8.8 C
Prizren
E mërkurë, 30 Tetor, 2024

Zelenskyy OKB-së: Izoloni Rusinë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i tha të martën Këshillit të Sigurimit të OKB-së se Rusia duhet të izolohet ndërkombëtarisht për referendumet false të organizuara në territorin e vendit të tij.

 

Ekziston vetëm një mënyrë për ta ndalur të gjithë këtë”, tha ai nëpërmjet një lidhjeje videofonike. “Së pari është izolimi i Rusisë në përgjigje të gjithçkaje që bën”.

Ai tha se ndaj Moskës duhen vendosur sanksione të mëtejshme dhe se i duhet hequr vetoja në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si dhe se duhet pezulluar anëtarësimi i saj në të gjitha institucionet ndërkombëtare.

“Aneksimi i territoreve të kapura… është shkelja më brutale e Kartës së OKB-së”, tha presidenti ukrainas. “Kjo është një përpjekje për të grabitur territorin e një vendi tjetër. Kjo është një përpjekje për të fshirë normat e ligjit ndërkombëtar”.

Nëse Moska anekson këto territore, tha zoti Zelenskyy, “do të thotë se ekziston asgjë për të biseduar me presidentin e Rusisë”.

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë qarkulluar një draft-rezolutë mes vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, ku dënohen referendumet, u bëhet thirrje vendeve të mos njohin statusin e ndryshuar të Ukrainës dhe ta detyrojnë Rusinë të tërheqë forcat nga ky vend.

“Nëse Rusia vendos ta imunizojë veten nga llogaridhënia në Këshill, atëherë ne do të kërkojmë nga Asambleja e Përgjithshme që t’i dërgojë një mesazh të pagabueshëm Moskës”, tha Ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield. “Bota duhet të qëndrojë e bashkuar dhe të mbrojë Kartën e Kombeve të Bashkuara”.

Ajo u tha gazetarëve pas takimit se shpreson të kërkojë një votim në Këshillin e Sigurimit, në vazhdim të kësaj jave, ose në fillim të javës së ardhshme.

“U bëjmë thirrje anëtarëve të OKB-së, të gjithë atyre për të cilët parimet e sovranitetit, integritetit territorial dhe paprekshmërisë së kufijve kanë domethënie, të kundërshtojnë veprimet e Rusisë, të dënojnë referendumet dhe rezultatet e tyre që priteshin, si dhe të mos njohin kurrë përpjekjet për të grabitur tokën ukrainase nëpërmjet dhunës dhe terrorit”, tha Ambasadori shqiptar Ferit Hoxha.

Rusia pretendoi të martën se numërimi fillestar i votave në ato që vendet perëndimore thonë se janë referendume false, tregojnë se ukrainasit në katër rajone i japin mbështetje dërrmuese bashkimit me Rusinë.

Agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti tha se nga rreth 1/5 e votave të numëruara që ishin hedhur gjatë pesë ditëve të votimeve në Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, mbi 97% e votuesve në katër rajonet mbështesin aneksimin. Të marra së bashku, këto rajone përfaqësojnë rreth 15% të territorit të Ukrainës.

Referendumet janë denoncuar gjerësisht nga Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore si të paligjshme. Pavarësisht nga rezultati përfundimtar që do të shpallë Moska, ato nuk pritet të pranohen ndërkombëtarisht.

Por, votimi dhe rezultati që pritet të mbështesë aneksimin, do t’i japë Presidentit rus Vladimir Putin një pretekst për ta ndryshuar në mënyrë të njëanshme kufirin Rusi-Ukrainë dhe për t’i aneksuar këto katër rajone. Për rrjedhojë, çdo sulm ndaj këtyre rajoneve nga forcat e Kievit mund të paraqitet si sulm ndaj vetë Rusisë.

Ai tha javën e kaluar se ishte i gatshëm të përdorte armë bërthamore për të mbrojtur “integritetin territorial” të Rusisë, një kërcënim i denoncuar gjerësisht nga Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore që i kanë dërguar miliarda dollarë qeverisë së Kievit për të përballuar sulmin disa mujor të Rusisë.

Ukraina gjithashtu ka paralajmëruar vazhdimisht se aneksime të mëtejshme nga Rusia do të shkatërronin çdo mundësi për bisedime paqeje.

Disa ukrainas raportuan se ishin detyruar me armë nga luftëtarët rusë të largoheshin nga shtëpitë e tyre për të votuar. Votimi përfundon të martën, dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë paraprakisht se nuk do të njohin asnjë rezultat që shpall Rusia.

Ne qëndrojmë përkrah partnerëve tanë anembanë botës për të refuzuar çfarëdolloj rezultati të sajuar që do të shpallë Rusia”, u tha gazetarëve të hënën sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre duke informuar gazetarët

“Për sa i përket asaj që po bëjmë, ne jemi të përgatitur të imponojmë kosto shtesë të shpejta dhe të rënda ekonomike ndaj Rusisë, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, në përgjigje të këtyre veprimeve që ne po shohim aktualisht, nëse ata vazhdojnë me aneksimin”, tha zonja Jean-Pierre. “Kemi qenë shumë të qartë për këtë”.

Votimi filloi të premten në rajonet e kontrolluara nga Rusia, Luhansk dhe Kherson, dhe në zonat e pushtuara të rajoneve Donetsk dhe Zaporizhzhia.

Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurisë të Rusisë dhe ish-president i vendit, tha të martën se nëse Rusia kërcënohet përtej një kufiri të caktuar, ajo ka të drejtë të përgjigjet “pa kërkuar pëlqimin e askujt dhe pa zhvilluar konsultime të gjata”.

“Le të imagjinojmë se Rusia është e detyruar të përdorë armën më të fuqishme kundër regjimit ukrainas që ka kryer një akt agresioni në shkallë të gjerë, i cili është i rrezikshëm për vetë ekzistencën e shtetit tonë”, shkruajti zoti Medvedev në kanalin e tij në një aplikacion mesazhesh. “Unë besoj se NATO do të largohet nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë në konflikt në atë rast”.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i tha emisionit “60 Minutes” të CBS News në një intervistë të transmetuar të dielën vonë, se Shtetet e Bashkuara ia kanë bërë të qartë publikisht dhe privatisht Rusisë që të “ndalë bisedat me aludime për armët bërthamore”.

“Është shumë e rëndësishme që Moska të dëgjojë nga ne dhe ta dijë nga ne se pasojat do të ishin të tmerrshme, dhe ne e kemi bërë këtë shumë të qartë”, tha Sekretari Blinken.

Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit tha se Presidenti rus Putin u dha Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj një dhuratë javën e kaluar duke u angazhuar në kërcënime për sulme bërthamore, duke bërë thirrje për mobilizimin e trupave dhe duke shpallur referendumin, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara ishin në OKB “duke folur për sovranitetin, paqen ndërkombëtare, dhe sigurinë”. Zyrtari tha se Rusia “nuk mund të kishte gjetur një kohë më të mirë për të vënë në qendër të vëmendjes shkeljet e rënda që Rusia po kryen ndaj Ukrainës dhe rendit ndërkombëtar”.

Protestat kundër mobilizimit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy raportoi për luftime të ashpra në disa zona të Ukrainës ndërsa mbajti të hënën fjalimin e tij të mbrëmjes.

“Situata është veçanërisht intensive në rajonin Donetsk”, tha ai. “Po bëjmë gjithçka për të frenuar aktivitetin e armikut. Ky është qëllimi ynë numër një tani, pasi Donbasi është ende objektivi numër një për pushtuesit”.

Presidenti Zelenskyy e quajti mobilizimin e 300 mijë rezervistëve nga Rusia “një përpjekje të sinqertë për t’u dhënë komandantëve në terren një rrymë të vazhdueshme furnizimi me mish për top”.

Në Rusi kanë filluar protesta të gjera kundër thirrjes në shërbim aktiv nga Presidenti Putin. Policia arrestoi qindra demonstrues që merrnin pjesë në protestat në rrugë në Moskë dhe qytete të tjera.

Në rajonin rus Siberi, një burrë 25-vjeçar qëlloi të hënën me armë një komandant ushtarak në një qendër regjistrimi, tha guvernatori lokal.

Shumë meshkuj që kundërshtojnë luftën e Putinit, ose që kanë frikë se mos vriten në fushën e betejës, janë larguar menjëherë nga Rusia për në vende të tjera nëpërmjet linjave ajrore. Të tjerë u janë bashkuar radhëve të gjata të makinave në rrugët drejt kufirit me Finlandën, Gjeorgjinë dhe vende të tjera.

Më Shumë

Reduktime të furnizimit me ujë në disa lagje të Prizrenit

Kompania  e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”  në Prizren ka njoftuar konsumatorët se për shkak të rënies së nivelit të burimeve të ujit dhe për të...

72 vite nga lindja e këngëtares së shquar shqiptare, Nazmie Hoxha

Nazmie Hoxha lindi më 25 tetor 1952 në Gjonaj të Hasit të Prizrenit dhe vdiq më 5 maj 2007 në Prishtinë. Nazmie Hoxha ishte këngëtare e popullarizuar...

Lajmet e Fundit