32.8 C
Prizren
E martë, 18 Qershor, 2024

146-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, pianistja Lule Elezi dhe Orkestra e Harqeve të Tiranës shkëlqejnë me performancën para prizrenasve

Pianistja Lule Elezi në shoqëri të Orkestrës së Harqeve të Tiranës të udhëhequr nga dirigjenti Oleg Arapi është kthyer në Prizren me një koncert të muzikës klasike, duke ekzekutuar veprat e kompozitorëve botërorë dhe shqiptarë, për nder të shënimit të 146 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Ndonëse në sallën e Kino Lumbardhit kushtet nuk kanë qenë adekuate për një koncert të nivelit të tillë, megjithatë loja e pianistes prizrenase dhe orkestrës tiranase ka krijuar një atmosferë të bukur, që është përshëndetur me duartrokitje nga publiku i pranishëm, raporton Telegrafi.

Koncerti ka filluar me solo ekzekutimin e veprës së Ludwig van Beethoven nga pianistja Lule Elezi, për të vijuar më pas nën shoqërimin e orkestrës me paraqitjen edhe të veprave të kompozitorëve tjerë si Frederic Chopin, Manuel M. Ponce, Feim Ibrahimi, Edward Grieg, dhe të një kënge popullore, të gjitha këto të orkestruara nga Kreshnik Aliçkaj.

Paraqitja e fuqishme me virtuozitet në interpretim nga pianistja Elezi, bashkë me orkestrën e dirigjuar nga Arapi ka bërë që audienca të përjetojë kënaqësinë që ofron muzika klasike.

Pas koncertit, pianistja Lule Elezi ka theksuar se takimi me publikun prizrenas e ka përmbushur emocionalisht. “Duartrokitjet e tyre më bëjnë gjithmonë të mos ndalem, të vazhdoj të punoj, dhe kudo që performoj qoftë në Kosovë qoftë jashtë ta prezantoj vendin tim si është më së miri”, ka thënë Elezi.

Teksa ka shprehur mirënjohje për autoritetet e Komunës së Prizrenit dhe për ShKA “Harmonia” për këtë organizim, ajo ka veçuar edhe bashkëpunimin me dirigjentin Oleg Arapi dhe Orkestrën e Harqeve të Tiranës, raporton Telegrafi. “Shpresoj të vazhdojmë edhe më tutje këtë bashkëpunim. Sonte ishte një emocion i veçantë, pasi është shumë më vështirë të luash në vendin tënd, sepse këtu i njeh njerëzit, dhe këtë emocion nuk e gjen askund tjetër, sidomos kur flasim për qytetin e bukur të Prizrenit, që është qytet i fëmijërisë time”, është shprehur Elezi.

Ndërsa dirigjenti Oleg Arapi ka pohuar se pritja e publikut ka qenë plot me dashuri e respekt dhe se “kjo është kënaqësia e vërtetë e artistit”. Në të njëjtën kohë ka veçuar ekzekutimin e pianistes nga Prizreni.

“Fakti që ne lozëm së bashku me orkestrën tonë një koncert e tregon më së miri vlerën e Lules, që ka një lojë të jashtëzakonshme”, ka thënë Arapi.

Sipas tij ekziston nevoja që krahas veprave të autorëve botërore edhe veprat e muzikë klasike shqiptare të prezantohen më shumë. “Repertori që në sapo bëmë këtu është një repertor klasik shumë i bukur që mund të interpretohet në çdo vend të botës. Pra ka ardhur momenti që edhe neve ta ngremë në art muzikën klasike shqiptare”, është shprehur ai.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka bërë të ditur se ky koncert është pjesë e programit të pushtetit lokal për shënimin e 146 vjetorit të LSHP-së me qëllim që të prezantohet një program i veçantë artistik.

“Komuna e Prizrenit do të vazhdojë përkrahjen e aktiviteteve të tilla kulturore sepse Prizreni është kryeqytet kulturor dhe shpirtëror i shqiptarëve dhe ne do ti japim një vlerë të shtuar artistike e kulturore”, ka thënë Totaj. /Telegrafi/

Më Shumë

“Bashkimi Reisen” organizon udhëtime turistike për në Ulqin

Ofertë për Udhëtim Turistik me Bashkimi Reisen Lajm i Ri! Duke filluar nga data 21 Qershor 2024, Bashkimi Reisen organizon udhëtime turistike drejt Ulqinit të mrekullueshëm. Nisja...

Kurti i gëzuar që studio-bunkeri i radios “Kosova e Lirë” tani është nën përkujdesjen e shtetit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i gëzuar që studio-bunkeri ku janë përhapur lajmet e radios “Kosova e Lirë”, tani është nën përkujdesjen...

Sot nis Euro 2024

Lajmet e Fundit