20.8 C
Prizren
E mërkurë, 1 Maj, 2024

Dosja e naftës/ Përplasjet në gjyq, dëshmitë në gjyq të Koço Plakut dhe Milto Gjikopullit

Plaku deklaronte qysh në fillim të marrjes në pyetje se nuk ishte spiun, siç thoshte për veten e tij një i pandehur tjetër. Mirëpo kjo nuk i pëlqente hetuesisë, e cila e kishte lidhur çështjen e grupit të naftës te agjenturat e huaja
Nga Shpëtim Koli

Në seancën vijuese e marrin fjalën Milto Gjikopulli dhe Koço Plaku. Seanca si përherë ka dorën e mjeshtërve të hetuesisë. Shtrohet problemi rreth sabotimeve apo drejt politikave të gabuara që ka ndjekur Partia e Punës në drejtim të naftës. Në këto drejtime dalim të gjitha shkeljet që ishin bërë nga PPSH-ja në drejtim të politikave të saj orientuese rreth naftës. Kuptohej se kjo çështje duhej të kalonte me kujdes nga aspektet e politikës së partisë (e cila në çfarëdo lloj rrethane kishte të drejtë) tek aspektet profesionale. Koço Plaku deklaronte qysh në fillim të marrjes në pyetje se nuk ishte spiun, siç thoshte për veten e tij një i pandehur tjetër. Mirëpo kjo nuk i pëlqente hetuesisë, e cila e kishte lidhur çështjen e grupit të naftës te agjenturat e huaja. Në të vërtetë si zhvillohet procesi, me regji të përcaktuar, është shumë e vështirë të përdorësh në maksimum filtrat ekologjikë për të ndarë të vërtetën njerëzore nga e pavërteta e hetuesisë.
Pjesë nga procesi gjyqësor
I pandehuri Milto Gjikopulli jep shpjegime rreth krimit të sabotimit dhe tha: Unë jam dakord me aktakuzën dhe kundërshtoj atë që tha Lipe Nashi, se ne kemi patur koncepte, por ne jemi sabotatorë e armiq. Koço Theodhosi vinte shpesh në naftë, ka marrë pjesë në konsultë në tetor 1974 dhe në aktivin e nëntorit 1974 dhe ka përkrahur pikëpamjet e mia armiqësore. Ai pranon të blejë makinën llogaritëse në firmën “Geospos”. Gjithashtu ka dorë dhe Abdyl Këllëzi, i cili nuk tha asgjë lidhur me diskutimin tim, duke thënë nuk ka gjë pikëpamja ideologjike, kryesorja është të gjejmë struktura. Piro Gusho dhe unë përdorëm euforinë. Ne botuam artikuj në revistën “Nafta e Gazi”, artikuj metodikë dhe ata flasin qartë për punën tonë armiqësore. Kemi sabotuar në ranorët. Ne kemi planifikuar që të braktiseshin ranorët dhe këtë e kemi maskuar se ranorët kanë debite të ulëta dhe ne vëmendjen e kishim te gëlqerorët.
Ne linim të sigurtën, d.m.th. linim ranorët dhe sabotonim gëlqerorët. Kemi shpuar puse në Karbunarë në kundërshtim me mendimin e gjeologëve. Kemi hequr dorë nga Kallm-Verri dhe Qyteti-Stalin. Nën ndikimin e koncepteve tona armiqësore kemi hequr dorë nga ranorët. Ne nuk i kemi marrë parasysh sugjerimet e punëtorëve duke hequr sondat ose nuk i kemi dërguar fare. Gjetja e naftës i është lënë spontanitetit kurse sabotimi është programuar. Kjo gjeti mbështetje nga Lipe Nashi, Beqir Alia, Koço Plaku, unë, Protoko Murati e gjithë grupi armiqësor. Përqendrimet tona ishin sikur bëheshin sipas vendimit të Byrosë Politike.
Seanca mbyllet dhe çelet nesër më datën 12.6.1976 ora 8.00
Tiranë më 11.6.1976.
Sot më datën 12.6.1976 dhe orën 8.00 të lënë për gjykim trupi gjykues i përbërë si më sipër vazhdon të gjykojë çështjen e të pandehurve Filip Nashi e shokë.

Kryetarja çel seancën dhe merr ne pyetje te pandehurin Milto Gjikopulli, i cili tha: Unë, Lipe Nashi, Beqir Alia, Protoko Murati, Koço Plaku, Dhimitër Stefa kemi sabotuar dhe në studimet gjeofizike me qëllim që ta linim vendin pa naftë. Ne lamë fushat dhe zonat kodrinore dhe kaluam në zonat malore, duke shkelur vendimin e Byrosë Politike. Gjithashtu kemi abuzuar me vendimin e Byrosë Politike duke përdorur në Vlorë makineritë në kohë të ndryshme. Unë dhe Beqir Alia e Koço Plaku përhapëm konceptin se edhe pa gjeofizikë gjejmë naftë. Gjithashtu kemi projektuar pa gjeofizikë si unë, Protoko Murati, Dhimitër Stefa e të tjerë. Gjeofizikën e kemi nënvleftësuar. Ne kemi mbuluar zona me perspektivë të madhe, si Zadrima, Velipoja, Dukati, Erzeni etj.

Një përgjegjësi të veçantë ka Lipe Nashi, i cili bleu makinën elektronike në një shtet që nuk duhej blerë, se ata ndjekin një politikë agresive kundra vendit tonë. Kuota e dhënë ndërmarrjes gjeofizike kanë qenë në nivelin që nuk përballonte dot shpenzimet. Një përgjegjësi të madhe lidhur me kuotat mban edhe i pandehuri Beqir Alija, ai ishte bërë barrierë dhe i ka vënë në gjumë punonjësit e gjeofizikës. Ne kemi nënvleftësuar neogjenin dhe i kemi dhënë rëndësi gëlqerorit.

Duke nënvleftësuar punimet gjeofizike janë larguar shumë kuadro dhe këto janë bërë nga Lipe Nashi dhe kjo është bërë me qëllim armiqësor. Këto janë bërë për të lënë vendin pa naftë. Veç hartës së Vurgut janë përpiluar edhe harta të tjera si ajo e Rënxë Kakariqit, Osmanzezës etj., të cilat janë të gabuara. Këto janë aprovuar nga këshilli shkencor e janë hapur puse që nuk kanë dhënë rezultate. Hartat janë projektuar nga Koço Plaku e Kadri Rama dhe ajo e Drinosit ishte projektuar prej meje.
I pandehuri Filip Nashi tha: Pyetje nuk kam, por jam dakord me thëniet e Milto Gjikopullit, unë kam sabotuar me ndërgjegje.
I pandehuri Koço Plaku tha: Nuk kam pyetje, jam dakord me të.
I pandehuri Beqir Alia tha: Jam dakord pjesërisht me thëniet e Miltos, do t’i them kur të jap shpjegime.
I pandehuri Milto i përgjigjet pyetjes së Protoko Muratit dhe tha: Kur kam dalë nga takimi me ish-ministrin Koço Theodhosi nuk i thashë çfarë bisedova me të.
I pandehuri Protoko tha: Jam dakord me thëniet e Milto Gjikopullit.
I pandehuri Dhimitër Stefa tha: Nuk kam vërejtje rreth thënieve të Milto Gjikopullit.
I pandehuri Jani Konomi tha: Pyetje nuk kam, vërejtjet do t’i them në shpjegimet që do jap unë gjatë apologjisë time.
I pandehuri Milto i përgjigjet pyetjes së Nuredin Skraparit dhe tha: Pusin Prishtë-1 ne e përcaktuam në kushte jo të favorshme. Harta e Vurgut ka qenë e pasaktë, e papërshtatshme. Unë nuk e quaj akt-sabotimi këtë hartë, pasi në atë kohë nuk kishte hartë tjetër në vendin tonë.
I pandehuri Koço Plaku jep shpjegime lidhur me akuzën e sabotimit dhe tha: Unë pranoj se kam sabotuar Vendimin e Byrosë Politike lidhur me kërkimet e naftës në vitin 1967 dhe Vendimin e Qeverisë në 1970 dhe shumë orientime të tjera të Partisë.

Në mbledhjen e Vlorës në 1971, unë nuk kam marrë pjesë, por kam qenë dakord. Unë lidhur me Koculin-8, bëra interpretimin tim se nuk ka strukturë dhe ia lashë Këshillit Shkencor të vendoste në këtë drejtim. Unë tërhiqem dhe pajtohem me mendimet që shpreheshin në kërkimet e naftës.

Duke parë se Beqir Alija e Milto Gjikopulli i aprovonin në Këshillin Shkencor, jepja parafytyrime të drejta, përsëri përkrahja mendimin e tyre që mos të gjendej naftë. Ne kalonim me guxim në vendkërkimet, por ne shkonim duke mos u përgatitur. Ne kishim orientim që asnjë pus mos të bjerë jashtë strukture, kurse ne nuk bënim asnjë studim dhe vetëm shponim puse kot. Kemi shkelur parimin të ecet nga e njohura drejt së panjohurës, siç është Prishta. Këtu ne kemi bërë sabotim flagrant, për kalimin nga e njohura drejt së panjohurës është bërë shkelje flagrante, sabotim.
Është nënvleftësuar sizmika dhe punimet rilevuese në fushë. Një vendim i padrejtë që është marrë, ka influencuar Ilija Dimulla. Unë i jam kundërvënë vendimit të Byrosë Politike. Unë kam projektuar puse pa sizmikë si në Osmanzezë. Unë kam projektuar puse pa sizmikë para se të dilte vendimi i Byrosë Politike në 1959 në Zall-Herr. Golem-Kavajën e kam projektuar në 1964. Këtu nuk ishte problemi për të njohur strukturën, por qëllimi ishte ka gaz apo nuk ka. Edhe ky pus dha rezultate negative. Të gjitha shpimet strukturale kishin dhënë gaz. Edhe struktura e gazit në Bisht-Pallë u shpua me qëllim sabotimi. Këtu u shkel vendimi i Këshillit të Ministrave. Që kur sabotonin sovjetikët këtu, thoshin se sizmika nuk influencon në kërkimet e naftës.
Me qëllime sabotimi sizmika nuk bën kërkime, por ikën në Korçë dhe bën kërkime atje. Iniciator për këtë ishte Nevruz Kodheli. Sizmika thoshin se nuk jep rezultate në flish. Unë e kam quajtur të rastit gjetjen e naftës në Bubullimë me sizmikë. Unë thosha se nuk jam unë ai që do ndreqë apo rregulloj botën. Kështu sizmika ne thamë të përqendrohej në zonën Pranadriatike dhe e hallakatnim atë. Edhe këtu përgjegjësi mbaj unë, që thosha se mund të bëjmë pa sizmikë, para se të dilte vendimi i Byrosë Politike, por kur filluan të dështonin disa puse fillova të them se duhet sizmika pa tjetër dhe duhet modernizuar, por e lija deri këtu, nuk e ngrija zërin më lart, pasi isha kundër Vendimit të Byrosë Politike. Në këto pozita ka qenë Lipe Nashi, Beqir Alija, i cili e la sizmikën mënjanë, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Hasan Topçiu e Hekuran Kodheli.

E lanë sizmikën me qëllim sabotimi, që mos të gjendej naftë. Kuadri i sizmikës ishte i dobët dhe sizmika mbeti në gjendje të keqe. Ata mbronin pozitën e tyre në Këshillin Shkencor, ata ishin të molepsur me ideologjinë e tyre, këta ishin Petrit Sadushi, Hekuran Kodheli e Hasan Topçiu. Me materialin e dobët të sizmikëve e kemi aprovuar edhe ne siç kemi aprovuar Koculin dhe Picarin-5, ne ia kemi besuar shumë sizmikëve, ata e paraqisnin materialin të padiskutueshëm, por që ishte material kundra vendimit të Partisë. Picarin-5 e kanë aprovuar Protoko Murati, Lipe Nashi, po kështu është sabotuar edhe në disa puse të tjera në Kocul e gjetkë.
Unë kam projektuar edhe në Kozarë, pasi kishin bërë kërkime më parë edhe italianët, por pusi nuk u shpua. Pas hapjes së pusit të parë me gëlqerorët në pusin Kozarë-1, goditëm për puse të tjera. Kemi atakuar strukturat me nga një pus dhe pastaj tërhiqeshim. Pusin e parë ne e kemi dhënë pa kompleks dhe pastaj jemi tërhequr, kurse Miltua thosh të shpojmë sa më tepër, kështu kemi sabotuar edhe në Ardenicë, duke shpuar vend e pa vend. Në kërkimet e gazit nuk kemi patur struktura të përgatitura dhe jemi hallakatur në Divjakë e kemi shkuar në Frakull ku kishin sabotuar sovjetikët. U detyruam nga situata e krijuar që t’i kthehemi Frakullit-4. Vendburimi në Frakull ka kushtuar shumë shtrenjtë metri kub i gazit që merret nga ky vendburim.

Atë sasi gazi ne mund ta merrnim nga puset shoqërues të naftës, por ne bënim sabotime në të dy krahët.
Ne lamë Bisht-Pallën që e kishim gazin aty dhe pusin në det nuk e kemi shpuar fare. Puset në Bisht-Pallë janë hallakatur 10 vjet. Këtë e kemi bërë për të sabotuar dhe sabotatori kryesor është i pandehuri Lipe Nashi. Ne thoshim se nuk shpojmë puse të shtrembër, kurse ne kemi shpuar pus të shtrembër që në 1958. Këtu është puna për të sabotuar, për të mos shpuar pusin në det dhe të vërtetonim se gazi është industrial. Ne e sabotonim këtë dhe unë e kam ditur këtë.

Unë këtë nuk ia kam thënë Qeverisë se pusi nuk po shpohet në det, se nuk kisha besim te Partia dhe nuk isha dakord me vijën politike të Partisë, kisha urrejtje ndaj saj. Edhe në Trevllazër e kemi zvarritur çështjen e puseve të gazit dhe kështu kemi sabotuar. Vendburimet në gëlqerorët përfunduan krejtësisht. Vendburimi nuk mund të njihet pa pusin eksperimental. Kështu kemi vepruar në Gorisht-Kocul. Është sabotuar në puset e vendburimeve që në etapën e parë me shfrytëzim joracional.

Ka patur projekte paraprake për shfrytëzim të vendburimeve si në Visokë e Ballsh, po asnjëherë nuk janë aplikuar këto projekte. Këtë kanë dijeni Jani Konomi, Piro Gusho, Koço Theodhosi e tjerë. Janë lënë rreth 3.000.000 ton naftë në sipërfaqe. Janë dëmtuar rezervat më shumë se sa thuhet në aktin e ekspertizës. Të gjitha këto ne i fshihnim se hë po e hedhim lumin.

Më Shumë

Hyn në fuqi marrëveshja Shqipëri-Kosovë “pa kufi” për 9 muaj

Prej ditës së mërkurë ka hyrë në fuqi zbatimi i marrëveshjes, sipas të cilit, qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës do të kalojnë përmes...

Aksidenti me fatalitet në Suharekë, shoferja dyshohet se nga pakujdesia kaloi në shiritin e kundërt dhe u godit me motoçikletën

Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh ka dhënë detaje lidhur me aksidentin me fatalitet që ndodhi të dielën në Shirokë të Suharekës, ku për...

Lajmet e Fundit