Kanë kaluar gati 10 orë prej kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë nisur në Ohër takimet ndaras dhe trepalëshe me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Fillimisht krerët e dy shteteve u takuan ndaras me përfaqësuesit e BE-së, takime këto që nisën në orën 10:00.
Pastaj, pak pas orës 15:00 ka nisur takimi trelateral. Gjatë këtij takimi palët patën një pauzë të shkurtër për t’u rikthyer sërish në bisedime.
BE-ja më herët tha se Kurtit dhe Vuçiqit do t’iu prezantojnë një “plan të konsoliduar” të zbatimit të këtij propozimi, që synon t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare.
E teksa liderët e Kosovës dhe Serbisë po zhvillojnë bisedime, shumë gazetarë janë duke e përcjellë këtë ngjarje nga qendra mediale në Ohër.
Kjo qendër është vendosur në një objekt tjetër, afër vilës ku po mbahen bisedimet. /Telegrafi/