Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Sh.H., nën dyshimin për vjedhjen e arit në vlerë 168 mijë euro në një argjendari në Prizren.
Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe pas një pune operative, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale në Prizren, më 24 janar është arrestuar Sh.H., nga fshati Greme – Komuna e Ferizajt nën dyshimin për vjedhje të rëndë.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se më 12 janar bashkë me të pandehur të tjerë, kanë kryer vjedhje në argjendari.
“I pandehuri i arrestuar, dyshohet se me datë 12.01.2025, rreth orës 03:45min, në njërën prej argjendarive në Prizren, duke vepruar në bashkëveprim me të pandehurit tjerë NN (gjer më tani të paidentifikuar), pas një planifikimi paraprak dhe koordinimi në mes vete, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, ia marrin pasurinë të dëmtuarit A.B., (pronar i argjendarisë), në atë mënyrë që duke shfrytëzuar momentin kur në lokalin e të dëmtuarit nuk ishte askush, me përdorim të forcës fizike dhe të pajisur me mjete të përshtatshme e hapin derën e lokalit dhe e dëmtojnë alarmin, ku hyjnë brenda në lokal. Më pas depërtojnë në lokal, e dëmtojnë kasafortën dhe arrijnë ta hapin dhe të marrin 3 kg ari ( tre kilogram) dhe 1 kg argjend (një kilogram) në vlerë prej 168.000.00 € (njëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë euro) dhe pastaj të pandehurit largohen nga dera kryesore në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, thuhet se lidhur me rastin me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Prizren, është lëshuar urdhërkontrolli nga Gjykata Themelore në Prizren, ku janë kontrolluar objekti i banimit i të dyshuarit së bashku me objektet përcjellëse në fshatin Greme.
Gjatë kontrollit, Prokuroria njofton se janë gjetur dëshmi dhe prova të shumta të cilat janë sekuestruar. Gjithashtu, si provë materiale është sekuestruar automjeti me të cilin është kryer vepra penale.
Me këto, dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vjedhja e rëndë” nga neni 315, par. 2, nënpar.2.1 lidhur me par.1 dhe lidhur me nenin 31, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).