16.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Ymer Prizreni, intelektuali më i kompletuar i kohës së tij

Njëra nga figurat më të njohura kombëtare që respektohet dhe intelektuali më i kompletuar konsiderohet Ymer Prizreni, kurse për rolin dhe rëndësinë e tij tregon mr. Enver Bahtiu. Ndërkaq, duke folur për figurat emblematike, Bedri Halimi shprehet: “Gjyshi i Ymer Prizrenit, Ismajli nga fshati Zgatar i Opojës, duke qenë një fshatar i varfër, me tokë të pakët e pa mjete jetese, në gjysmën e dytë të shekullit XVIII është vendosur me familje në qytetin e Prizrenit. Për të mbijetuar dhe për ta arsimuar djalin e tij, Sylejmanin, ai bëri punë të ndryshme krahu. Kështu, Sylejmani, ndonëse në kushte shumë të vështira familjare, arriti të bëhej myderriz e imam i Xhamisë së Mëhallës së Re në Prizren. Duke qenë njeri me edukatë dhe i dashur me njerëzit, ai shumë shpejt bëhet njeriu më i dashur i masës së gjerë popullore të Prizrenit, dhe jo vetëm të tij”, thotë Halimi dhe shton se Sulejman efendiu më pas ishte predikues medreseje dhe imam i xhamisë Gazi Mehmet Pashës në Prizren. Djali i Sylejmanit, Ymeri, u lind në vitin 1821. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes në Prizren, mbase në medresenë e kohës në Prizren, kurse studimet në lëmenj të shkencave juridike, filozofike dhe teologjike i mbaroi në Stamboll.

Njeri me influencë

Pas mbarimit të arsimimit të lartë në Stamboll, ka shërbyer myfti në Prizren. Fillimisht nderohej si Efendi (zotëri), kurse pas haxhíllëkut do të nderohet me titullin Haxhi. Meqë ishte udhëheqës shpirtëror i rreshtimit mistik nakshibendi, quhej edhe sheh. Duke qenë njeri me influencë të madhe, në vitin 1877 zgjidhet përfaqësues i Sanxhakut të Prizrenit në Parlamentin Osman. Që nga ai vit e merr mbiemrin “Prizreni” dhe quhet Ymer Prizreni. Ymeri ishte i qetë, i qartë me aftësi të jashtëzakonshme për t’i bindur e përvetësuar njerëzit. Për këtë qëllim ai kishte bërë vizita në vise të ndryshme shqiptare, duke vendosur kësisoj lidhje bashkëpunimi me atdhetarë të viseve të ndryshme shqiptare. Bahtiu tregon se ka folur rrjedhshëm disa gjuhë: shqip, turqisht, serbisht, arabisht, persisht,frëngjisht dhe pjesërisht gjuhën gjermane. Thuhet se ai, përveç lëndëve të përgjithshme fetare, përfshirë edhe të drejtën trashëgimore, nxënësve ua ka mësuar edhe të drejtën zakonore shqiptare. Thënë shkurt, ai ka qenë njëri nga intelektualët më të kompletuar të kohës. Duke u mbështetur në burimet osmane, Ymer Prizreni qysh herët kishte rënë në kontakt me rilindësit shqiptarë e me patriotë të tjerë të dalluar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që punonin,jetonin a studionin në Stamboll, të cilët ishin inkuadruar në shërbime të ndryshme të administratës osmane, dhe me ata patriotë shqiptarë, që kishin qenë të internuar në viset e ndryshme të Perandorisë Osmane.

Kishte një pasuri të madhe

Ymer Prizreni duke qenë humanist e arsimdashës, nxënësit të tij të varfër i kishte ndihmuar edhe materialisht, duke i shpenzuar për ta të ardhurat e veta nga mulliri i tij, kurse duke qenë një atdhetar, i kamur dhe mikëpritës, ai në “shtëpitë oda” të fshatit Nashec kishte pritur shumë patriotë të viseve shqiptare, duke biseduar me ta për hallet e popullit shpesh deri në mëngjes. Ymer Prizreni kishte një pasuri të madhe pronash në fshatin Nashec e Grazhdanik në afërsi të Prizrenit. Në periudhën para Lidhjes së Prizrenit, atij dhe vëllait të tij Ali efendiut, i besohet ndërtimi i pendës në lumin e Bistricës në Prizren, në vendin e quajtur “Çagjir”. Atyre u besohet gjithashtu ndërtimi i urës, që gjendet në vendin e quajtur”Kërk bunar” (dyzet burime). Ymeri dhe vëllai i tij donin ta ndërtonin rrugën, e cila të çonte në Kalanë e qytetit, por hoqën dorë nga kjo ide, sepse duhej të rrë- zonin disa shtëpi në qytet.

Mullinjtë e Prizrenit

Ymer Prizreni me vëllezërit kishte gjashtë mullinj. Mulliri në hyrje të qytetit, në Marash, ka pasur 5 gurë. U rrënua më 1979. Mulliri në dalje të Prizrenit, pranë rrugës për në Kukës me 6 gurë, mulliri në fshatin Nashec, në afërsi të Drinit të Bardhë, me dy gurë. Po në këtë fshat në përroskën Sozi kishte edhe mullirin me një gurë. Mulliri i gjashtë me 4 gurë ndodhej në fshatin Gjonaj, ose në Novakë. Së bashku me vëllain blenë një copë tokë djerrë në Nashec dhe në të ngritën dy shtëpi të vogla, me qëllim që t’i përdornin si “oda” për t’i vendosur patriotët shqiptarë të viseve të ndryshme,që vinin kohë pas kohe. Një pjesë të mirë të pasurisë, Ymer Prizreni do ta shpenzonte më vonë në mbarëvajtjen e Programit Kombëtar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Gjatë viteve 1877-1878 u dallua në përpjekje për t’i ndihmuar familjet e shqiptare (muhaxhirët) të dëbuar me dhunë ushtarake serbe nga vatrat stërgjyshore të Sanxhakut të Nishit. Ka ndihmuar po ashtu familjet e dëshmorëve dhe sidomos fëmijët e mbetur jetimë. Këta janë disa nga shembujt, që dëshmojnë humanitetin, bujarinë, urtinë e fisnikërinë, që e cilë- sonin Ymer Prizrenin.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Malishevë: Dy raste të dhunës në familje

Në 24 orët e fundit në Malishevë janë raportuar dy raste të dhunës në familje, ka njoftuar Policia e Kosovës, shkruan PrizrenPress. Një femër kosovare...

Kjo është pasuria e ministrit Hajrulla Çeku

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporit, Hajrulla Çeku, ka deklaruar pasurinë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Çeku ka një banesë në vlerë 100 mijë...

Lajmet e Fundit