Më 22 dhjetor 1903 u lind në Përmet skulptori shqiptar, Odhise Paskali, i cili cilësohet si themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar.
Më 1919 ai shkoi në Itali, ku më 1923 kreu Liceun dhe u regjistrua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë në Torino, më 1927 mbrojti diplomën në fushën e historisë së artit.
Hapat e para të karrierës së Odhisesë, janë në fushën e publicistikës. Ai u shqua në estetikë dhe kritikë arti.
Skulptori i Popullit është i njohur për rreth 600 vepra në skulpturë, por mbi të gjitha në krijimtarinë e vet të larmishme janë të njohura veprat: “Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968, “Naum Veqilharxhi”, bust në bronz, në Korçë, “Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968 etj.
Veprat e tjera të Odhise Paskalit ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Muzeun Historik Kombëtar, si dhe në disa muze dhe institucione qendrore të Shqipërisë.
Pas vdekjes, studioja e tij u kthye në studio-muze, ku ishin vendosur vepra origjinale, si dhe variante dhe replika në gips të disa monumenteve, statujave dhe busteve, origjinalet e të cilave ndodheshin në ambiente të tjera, në rrugë e sheshe të Tiranës dhe qyteteve të tjerë.
Në studion-muze ruhej edhe arkivi i pasur i Odhise Paskalit me shënime, dokumente dhe materiale të tjera me interes për historinë e zhvillimeve artistike në Shqipëri. Nga trazirat pas vitit 1990, studioja u dëmtua bashkë me pjesën më të madhe të veprave.
Një pjesë e arkivit tani ruhet nga fondacioni “Paskali”, që u krijua nga vajza e skulptorit, studiuesja e spikatur e artit, Floriana Paskali.
Pas titujve Skulptor i Popullit dhe Akademik, Odhise Paskali është vlerësuar edhe me titullin Nderi i Kombit. Emrin e tij e mban sot një shkollë arti në Pejë dhe sheshi i qytetit në Përmet.
Ai ndërroi jetë në Tiranë, më 13 shtator 1985, i nderuar dhe i përcjellë me një ceremoni madhështore nga mijëra bashkatdhetarë, adhurues të veprës së tij të pavdekshme./KosovaPress/