ILIR KULLA
Në vend të replikës me Fatos Lubonjën
E kam ndier veten të zhgënjyer si qytetar, si intelektual dhe si shqiptar me shkrimin e botuar dje në gazetën “Panorama” nga një intelektual shumë i çmuar i Shqipërisë së sotme si Fatos Lubonja. Që në adoleshencë jemi rritur me intelektualin Lubonja, i cili ka qenë emblemë sakrifice, vuajtjeje, opozitarizmi, persekutimi, qëndrestarie dhe rreshtimi për nga vërtetësia dhe e drejta. Pikërisht duke lexuar dje një qëndrim komplet të kundërt në raport me këto shtylla përbërëse të historisë së Lubonjës, është e domosdoshme t’i analizojmë të gjitha, një e nga një, në raport me ngjarjet, historitë, personazhet dhe realitetin e sotshëm.
* * *
Lufta popullit të Kosovës iu imponua nga makina shtetërore e dhunshme e Serbisë së atyre viteve, e cila ishte komplet e kundërta e shtetit të së drejtës, të tipit europian. Në një lloj mënyre, Serbisë dhe Milosheviçit i takon “merita” e krijimit të UÇK-së. Ajo lindi nga njerëzit e thjeshtë të Kosovës, nëpër fshatra, nëpër familje të persekutuara nga komunizmi jugosllav e më tej serbomadh që nga koha e Shaban Polluzhës e ndoshta dhe më parë. Nëse sot mund të themi që a ka pasur themelues ideator UÇK-ja, patjetër, e shumë madje, por në krye të tyre qëndron Adem Demaçi, i cili po ashtu si zoti Lubonja e kaloi rininë dhe jetën nëpër burgje, i ndrydhur pas hekurave si i burgosur i ndërgjegjes, asaj ndërgjegjeje kombëtare qytetare shqiptare, e cila kërkonte të drejtën e shkollimit në gjuhën e vet, të përfaqësimit, të të shprehurit, të lirisë dhe jo në emër të ultranacionalizmit, njëlloj si z. Lubonja. Adem Demaçi dhe shokët e tij të lëvizjes së ’68-s në Kosovë, ashtu si në të gjithë Europën, mbajtën në Kosovë flakën e lirisë të ndezur për brezat e mëvonshëm, ata që luftuan dhe e fituan lirinë.
* * *
Jugosllavia e pas Dejtonit ishte një Jugosllavi e cunguar, ishte Jugosllavia e Milosheviçit, ku kishte katër lloj qytetarësh, niveli i parë serbët “të përzgjedhurit” e Zotit që kishin lindur për të sunduar të tjerët. Malazezët, të cilët e dinin shumë mirë se një shkëputje me luftë nga Serbia do të thoshte shkatërrim dhe rrënim si në Bosnjë dhe ata ishin shumë të vegjël, kështu që ia vlente të vazhdonin të jetonin nën Serbi për shkak të detit dhe të 45% të popullsisë serbe, dhe jo për shkak të dashurisë mes tyre. Hungarezët e Vojvodinës, të cilët për shkak të pozitës gjeografike dhe industrive jugosllave kishin pozita të avantazhuara nga pikëpamja ekonomike dhe politike në krahasim me të tjerët, pavarësisht se ishin vetëm një krahinë autonome. Shqiptarët e Kosovës, të cilët pavarësisht se me numër qytetarësh ishin me shume se Mali i Zi e Vojvodina, bashkë ishin të dënuar të jetonin, nën aparteid të papërfaqësuar, nën dhunë të vazhdueshme të makinës ushtarake shtetërore. Mjafton të përmendim që armata më e madhe e Jugosllavisë të mbetur ishte e tëra e vendosur me trupa dhe mjete të rënda në mënyrë permanente në Kosovë, nën mungesën e drejtësisë që nga ajo e pronësisë e deri tek ajo e të folurit. Qëndresës historike paqësore të Rugovës dhe LDK-së iu përgjigjën me indiferencë të plotë dhe me dhunë sistematike shtetërore.
* * *
Në vitin 1997, ditën e protestave të studentëve, të udhëhequr nga Albin Kurti, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Bujar Dugolli etj., ishte në krye me studentët dhe një intelektual i shquar i asaj kohe, profesor Ejup Statovci, që u masakrua live nga forcat speciale të policisë serbe para kamerave të mbarë botës. E pra, Statovci e studentët të cilët një vit më pas do ishin të tërë në UÇK, ishin më paqësorë se vetë gandistët vetëm pak muaj para luftës. Më 28 nëntor të atij viti, në Drenicë tre njerëz dolën para kamerave me uniformën e UÇK-së, një ndër ta ishte nxënës 17-vjeçar, i cili paradite kishte qenë në shkollë. Emri i tij ishte Daut Haradinaj, vëllai i vogël i Luanit, që ishte vrarë atë vit në kufirin Shqipëri-Kosovë nga ushtria serbe, i Ramushit që kishte lënë Perëndimin e ishte kthyer të mbronte shtëpinë e vet, i Shkëlzenit që dy javë para se të përfundonte lufta u vra po ashtu nga ushtria serbe. Në mars të 1998-s ushtria serbe nuk masakroi vetëm familjen Jasharaj në Prekaz, por edhe familjen Haradinaj në Deçan. Të gjithë ata që u vranë ishin civilë, femra dhe fëmijë, kështu u krijua UÇK-ja, fshat më fshat e shtëpi më shtëpi. Një luftë që të imponohet është një luftë e drejtë, sepse me atë ruhet dinjiteti, identiteti, qytetaria, origjina, prona gjuha dhe liria; ky nuk është nacionalizëm, por patriotizëm.
* * *
Rusvelti e dinte shumë mirë se kur të hidhej bomba bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki, nuk do të vritej Perandori japonez apo as komandantët e ushtrisë, por do të vriteshin shumë civilë, dhe një pjesë e madhe e tyre të pafajshëm. Por në emër të asaj bombe do t’i jepej fund një lufte, e cila mund të vazhdonte në Paqësor edhe për 20 vjet. Natyrisht, nuk mund të mendosh që lufta e Kosovës mund të ketë qenë një luftë ku janë zbatuar të gjitha konventat e të drejtat e njeriut, pasi çdo luftë është e pisët, por luftërat ku ushtria e shtetit lufton kundër qytetarëve të vet, pra lufta civile, është 10 herë më e pisët dhe e vështirë. Megjithatë, nën qiellin e Europës për shumë vite kjo u lejua në ish-Jugosllavi, deri kur “Pëllumbi i Paqes” së Dejtonit, Milosheviçi, nuk i theu hundët pikërisht nga ata fëmijët e katundarëve të Kosovës, bijtë e thjeshtë të popullit fukara, të cilët krijuan ushtrinë që na riktheu krenarinë qytetare e kombëtare: UÇK-në. Një ditë të bukur, në burgun e Shevingenit në Hagë, teksa Sllobodani ishte në ashensor, u gjend me Ramushin vetëm për vetëm dhe uli kokën teksa Ramushi i tha: “Eh zoti President, a ta merrte mendja ndonjëherë se një ditë do gjendeshe me mua këtu?”…. E pra, njëri u largua me arkivol nga aty, e tjetri u kthye dy herë i lirë dhe hero te njerëzit e vet. Por jo sepse gjoja ishin zhdukur dëshmitarët, por sepse në atë luftë kishte një humbës dhe një fitues, humbësit qëndruan me humbësit dhe fituesit me fituesit.
* * *
Kenedi i madh ka thënë: “Mos pyet ç’ka bërë atdheu yt për ty, por ç’ke bërë ti për atdheun tënd”. E pra, Kenedi nuk ishte nacionalist e ultranacionalist, ishte patriot, jetoi e vdiq si i tillë. Nëse një burokrate e shpifur dhe e dështuar si zonja Del Ponte, që në vend të shkruante libra duhej të bënte punën e vet si prokurore, për shumë vite kërkoi të na mbushte mendjen se Ramushi, Fatmir Limaj, Rustem Mustafa dhe e gjithë UÇK ishin kriminelë, për ta dhe për ata që mendojnë si Del Ponte ka vetëm një përgjigje: një popull i tërë nuk mund të jetë kriminel, liria nuk fitohet me pallavra, por me gjak e sakrifica.
Mbi luftën, Ramushin, drejtësinë dhe Europën!
Prizreni dhe Karshiaka, ripërtërijnë marrëveshjen e bashkëpunimit
Marrëveshja e bashkëpunimit mes Prizrenit dhe Karshiakës e nënshkruar sot në zyret e kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, parasheh bashkëpunim pa afat mes këtyre dy qyteteve pasi deri më tash marrëveshjet kanë qenë 5 vjeçare.
Të dy kryetarët e komunave në prononcimin për gazetarë pas nënshkrimit të marrëveshjes kanë deklaruar se bashkëpunimi mes Prizrenit dhe Karshiakës do të thellohet edhe në fusha të tjera e jo vetëm në kulturë dhe art.
Kryetari Muja shprehu kënaqësinë për vizitën e delegacionit të qytetit të Karishakës.Kryetari i Komunës së Karshiakës Xhevat Durak,ndwrkaq pasi falënderoi mikpritësin për pritjen e ngrohtë, tha se bashkëpunimi mes dy qyteteve do të thellohet në të gjitha fushat e jetës.
Komuna e Karshiakës ka ndihmuar komunën e Prizrenit në realizimin e disa projekteve, dhe me këtë rast u premtua ndihmë dhe bashkëpunim më i frytshëm./TV Opinion/
Jahjaga i kërkon Ashtonit dërgimin e vëzhguesve më 3 nëntor
Presidentja e Kosovës i ka dërguar letër Përfaqësuesës së Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, përmes së cilës i ka kërkuar asaj dërgimin e një misioni evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.
“Si Presidente e vendit, jam plotësisht e përkushtuar t’i ndërmarr të gjithë hapat e nevojshëm që të sigurojmë zgjedhje të lira dhe të drejta në Kosovë, që do të rezultojnë me zgjedhjen e përfaqësuesve legjitimë për të përfaqësuar interesat e qytetarëve të Kosovës dhe t’i adresojnë brengat e tyre. Andaj, e ftoj Shkëlqesinë tuaj të dërgojë një mision të BE-së për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve”, shkruan në letrën e presidentes.
Atifete Jahjaga gjithashtu ka shprehur kënaqësinë për takimin që e ka pasur me Baroneshën Ashton javën e kaluar ku siç thuhet në letër, është diskutuar për zbatimin e marrëveshjes së arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
“Në veçanti jam e kënaqur që kishim mundësinë të diskutojmë bashkërisht për rëndësinë që bart kjo periudhë për përpjekjet dhe ndërmarrjet e reja për të integruar plotësisht të gjithë qytetarët dhe për t’i forcuar institucionet tona demokratike”, thuhet në letrën e Jahjagës.
Promovohet libri i Teuta Hadrit
Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, është përuruar libri “Leksikoni i Grave të Lëvizjes Ilegale për Çlirim”, i autores Teuta Hadri, në të cilën janë paraqitur biografitë e mbi 100 grave që punuan dhe u angazhuan në lëvizje të ndryshme kombëtare për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb.
Nga të pranishmit, “Leksikoni i Grave i Lëvizjes ilegale për Çlirim” me autore Teuta Hadri, është vlerësuar një ndër projektet më të mira dhe më të përmbledhura të botuara për gruan shqiptare dhe fatin e saj në gjysmën e dytë të shekullit 20.
Simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, e ka çmuar lart librin që pasqyron shumicën e grave që dhanë kontribut të paçmuar në çlirimin nga pushtuesi serb, mirëpo, ka deklaruar se burrat dhe shoqëria shqiptare, i kanë borxh shumë këtyre grave që flijuan rininë dhe jetën e tyre për ta gëzuar sot lirinë. “Ne nuk mund t’u dalim borxh grave, motrave dhe nënave tona kurrë. Këtë le të din çdo shqiptar. Për Poloninë është thënë shumë herë që nëna poloneze shpëtojë popullin polak nga gjermanizomi dhe ja ku është Polonia sot. E askënd nuk e dëgjova se popullin shqiptar e shpëtoi nëna shqiptare, por secili, por secila parti dhe po thotë që unë e shpëtova. Kështu që duhet t’i bëjmë disa korrigjime. Unë ju thërras që t’ia bëjmë sikurse polakët, kur të takohemi me gratë dhe vajzat t’ua puthim dorën dhe të tregojmë se jemi kandidatë për Evropë, sepse me pallavra në atje nuk shkohet”, ka thënë ai,transmeton Epoka e re.
Autorja e librit, veprimtaria e shquar, Teuta Hadri, ka potencuar se frymëzimin për këtë libër e gjeti pikërisht në burg, pasi që aty hasi në vuajtjet e gruas shqiptare. “Ajo që më ka shtyrë të shkruaj këtë libër ka qenë burgosja ime në burgun e Mitrovicës, që nga ato ditë të kobshme të jetës sonë rinore që i humbëm në ato kazamate dhe mure të betonta, ku burgjet ishin të mbushura me nxënëse, studente, vajza, nëna dhe gra shqiptare, që i kishin lënë fëmijët e tyre në shtëpi dhe ishin nisur rrugës së lirisë dhe qëndronin në burgje ku u maltretonin nga forcat dhe agjendat e sigurimit serbo-sllavë. Qëndresa e atyre nënave dhe grave të cilat edhe brenda burgjeve formuan celulat që kur të dalin të vazhdojnë rrugën e lirisë”, ka theksuar ajo.
Negociatat për MSA-në në vjeshtë
Komisioneri evropian për zgjerim, Stefan Fuele, po qëndron sot në Kosovë. Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Thaçi, Fuele ka deklaruar se Kosova ka shënuar përparime të mëdha në raport të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë si dhe hapjen e negociatave për MSA-në, arritje me të cilat sipas tij duhet krenuar pasi janë rezultat i punës së Prishtinës.
Fuele është shprehur i gatshëm që projekt plani për MSA-në të fillojë të diskutohet në vjeshtë duke besuar se në pranverën e vitin të ardhshëm do të mbylleshin negociatat e tilla.
Siç bën të ditur RTK-ja, ai gjithashtu ka përgëzuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që kanë votuar tetë ligjet e kërkuara nga BE
Kurse, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se e ka njoftuar Komisionerin Stefan Fuele lidhur me gatishmërinë e Kosovës për zbatimin e marrëveshjes me Serbinë.
Gjithashtu kryeministri Thaçi ka thënë se me Fuele ka biseduar lidhur me përgatitjet e Kosovës për procesin elektoral që do të zhvillohet në 3 nëntor.
Hapet Festivali i 12-të Ndërkombëtar i Teatrit “Butrinti”
Festivali i 12-të Ndërkombëtar i Teatrit “Butrinti 2000”, do të çelë sot siparin në teatrin antik të Butrintit, me shfaqen “Spiunazh në epokën e gurit”, të Aleksandër Vollodin, vënë në skenë nga trupa e Teatrit shtetëror të Satirës “Aleko Kostandinov’ të Bullgarisë.
Regjisori i shfaqjes dhe drejtor i trupës, prof. Pllamen Markov, duke drejtuar provat në skenën antike të amfietatrit 3 mijë vjear të Butrintit, pohon jo pak emocione në një skenë të veçantë dhe me një publik po aq të veçantë. “Për dy ditë ne kemi njohur një vend të ri dhe kemi takuar njerëz miqësorë, kemi shijuar detin e kaltër dhe diellin, e natyrisht emocionet i takojnë shfaqjes sonte”, tregon ai, transmeton ’24orë’.
Janë 15 aktorë, mes të cilëve e mirënjohura artiste kombëtare e Bullgarisë, Tatjana Lolova. Në skenën e hapur të teatrit, të ngritur në shekullin e III-të, para Krishtit, dhe të përshtatur më vonë në stilin romak, pajisur me një skenë romake, pritet të interpretojnë 4 trupa të huaja.
Sipas programit, gjatë ditëve të festivalit pritet të interpretojnë trupa nga Bullgaria, Amerika, Spanja, Italia dhe Ukraina.
Për katër netë, mbrëmjeve, publiku do të ndjekë shfaqet në skenën e hapur të teatrit 3 mijëvjeçar, në Parkun kombëtar të Butrintit.
Në këtë edicion paraqet avantazh infrastruktura e përfunduar e rrugës që lidh Butrintin me Sarandën, ku për pak minuta përfundojnë 15 kilometrat ndarës. Oraret e shfaqjeve të përcaktuara pas orës 21.00, japin mundësinë e ndjekjes së shfaqjeve nga gjithë pushuesit e zonës.
Në këtë edicion të 12-të pritet të mbahen edhe minutat homazh, në nder të dy aktorëve të mëdhenj të teatrit shqiptar, Agim Qiriaqi dhe Roland Trebicka.
Por, megjithë ftesën e bërë më parë, deri tani nuk ka të përfshirë në program asnjë trupë shqiptare e teatrit në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni.
Sipas regjisorit Alfred Bualoti, i është bërë ftesë trupës kombëtare në Tiranë, por ata nuk janë përgjigjur. Festivali organizohet pas dy vitesh mungesë, për arsye edhe të mos transparencës financiare të organizimit të përvitshëm të këtij eventi kulturor dhe për herë të parë, shfaqjet zhvendosen edhe në qytetin e Sarandës.
Shfaqja e fundit do të jetë spektakli muzikor “Si ëngjëjt në qiell”, mbrëmjen e 23 korrikut, i cili pritet të zhvillohet në shëtitoren e Sarandës, me interpretimin e artistëve të teatrit të Bergamos, Itali, nën regjinë e Luigi Pezzoti.
Festivali i Butrintit organizohet nga Qendra Kombëtare e Teatrit Mesdhetar dhe Parku Kombëtar i Butrintit.
VV në Malishevë: Konstatimet tona, po i vërteton edhe Auditori
Lëvizja Vetëvendosje! në Malishevë, vlerësoi të enjten se Komuna e Malishevës po vazhdon të funksionojë “ad hoc” sa i përket financave .
“Raporti i auditorit për vitin 2012 e tregon këtë. Mungesa e transparencës së qeverisjes lokale është karakteristikë e një keqqeverisje të pushtetit që prej disa viteve në Komunën e Malishevës. Gjetje si këto përveç Lëvizjes Vetëvendosje ! tash e disa vite po i përmend edhe Auditori Gjeneral duke kërkuar llogari dhe përmirësim. Fatkeqësisht, rekomandimet e shprehura nuk kanë gjetur zbatim nga Komuna e Malishevës edhe pse rekomandimet përsëritën çdo vit. Kjo tregon se abuzimi dhe jo transparenca me financa vazhdon në Komunën e Malishevës dhe papërgjegjësia dhe arroganca është në rritje”, thuhet në komunikatën e VV-së në Malishevë.
Sipas Raportit të Auditorit për vitin 2012 në Komunën e Malishevës ka bërë shkelje ligjore, abuzim dhe fshehje të rrjedhës financiare. ”Raporti tregon tashmë qartësisht se udhëheqësit e Komunës nuk janë të gatshme për transparencë të parave dhe kapitalit që menaxhon për të cilën e detyrojnë edhe ligjet në fuqi”.
Lëvizja Vetëvendosje! në Malishevë për parregullsitë, si konflikt të interesit, pronat publike, shpenzimet marramendëse të kryetarit Kilaj, taksat dhe ngarkesat tjera ka reaguar në vazhdimësi dhe ka kërkuar përgjegjësi dhe llogaridhënie. “Ne i kemi paraqitur këto në organet kompetente të shtetit të cilat vazhdojnë heshtjen përballë kësaj situate alarmante në keqqeverisjen dhe abuzimin e partisë në pushtet dhe njerëzve rreth saj”, thuhet në komunikatë të VV-së në Malishevë. /PrizrenPress.com/
Zëri i Aleksandër Moisiu, në Arkivin e Shqipërisë
Studiuesi i artit, Pjetër Logoreci ka dorëzuar në Arkivin e Shtetit një album me tre disqe gramafoni, me zërin e aktorit Aleksandër Moisiu me origjinë shqiptare. Pjesa e interpretuar prej tij, është monologu i Faustit të Gëtes.
Studiuesi në një intervistë për “Shekullin” tregon se është një koleksionist i shumë materialeve që kanë të bëjnë me këtë aktor për jetën e tij në Vjenë. Gjithçka për të ka lindur vetëm nga një fotografi që ka parë në teatrin e Vjenës, ku për një vit rreth ka interpretuar në shfaqjen “Udhëtime” me regji të Kornmüller.
“Edhe pse kushtonte “një dorë eurosh” e mora pa hezituar për ta pasur si “diamant” të familjes. Këtu ka një regjistrim të Moisiut, së bashku me zërin e Perandorit Franz Josef, zërin origjinal të famshmit kompozitor Straus”.
Kuvendi miraton 8 ligje për liberalizimin e vizave
Kuvendi i Kosovës me procedura të shpejtuara ka miratuar pakon prej tetë ligjeve si pjesë e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave.
Projektligjet, janë sponsoruar nga ministri i punëve të brendshme, Bajram Rexhepi dhe me shumicë votash janë mbështetur nga deputetët.
Këto ligje rregullojnë fusha të azilit, azil-kërkimit, menaxhimit të integruar të kufirit dhe çështje të ngjashme, për të cilat Bashkimi Evropian kërkon standarde evropiane për vendet që mëtojnë të futen në zonën pa viza – Shengen.
Sipas procedurave, të tetë ligjet i nënshtrohen edhen jë rishikimi npër komisionet gjegjëse dhe më pas formalisht votohen edhe njëherë në Kuvend, para se t’i procedohen presidentes për nënshkrim dhe publikim në Gazetën Zyrtare.
Miratimi i kësaj pakoje ligjore u bë në ditën kur para Kuvendit, në sesikonin e pasdites pritet të flasë edhe Komisionari për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule.
PK-ja akuzon Ekzekutivin për financimin e festivalit të Prishtinës
Partia Konservatore e Kosovës (PK) e vlerësoi absurde vendimin e Ekzekutivit të Prizrenit për alokimin 10,000,00 eurove nga buxheti komunal festivalit të filmit 9/11 që mbahet në një komunë tjetër atë të Prishtinës.
“Duke pasur parasysh mbështetjen e ulët dhe buxhetin e pamjaftueshëm të komunës së Prizrenit ndaj projekteve kulturore, dhënia e 10,000,00 eurove për një manifestim që mbahet në një komunë tjetër është e pakuptimtë dhe tendencioz. Me këtë varfërohen edhe më tepër mbajtjet dhe zhvillimet e manifestimeve kulturore të Prizrenit sidomos ato tradicionale që identifikohen me komunën tonë”, tha kryetari i PK-së, Munir Basha.
Sipas tij, segmenti i zhvillimit kulturor është shumë i rëndësishëm në zhvillimin e gjithmbarshëm të shoqërisë. “Me këtë dëshmohet se qeverisja aktuale nuk është e interesuar të investojë në zhvillimin e gjithmbarshëm të shoqërisë prizrenase por tenton që edhe ato mjete të pakta që i ka në dispozicion t’i shpërndajë për qëllime të tjera”, tha Basha.
Ai tha se miratimi i kërkesës së Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që të mbështetet një eveniment jashtë kufijve të komunës së Prizrenit, tregon një papjekuri politike të pushtetit lokal.
“Në kohën kur drejtoria për zhvillim ekonomik dhe turizëm udhëhiqej nga subjekti jonë kemi ndarë 30,000,00 për festivalin tradicional të filmit dokumentar Dokufest. Ndërsa tani ky pushtet aktual nuk e kishte fare në rend të ditës mbështetjen e Dokufestit por një festival që mbahet në një komunë tjetër. Por pas intervenimit të subjekteve tjerë qeveria lokale mori vendimin që të mbështetet Dokufesti me 15,000,00 euro”, tha Basha.
Sipas tij, mbështetja e projekteve tjera dhe derdhja e pamatur e buxhetit në dëm të projekteve komunale është e papranueshme dhe e dëmshme. “Në kohën kur çdo cent është i rëndësishëm për mirëqenien e qytetarit, derdhja e fondeve për qëllime të tjera dhe mos investimi i tyre në komunën e dedikuar është diletantizëm politik i qeverisë lokale të Prizrenit”, tha Basha. /PrizrenPress.com/