Billusha si vendbanim përmendet qysh në vitin 1332. Në dokumentet historike llogaritet ndër vendbanimet më të vjetra.
Shani Berisha, kuvendar i KK të Prizrenit, shprehet për gazetën se ky fshat shquhet në të gjitha periudhat historike, po të dhënat flasin me së shumti nga koha e Lidhjes së Prizrenit, ku disa delegatë të Lidhjes kanë pasur konak edhe në këtë fshat.
”Fshati Billushë ka qenë një nga mbështetësit e Hasan Prishtinës dhe komitëve të tjerë, si Qazim Lita, të cilët nuk janë pajtuar asnjëherë me pushtuesin dhe jo rastësisht fshat Billushë është djegur dy herë, më 1912 dhe 1916, nga pushtuesit serbë e bullgarë, të cilët kanë masakruar gra, pleq e fëmijë, ku janë shuar shumë familje”, tregon ai, shkruan gazeta Kosova Sot.
Një fis i tërë u shua nga spastrimi
Berisha thotë se fisi Alaj është shuar nga ajo fushatë spastrimi.
Kurse Zafir Berisha, deputet, tregon se rebelimi i banorëve të këtij fshati ka vazhduar në Luftën e Dytë Botërore, ku fshati është identifikuar me çetën e Destan Billushës, bashkëpunëtor i ngushtë i Xhem Gostivarit dhe Muharrem Bajraktarit.
“Billusha asnjëherë nuk është pajtuar me komunizmin dhe regjimin serb në Kosovë dhe më 1981 në një grup të organizuar arrestohen shumë të rinj që kërkoni Republikën e Kosovës ku u mban me shumë vjet burg të rëndë në burgjet famëkeqe të ish- Jugosllavisë”, tregon Zafir Berisha.
Florim Gashi, banor i fshatit, thotë se vendosmëria për liri e banorëve të këtij fshati kulmon me luftën e UÇK-së ku për herë të parë në komunën e Prizrenit UÇK-ja del publikisht dhe fillon mobilizimi për luftë të armatosur që është udhëhequr nga Zafir Berisha, në mbështetje të shumë djemve të këtij fshati dhe fshatrave te rajonit të Vërrinit.
Dasmat mbushin shtëpitë me hare e aheng
Myrfert Shasivari, banor nga Billusha, ish-kryetar i fshatit e i arrestuar politik, shprehet se ky fshat tani ka mbi 200 shtëpi dhe mbi 300 kurbetçinj. Ai shton se ky fshat jeton me remitencat e ardhura nga jashtë, por pohon se këta banorë janë punëtorë të vyeshëm.
Ai për Kosova Sot shprehet se fshatin e karakterizojnë dy stinë, stina kur piqen dredhëzat, sepse ai është i dalluar për prodhimin e dredhëzave dhe vera kur kthehen bashkatdhetarët.
“Kthimi i tyre sjell jetë në fshat. Ajo që e karakterizon ende janë dasmat në gjithë fshatin, ku bëhet aheng i madh”, shprehet ai.
“Jam i pasionuar me dasmat e fshatit”, thotë ai.
Shton se Komuna së fundi në këtë fshat po i kryen disa shërbime, si shtrimin e rrugëve dhe rrugicave, por ankohet se fshati nuk ka një ambulance dhe shtëpi kulture. Ankohet për ujin e pamjaftueshëm gjatë stinës së verës.
Shasivari tregon se në këtë fshat janë bërë mjaft investime.