1.6 C
Prizren
E martë, 4 Shkurt, 2025

30 familje s’kanë ujë në Prizren

Ankesa e banorëve të rrugës “Janina”, e sidomos lagjes së kësaj rruge, “Gurishte”, është një nga ankesat jetike të jesh ose mos të jesh. Sidomos në këto ditë vere, kur vapa përcëllon gjithkah. Janë jo më pak se 30 familje të kësaj lagjeje që ankohen për mungesën e ujit të pijshëm, por çka është edhe më e keqja, është fakti se atje s’ka as rrjet të ujësjellësit e as të kanalizimit.

Vapa ua vështirëson jetën

Tashmë ata banorë gjenden në hallin e madh të vapës dhe mungesës së ndriçimit publik të rrugës së paasfaltuar, bile as me zhavorr nuk e kanë të shtruar. Përfaqësuesit e këtyre banorëve, Idriz Sertolli dhe Besim Kastrati, të zhgënjyer me neglizhencën e komunarëve, të cilët kanë harruar këtë lagje me 30 familje dhe për ta u bie ndër mend vetëm kur ka ndonjë fushatë zgjedhore.”Vetëm në fushatë erdhën dhe na premtuan se do të na sjellin rrjetin e ujësjellësit, se do të na i asfaltojnë rrugën, pastaj na premtuan edhe ndriçimin publik. E vërteta, ndriçim publik pati pak kohë, por tani e dy muaj s’ka më asnjë natë ndriçim. Por, ajo që na shqetëson të gjithëve në këtë lagje është mungesa e ujit, të jetosh pa ujë s’paska gjë në botë më vështirë. Kjo as që mund të quhet jetë, kemi hapur puse, por në këto ditë vape, kur kjo lagje është gurishtë, s’kemi ujë, sepse janë shterur puset”, thotë Besim Kastrati për “Kosova Sot”.

18 vjet me mungesë uji

Edhe banorët e rrugës “Janina”, si: Faik Asllani dhe Hysen Xhemallari thanë se nuk kanë ujë. Faik Asllani pohon se tani tetë vjet kanë ujë të pijshëm me reduktime të mëdha, kurse Hysen Xhemallari shtoi se mungesa e ujit dhe reduktimet drastike janë tani e 18 vjet radhazi. Derisa prof. Hasan Bala po ashtu me mllef flet për mungesën e ujit të pijshëm në këto ditë me vapë.

“Nëse dëshironi të shihni sesi në Prizrenin tonë të bukur e të dashur, ‘të dyzet burimeve simbolike’ ka njerëz që digjen për një pikë ujë, si banorët e Etiopisë afrikane në këto ditë me temperatura të larta gushti, ejani në rrugën ‘Anton Pashku’ dhe binduni”, tha Bala për “Kosova Sot”, dhe shtoi se duke mos pasur mundësi të ndërmarrë diçka tjetër për zgjidhjen e një problemi me rëndësi absolutisht jetike për njeriun: mungesën e ujit të pijshëm dhe ndoshta do ta dëgjojë ndonjë vesh ‘jo i shurdhët’ nga faktorët kompetentë. Lidhur me të gjitha këto jep sqarime shtesë inxhinieri nga “Hidroregjioni jugor” Lumni Sallahu,i cili tregon se ky problem i lagjes “Gurishte” duhet të zgjidhet nga Komuna e Prizrenit. “Pasi aty të shtrihet rrjeti, ne do të kemi mundësi pastaj të interesohemi për furnizim me ujë të pijshëm”, tha Sallahu,duke shtuar se mungesa e ujit në rrugën “Janina” së shpejti do të rregullohet dhe atyre banorëve do t’u sigurohet uji i pijshëm.

“Tash jemi në impelemtim të një projekti, që lidhet me mundësinë e furnizimit me sasi më të mëdha të ujit. Ju jeni dëshmitarë se tani në këto ditë vape, vetëm Prizreni, hiç atje ku s’kemi rrjet, ka ujë të pijshëm. Ka edhe ndonjë reduktim të rrallë, si puna e rrugës “Janina”, mirëpo pas angazhimit maksimal që jemi duke bërë dhe pas mundësisë që të ndalojmë keqpërdorimet e shumta që janë duke u bërë me ujin e pijshëm, besoj se Prizreni është më i furnizuari me ujë të pijshëm”, tha Sallahu për “Kosova Sot”.

Komunarët vetëm premtojnë

Edhe drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Sulltan Badallaj, lidhur me këtë temë thotë se së shpejti do ta zgjidhin çështjen e furnizimit me ujë të lagjes “Gurishte”. “Sa i përket lagjes “Gurishte”, ne shpresojmë se atje brenda këtij muaji ekspertët tanë do të shkojnë ta përfundojë projektin e rrjetit të ujësjellësit dhe më së largu brenda një muaji e gjysmë atje do të ketë ujë të pijshëm”, tha Badallaj për “Kosova Sot” dhe shtoi se pjesë të tjera të infrastrukturës do të rregullohen shumë shpejt. Banorëve të lagjes “Gurishte” u mbetet vetëm të shpresojnë në premtimet e zyrtarëve komunalë, sepse vapa e këtyre ditëve dhe mungesa e ujit të pijshëm ua ka vështirësuar jetën, edhe ashtu të rëndë.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Aliu dhe Nikoloski inspektojnë punimet në rrugën Prizren – Tetovë

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe ministri i Transportit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski, kanë inspektuar punimet në rrugën...

Moti i vranët dhe me riga shiu

Moti sot do të jetë kryesisht i vranët dhe me riga shiu. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale priten të lëvizin ndërmjet 3°C dhe...

Lajmet e Fundit