2.7 C
Prizren
E enjte, 20 Shkurt, 2025

“Përjetimi i robërisë dhe lirisë, brenda të njëjtave mure”, rrëfimi i Isuf Kajdomqaj për torturat në burgun e Prizrenit

Torturën që Isuf Kajdomqaj e ka përjetuar si i zënë rob në Burgun e Prizrenit në vitin 1998, atëkohë nën kontrollin e forcave serbe, ai e ka luftuar me guxim dhe qëndresë. Çdo mëngjes në 24 vitet të fundit, ai zgjohet për të punuar në të njëjtin objekt si polic i Kosovës.

Çdo ditë Isuf Kajdomqaj përballet me katër muret e vendit ku përjetoi torturën e jetës. E ka luftuar fare mirë britmën që përgjuan ato fasada të vjetra, sa që prej një objekti të trishtë, stacioni policor në Prizren është rikthyer për të në vendin prej nga ku i shërben popullit.

Që gati dy dekada radhazi, në stacionin policor ku nga goditja me tehun e kondakut të armës nga polici serb, gjaku i pëlciti nga koka përtokë, 58-vjeçari punon hetues i Policisë së Kosovës.

“Për 24 vjet radhazi unë punoj në këtë objekt në të cilin jam mbajtur rob për pesë ditë e pesë netë”- rrëfeu ai, teksa mbante me ngulm lotët brenda syve të tij pas asaj here të dytë që ndau rrëfimin për Kallxo.

Grushtet i shtrëngonte saherë që sytë donin të ia tradhtonin vrullin që mbante brenda vetës. Mbahej burrë i fortë. Njëherë qajti, e të dytën herë tregimin e ktheu në dëshmi.

Pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Lubizhda e Prizrenit, atëbotë 32-vjeçar, pati fatin që të jetë një prej qindra atyre që përgjatë ofensivës të Rahovecit, u mbyllën me forcë për pesë ditë e pesë netë, pa bukë e pa ujë në mes të korrikut të nxehtë.

Lubizhda, fshat shumë afër kufirit me Shqipërinë, gjatë luftës kishte shërbyer si koridor për të bartur armatimin dhe si zonë e përshtatshme për ushtarët për të kaluar në Shqipëri. Një vit më vonë, më 12 prill 1999, në po këtë fshat të Hasit, forcat militare e paramilitare serbe masakruan 54 burra, gra dhe fëmijë.

Para luftës 1998/99 në Kosovë, petkun e policit Isuf Kajdomqaj e kishte urryer me shpirt. Bile, kurrë nuk e ka besuar që do t’i shndërrohej në pjesë të trupit. Pas demobilizimit të UÇK-së, ai kishte veshur rrobat e Trupave Mbrojtës të Kosovës (TMK) për një kohë të shkurtër. Në fund, më 24 prill 2000 kishte vendosur që kontributin e tij për vendin, ta ofronte përmes Policisë së Kosovës.

“Para luftës uniformën e Policisë e kam urrejt me shpirt, për shkak se dihet kush ka qenë nën uniformë në atëkohë. E kemi pas armikun”- tregoi ai.

Sidoqoftë, ai për t’i shërbyer atdheut sakrifikoi dhimbjet e tij. Pas luftës, uniformën e policit e pa si një mundësi për të shprehur vullnetin e tij, njashtu siç i kishte bërë nën dy të tjerat para vitit 2000. Vetëm se kësaj radhe për ta luftuar krimin në një vend që posa kishte fituar lirinë.

Ditët e para të punës në po atë objekt, i njohur si “Alfa” i përshkruan si tejet të vështira. I duhej të punonte duke luftuar me kujtimet e hidhura të gravuara brenda tij. Pos objektit, edhe plaga që ka në dorë ia kujton atë muaj që ia ndërroi kahjen e jetës.

“Për një vit me radhë që kam ardhur nga shtëpia për në punë, saherë kam hyrë në oborrin e stacionit më janë kujtu ato skena të tmerrshme para ftyrës. Një vit nuk kam arritur ta marr veten” – rrëfeu ai, duke qëndruar stoik para derës të stacionit.

Udha e thyer keq

Korrik 1998. Dora e plagosur e Isuf Kajdomqajt nga bomba e cila kishte shpërthyer duke u munduar ta largonte nga turma e ushtarëve të rinj, ishte bërë shkak për arrestimin apo zënien rob të tij.

Përgjatë rrëfimit, Kajdomqaj tregoi se si më 20 korrik 1998, ishte plagosur aksidentalisht në Lubizhdë duke i përgatitur ushtarët e rinj që nuk kanë pasur përvojë në përdorim të armatimit.

“Unë duke u mundu me kap, me largu e me gjujt jashtë turmës, në momentin që e kam kap, ka eksplodu” – tregoi ai se si ia kishte larguar bombën nga dora ushtarit të ri.

Rruga duke u kthyer prej aty i kishte tradhtuar. Atë, bashkë me shokët dhe të afërmit i kishte ndaluar policia serbe sapo kishin nisur udhën, tregon ai. I ndarë nga shokët e tij, Kajdomqaj ishte dërguar në stacionin policor. Ndërkaq të tjerët me veturën e tij ishin detyruar të ndiqnin policinë pas, kishin arritur të shpëtojnë.

“I kanë çel dyert e veturës edhe kanë ikë anës të Bistricës”- tregoi ai.

Për të dhuna kishte nisur prej aty ku e kishin kapur, në oborrin e stacionit, në spitalin ku u dërgua për t’ia verifikuar plagën se a është nga arma e zjarrit, e për pesë ditë me radhë brenda objektit të stacionit.

“Më kanë rreh në oborr si me lujt futboll” – tregoi ai.

Kajdomqaj tregoi se po në atë kohë nga policia serbe ishin zënë rob shqiptarë nga të gjitha viset e Anadrinisë për shkak se në të njëjtën kohë ishte ofensiva e verës apo e Rahovecit.

Në mbamendjen e tij, diku rreth 300-400 burra kanë qenë të zënë rob brenda atij stacioni policor, të shpërndarë brenda zyreve të ndryshme, të cilat tashmë përdoren nga Policia e Kosovës.

Pamja e stacionit siç e përshkroi ai, nuk ka ndryshuar edhe aq. Disa duar fasadë nuk ia kanë humbur ndjesinë e burgut që e ka të vizatuar në mendje. Objekt i vjetër, me shumë shkallë dhe koridore që të çojnë në zyre të vogla e të ngushta.

Torturë midis mureve

Tortura e nisur qysh në zënie nuk ishte ndalur deri në ditën kur u liruan. Nga rrahja, pa ujë në temperatura të larta, tmerri në çelinë e errët, plaga e pamjekuar e goditja me kondak të armës në kokë. Gjendja e tij kishte mbërrirë deri në alivanosje.

Kajdomqaj, duke lëvizur nëpër po ato hapësira që nuk kanë ndryshuar fort në pamje, pos funksionit të tyre, tregoi se në ato të katit të parë, katër sosh, janë mbajtur qindra njerëz.

“Secila dhomë i ka pasur nga kah 40-50 vetë, sikur me kanë fishekë të paluar njëri me tjetrin. Për pesë ditë me radhë ka vazhduar dhuna dhe maltretimi, 24 orë pa u ndalë asnjë sekondë”- rrëfeu ai duke bërë me gisht nga dhoma përballë që përdoret si zyrë e pranimit të palëve.

Një skenë që e mban mend më së miri është kur një i moshuar i zënë rob e kishte këshilluar të kërkoj ndihmë për plagën që kishte nisur të qelbet, e si përgjigje kishte marrë një goditje të fort me tytë e kondak të armës m’u në kokë.

“Më tha: “Po. Çohu”. Në momentin kur kam dashtë me u ngrit në këmbë të mija, ai më ka goditë me tytë dhe kondak të automatikut dhe më ka plas gjaku kokës. Pasi kam ra në pavetëdije ma kanë gju do ujë dhe jam kthjell”- shpërfaqi ai.

Plagën në dorë e ka ende të gravuar. Thotë se nuk ka pranuar që të bëj ndërhyrje estetike në të, pasiqë ka dashur ta ruaj si shenjë lufte. Të mbes si ai kujtimi që nuk ta lejon t’i harrosh përjetimet.

 

“Nuk na jepshin as ujë as bukë. Kanihere kur njerëzit u alivanoseshin, i bijshin ujë te goja me shishe, ia afrojshin me shishe te buza dhe ia largojshin”- tregoi ai.

Lajmin e plotë mund ta lexoni në Kallxo.

Më Shumë

Zhduket një vajzë në Suharekë

Të hënën një grua në Suharekë ka njoftuar policinë se vajza e saj është larguar nga shtëpia më 14.02.2025 në mesditë dhe nuk dihet...

Numërimi i votave të kandidatëve përfundon në 5 komuna dhe vazhdon në 29 të tjera

Është duke vazhduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat e ndryshme të Kosovës. KQZ ka...

Lajmet e Fundit