Kjo shumë është për afër 28% më e lartë krahasuar me vitin 2023, në të cilën periudhë kjo Komunë pati realizuar mbi 4 milionë euro pagesa sipas vendimeve gjyqësore.
Në anën tjetër të dhënat në Raportin Financiar për vitin 2023 të Komunës së Prizrenit tregojnë se janë paguar 4 milionë e 23 mijë euro sipas vendimeve gjyqësore.
Në atë vit, për këto pagesa më së shumti mjete janë marrë nga kategoria buxhetore e shpenzimeve kapitale me 2 milionë e 88 mijë euro, pastaj nga pagat mbi 810 mijë euro, nga shpenzimet kapitale mbi 780 mijë euro dhe mbi 344 mijë euro nga mallrat dhe shërbimet, raporton Telegrafi.
Zyrtarët komunalë kanë theksuar se pjesa më e madhe e këtyre pagesave ndërlidhen me Kontratën Kolektive për Arsimin.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, kohë më parë, ka theksuar se kjo çështje ka shkaktuar telashe për pushtetin lokal, pasi niveli qendror nuk ka ndarë mjete për zbatimin e dispozitave të Kontratës Kolektive të Arsimit.
“Kontrata Kolektive na ka sjellë shumë telashe, jo në aspektin e arsyeshmërisë së dhënies së mjeteve për punëtorët e arsimit, por në aspektin teknik, mënyra se si është dashur të bëhen pagesat. Kjo për arsye se Kontrata Kolektive për Arsimin është nënshkruar mes Qeverisë së Kosovës dhe SBASHK-ut dhe nuk janë ndarë mjetet për këtë punë, ndërkohë që mjetet janë marrë nga buxhetet e komunave dhe kjo ka çrregulluar planifikimin buxhetor të komunave”, ka thënë Totaj, raporton Telegrafi.
Në verën e vitit të shkuar, Komuna e Prizrenit pat marrë vendim që për rastet që kanë të bëjnë me Kontratën Kolektive për Arsimin të mos parashtrojë ankesa ndaj aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prizren, në mënyrë që të përshpejtohet bartja e mjeteve tek punëtorët e arsimit.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, javë më parë, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rëndë financiare të komunave, si pasojë e detyrimeve financiare të grumbulluara nga zbatimi i kontratave kolektive. Ai pat kërkuar ndërhyrje nga Qeveria e Kosovës për të parandaluar kolapsin financiar dhe bllokimin e projekteve kapitale për vitin 2025.
Ndërkaq ministri i Financave, Hekuran Murati pat theksuar se pa përfunduar muaji shkurt, janë bërë 23,118 lëndë përmbarimore që janë dorëzuar kundër komunave në Thesar, për Kontratën Kolektive të Arsimit. /Telegrafi/