertimin e tij katolik. Liderë nga e gjithë bota e kanë vizituar atë. Ish-kryeministria e Indisë, Indira Gandi, pas takimit me të bëri këtë koment: “Të takosh Nënë Terezën do të thotë të përjetosh ndjenjen e inferioritetit dhe atë të pushtetit të madh të mirësisë dhe të fuqisë së dashurisë”. Por duhet thënë se jo gjithkush e vlerësonte punën e saj. Edhe vetë kisha katolike në fillim ishte plot dyshime. Prifterinjtë e besimit hindu ishin armiqësorë në fillim pasi mendonin se ajo po përpiqej për t’i konvertuar hindutë në katolikë. Por ajo fitoi admirimin e të gjithëve kur u kujdes në maksimum për një prift hindu, që po vdiste dhe më tej insistoi që atij t’i bëhej një varrim sipas të gjitha riteve të besimit të cilit i takonte. Prej këtij momenti hindut u shndërruan në përkrahësit e saj më të zjarrtë.

Debatet u shtuan tepër pasi ajo u deklarua kundër mjeteve artificiale të kontrollit të lindjeve dhe veçanërisht kundër abortit. Kundërshtaret e saj thanë se qendrimi i Nënë Terezës ishte i demshëm veçanerisht në Indi, ku sipas tyre, mbipopullimi ishte shkaktar kryesor i varfërisë masive. Por ajo vazhdoi të predikonte mesazhin e saj të dinjitetit njerëzor dhe respektit për çdo qënie njerëzore të lindur apo jo.
Kur mori çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 ajo beri këtë apel: ” Shkatërrimtari më i madh i paqes së sotme është thirrja e një fëmije të pafajshëm ende të palindur. Nëse një nënë vret femijën që mban në barkun e saj atëherë çfarë mbetet për ty dhe mua?

Mehmeti: Jenuzi ka treguar paaftësi në qeverisjen e Dragashit

0

FatmirMehmeti-ldk-dragashKandidati i LDK-së në Dragash, Fatmir Mehmeti, akuzon kryeterin e Komunës dhe kandidatin e PDK-së, Salim Jenuzi se për dy mandate ka treguar paaftësi në qeverisje.“Kryetari aktual, Salim Jenuzi, ka dëshmuar paaftësi udhëheqëse, bashkë me stafin e tij, për faktin se nuk kanë arritur që t’i shfrytëzojnë fondet në mënyrë racionale”, tha Mehmeti. Sipas tij, Jenuzi, bashkë me stafin e tij, brenda tri viteve i ka shkaktuar qytetarëve të komunës dëmin financiar.”Dëmi financiar ka shumën prej rreth një milion eurosh”, tha Mehmeti.

Sipas tij, këto para janë kthyer në suficit, pasi nuk ka pasur aftësi menaxhimi nga kjo garniturë qeverisëse. Madje, janë keqpërdorë mbi 70 mijë euro në QKMF.

“ Nuk po realizohet apo ka mbetur në gjysmë projekti i ujësjellësit, i cili ka filluar së ndërtuari, duke synuar furnizimin me ujë të 15 fshatrave. Kjo qeveri e ka lënë pa ujë fshatin Brezne, njërin prej fshatrave më të mëdha në komunë. Ka mbetur pa përfunduar shkolla e mesme profesionale. Ka politizuar dhe po e politizon edhe më tej arsimin”, tha ai.

Ai tha se Jenuzi, siç po i pastron njerëzit eminent nga subjekti i tij, ka filluar që, përmes sekserëve të tij, të shkaktojë edhe presion psikik dhe dhunë tek qytetarët, stafi civil dhe tek arsimtarët.

“Politika e tij dhe përkrahësit e tij, janë robër të pushtetit ose janë të zënë ngushtë nga interesat personale dhe klanore. Regjimi thaçist ka lëshuar rrënjë të thella në komunën e Dragashit, për shkak të servilizmit të Salim Jenuzit, i cili nuk ka aftësi për të qeverisur.”, theksoi ai.

Sipas tij, në komunën e Dragashit, janë të anashkaluara dhe të dhunuara bizneset private për arsye se ato nuk mund të marrin tenderë, përmes së cilëve do t’i punësonin të rinjtë e kësaj komune.

“Bizneset e Dragashit janë të eliminuara nga lart, nga bosët e qeverisë pronto të Thaçit dhe servilit të tij, Jenuzit. Në komunën e Dragashit edhe punësimi bëhet me direktiva të qeverisë pronto, sepse nuk ka më qeverisje por regjim qeveritar, të cilin e ka instaluar Thaçi, e që po e zbaton vartësi i tij më i padenjë dhe më i pa potencë politike e menaxhuese, Salim Jenuzi”, tha ai. /PrizrenPress.com/