12.8 C
Prizren
E hënë, 22 Shtator, 2025

Kristo Frashëri la amanet tri vepra në dorëshkrim

Krerët më të lartë të shtetit mesditën e së mërkurës janë përkulur para arkivolit të akademik Kristo Frashërit.

Në ceremoninë e organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Shqipërisë, dy ditë pas vdekjes së Frashërit në moshën 96-vjeçare, figura e tij është vlerësuar si e pazëvendësueshme sa u përket studimeve në histori.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, akademikë, profesorë e personalitete të tjera janë bërë bashkë për herë të fundit para Frashërit, që t’i jepet lamtumira e fundit në Tiranë.

“Një ndër ato humbje që e bëjnë edhe më të rëndë peshën e veprës së mbetur pas”, ka shkruar Rama në librin e zisë.

Kristo Frashëri njihej si studiues i pandalshëm, gjë të cilën e vërteton edhe krijimtaria e tij.

Amaneti i tij për të birin Gjergji Frashëri ishte botimi i tri veprave që janë pjesë e studimeve të tij, por ende të papublikuara.

“Besoj se i kam bërë gjërat mirë dhe mendoj se kam lënë trashëgimi diçka për vendin tim”, janë fjalët e fundit që Frashëri ia kishte thënë të birit. Komuniteti i studiuesve dhe i historianëve vdekjen e historianit e ka cilësuar si humbje të madhe për qarqet akademike në Shqipëri.

Historiani e diplomati Pëllumb Xhufi ka thënë se Frashëri ishte kolonë e rëndësishme e historiografisë shqiptare, i cili me veprën e tij ka prekur çdo periudhë.

“Pa dyshim është një humbje e madhe. Kristo Frashëri ka qenë një ndër kolonët e historiografisë shqiptare. Një historian që për 70 vjet ka punuar, ka prodhuar dhe ka përfshirë në rrezen e analizës së tij historike të gjitha periudhat”, ka thënë Xhufi. Ndër cilësitë e tij ka përmendur edhe momentin e refuzimit për të marrë titullin Doktor i shkencave në kohën e Shqipërisë socialiste.

Ndërsa historiania Valentina Duka ka thënë se vepra e Frashërit është pikë referimi.

E veprën e tij të fundit të botuar për historinë e Çamërisë, kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, e ka vlerësuar lart.

“Do ta quaja një njeri që na kujton gjithmonë se historia përsëritet dhe ne shqiptarët nuk duhet të na zërë amnezia. Do ta quaja një njeri të madh, veprat e të cilit duhet t’i kemi si udhërrëfyes për strategjinë kombëtare shqiptare”, ka thënë Idrizi.

Akademik Kristo Frashëri, i lindur më 17 dhjetor të vitit 1920 në Stamboll, më 1927 bashkë me familje ishte riatdhesuar në Shqipëri. Ishte djali i parë i patriotit dhe rilindësit Anastas Frashëri. Më 1940, pasi kreu shkollën e mesme, u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firencës. Dy vjet më vonë ishte burgosur dhe internuar nga administrata fashiste, dhe më 1943 u ishte bashkangjitur aradheve partizane në Shqipëri.

Akademik Frashëri kishte nisur të botonte studimet e tij qysh në vitet ’50 të shekullit të kaluar. Ndër veprat e tij më të njohura janë: “Historia e Çamërisë”, “Principata e Arbërisë”, “Jeta e një historiani”, “Ahmet Zogu: vështrim historik”, “Etnogjeneza e shqiptarëve – Vështrim historik”, “Historia e Dibrës”, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1881”, “Ismail Qemali – album”, “E vërteta mbi shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e Enciklopedisë së Shkupit”, “Historia e Kosovës. Dardania (Kosova Antike)”, “Skënderbeu i shpërfytyruar“, “Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën (vjeshtë 1809)”, “Historia e qytetërimit shqiptar (Nga kohët e lashta deri në fund të Luftës së Dytë Botërore)”, “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë: (28 Nëntor 1912)”, “Historia e Lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së (1878 – 1941)”.

Më 1997 ishte zgjedhur zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përderisa më 1999 u pensionua përsëri. /KultPlus.com

Më Shumë

Paralajmërim, varianti i ri i Covid përhapet me shpejtësi: Ngjirja e zërit si shenja e parë

Varianti i Covid Stratus, i njohur edhe si XFG, po përhapet me shpejtësi në të gjithë popullatën dhe ka një simptomë të hershme delikate...

Arrestohet i dyshuari për disa vjedhje në Prizren

Policia e Kosovës ka identifikuar dhe arrestuar sot një përson të dyshuar për disa raste të veprave penale të vjedhjes. Sipas njoftimit të Policisë në...

Lajmet e Fundit